Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (88)

  • E.K /
  • 19 February 2021 - 15:51
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (88)

KAPITULLI I TRIDHJETEKATËRTË

Çdo gjë ishte gati, prandaj Moshe dhe Kujtimi vendosën që ta fillonin konferencën për shtyp. Kishin ardhur më shumë gazetarë sesa që kishin pritur. Kujtimit iu duk se pa gazetarë me shenjën e "Euronews"-it, por nuk mund të ishte i sigurt, meqë kishte shumë gazetarë dhe ata silleshin e pështilleshin vazhdimisht. Nuk e dinte as vet pse i interesonte ta merrte vesh bash për këtë kanal TV a ishte i pranishëm apo jo. "Me gjasë për shkak se para luftës e shikonim shpesh", mendoi ai me vete. Kur filluan që të renditeshin mikrofonat në tavolinë, u vërtetua se me të vërtetë "Euronews" ishte aty. Ishin të pranishëm edhe "BBC", "CNN", "Al Jazeera", "RAI", "DW", pastaj mediat regjionale, duke përfshirë edhe ato serbe.

Natyrisht, ishin të pranishme edhe mediat kosovare. Përpos Moshes dhe Kujtimit, pyetjeve të gazetarëve pritej që t'iu përgjigjeshin edhe dr Goldstein, miku i Moshes, ai që kishte bërë analizën gjenetike të skeletit të gjetur, pastaj aty ishte edhe njëfarë Michael Freewill, entuziast i arkeologjisë, të cilin Kujtimi nuk e kishte aq të qartë pse e kishte ftuar Moshe. Ishte aty edhe dr Flamuri, por nuk pritej që ai të jepte ndonjë përgjigje. Pasi që kishin bërë kërkesën, të pranishëm ishin edhe dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, dy tipa ruralë të cilët ishte evidente se ende nuk ishin mësuar të rrinin rehat me kostum dhe me kravatë. Dorën në zemër, kjo mund të thuhej edhe për Kujtimin, i cili edhe pse doktor, "djalë doktori", një "goxha intelektual", prapëseprapë nuk kishte zakon që të vishej me kostum dhe me kravatë.

Ai i takonte gjeneratës së xhinsive. Konferencën e hapi Moshe, me një prezantim të shkurtër të vetes së tij dhe të Kujtimit, duke folur më pas me një entuziazëm të thellë rreth "zbulimit arkeologjik dhe antropologjik të shekullit" dhe rreth "mikpritjes së pashoqe" që kishte hasur te populli i Kosovës dhe te autoritetet e saj. Kujtimi nuk e kishte të qartë sesi Moshe e kishte rregulluar me qeverinë çështjen e zhvarrosjes ilegale të eshtrave, meqë nuk kishin pasur kohë që të bisedonin, por Moshe i kishte thënë se "kjo punë është zgjidhur" dhe se "tani çdo gjë është legale". Më pas ai ia dha fjalën "bashkëpunëtorit dhe koautorit të zbulimit", Kujtimit. Vetëm tani, kur iu dha fjala, Kujtimi filloi që të ndihej në siklet.

Përnjëherë tërë ato drita dhe objektiva të kamerave iu duk sikur donin ta përpinin. Mblodhi forcat dhe shkurtimisht tha atë që kishte lënë pa përmendur Moshe, kryesisht duke folur rreth Të Martave, këtyre krijesave misterioze popullore dhe lidhshmërisë së tyre eventuale me neandertalët. Menjëherë u pa se kjo temë zgjoi kërshërinë e gazetarëve, sepse disa prej tyre ngritën dorën për të bërë pyetje. Mirëpo, ishin marrë vesh që pyetjet të bëheshin në fund. Më pas fjalën e mori dr Goldstein, i cili shprehu kënaqësinë që pati fatin të ishte një pjesë sado e vogël e këtij "zbulimi epokal" dhe duke shtuar se me një siguri 100% mund të thoshte se skeleti të cilin e kishte analizuar, ishte skelet neandertali, apo thënë më saktë, neandertali të gjinisë femërore. Në fund fjalën e mori njëri ndër zyrtarët e qeverisë, i cili, meqë ende mbretëronte një atmosferë zgjedhore, para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, u mundua doemos, si dukej me porosi, që të mos linte pa përmendur sesi "qeveria Thaçi" i ka kushtuar që nga fillimi kulturës dhe zhvillimit shkencor një prioritet të lartë, e broçkulla të tjera. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot Online)