Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (84)

  • E.K /
  • 15 February 2021 - 15:45
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (84)

Kështu do të mund ta vazhdonte jetën e tij aty ku e kishte lënë. Svetlana kishte vërejtur se diçka nuk ishte në rregull me burrin e saj, se nuk bëhej fjalë vetëm për vdekjen e së ëmës, por për diçka shumë më të madhe, por Denisi nuk i kishte treguar gjë, përkundër insistimit të saj. Marta i kishte lënë të birit dy albume me fotografi nga rinia dhe fëmijëria e saj dhe nga fëmijëria e Denisit. Por, fotot që i bënë më së shumti përshtypje ishin ato të dr. Hasanit, të cilat ishin të pakta. Në njërën nga to, ai shihej i veshur me mantel të bardhë, hijerëndë, me gjasë i fotografuar kundër dëshirës së tij.

Derisa shikonte foton e dr. Hasanit, i dukej sikur shikonte veten në pasqyrë. Ngjashmëria me të vërtetë ishte tepër e madhe. "O, Zot! Kjo praktikisht d.m.th. se unë jam... "shiptar"! Ende e kishte vështirë të pajtohej me identitetin e tij të ri. Denisi nuk kishte ndjenja nacionaliste dhe praktikisht mundohej që të mos kishte paragjykime ndaj të tjerëve, ndoshta për shkak se nënën e kishte kroate, por sikur të kishte mundur ta zgjidhte kombësinë, ajo shqiptare do të ishte në fund të listës. Me gjasë kjo vinte për shkak të mediave dhe bindjeve të përgjithshme, prandaj ai kishte një averzion ndaj shqiptarëve, ndaj vetë përmendjes së emrit të tyre. I paramendonte si primitivë, agresivë, të ndytë... edhe pse nuk kishte pasur rastin që ta njihte ndonjërin prej tyre. Shpesh qeshte me hidhërim vetë me vete.

"Deri dje mund të thosha se kurrë nuk kam takuar ndonjë "shiptar", e tani jam vetë njëri nga ta"! Nuk dinte çka të bënte. Nga ditari i Martës kishte marrë vesh se ai farë dr. Hasani... i ati i tij... kishte familje, gruan dhe dy fëmijë, gjë që nënkuptonte se ai, diku atje, "në mesin e shiptarëve" kishte një gjysmë vëlla dhe një gjysmë motër. Gjithmonë kishte ëndërruar ta kishte një vëlla, apo motër, por tani kur i ishte realizuar papritmas kjo ëndërr, nuk ndihej aspak i gëzuar. Përkundrazi. Disa herë mundohej që ta bindte veten se çka ka problem që qenkam gjysmë shqiptari? Edhe ata janë njerëz! Fundja, më pëlqeu, apo jo, nuk mund të iki nga kjo". Mendonte se si edhe ndaj kroatëve shumica e shokëve dhe miqve të tij kishin urrejtje dhe paragjykime, për çka shumicës prej tyre kurrë nuk iu kishte treguar se të ëmën e kishte kroate. Por, më pas mendonte se si do të reagonte Svetlana po ta dinte se ishte martuar me një bir shqiptari. Me gjasë ajo nuk do të ishte aspak e lumtur.

Sado shpirtmirë që ishte, ajo prapëseprapë kishte një urrejtje të madhe ndaj shqiptarëve, për shkak se vëllain e vetëm ia kishin vrarë "bandat terroriste të UÇK-së", derisa ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Kosovë. Denisit sesi iu kujtua një plak, që dikur jetonte në lagjen e tij, i cili në fund të viteve të tetëdhjeta, respektivisht në fillim të "epokës miloseviciane", kur ishte bërë modë të urreheshin shqiptarët, shpesh thoshte: "Po çfarë Kosove, bre! Po i tërë jugu i Serbisë, deri në Nish, gjendet mbi varrezat e 'shiptarëve'. Nuk i njihni ju 'shiptarët', jo! Ata kurrë nuk do të harrojnë se çka ju kemi bërë. Po çfarë bullgarësh të hamamit, bre! 'Shiptarët' janë njëqind herë më të zi! Do të kthehen ata! Herë do kur"! Asokohe të gjithë e konsideronin Milojkon plak si të marrë. Disa bile edhe e kishin rrahur njëherë për shkak të këtyre fjalëve. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)