Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (8)

  • E.K /
  • 04 mars 2021 - 15:47
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (8)

"Ti me të vërtetë më pëlqen, Tefik dhe, më beso kur them se nuk kisha menduar se kjo do të ishte e mundshme". "Faleminderit"! Ajo u bë e vetëdijshme rreth asaj që kishte thënë dhe iu skuqën faqet. "Nuk thash se mendoja që ishte e pamundur që ti të më pëlqeje, por që të më pëlqente ndokush, kushdo". Ai bëri një grimasë dhe Adelina pa se Tefiku ishte duke e tallur. "T'u paska zgjidhur gjuha, si duket". "Fajin e ke vet". "Mirë, mirë! Nuk dua ta fajësoj askënd, përpos meje. Mua më pëlqen ky rol". Ajo nuk mundi pa buzëqeshur. E, Tefiku, duke e shikuar ballë për ballë, ndihej si mashkulli më me fat në botë. Pasi që hëngrën fruta deti në "Galleon", Adelina dhe Tefiku shkuan në "Greenhouse" për të parë rrëshqitjet mbi akull. Në prapavijë shihej një Pemë e Kërshëndellave, duke e ndriçuar atmosferën festive.

Edhe pse në ishull rrallë temperatura binte nën 15 shkallë celsius edhe gjatë dimrit, ishullarët donin që ta krijonin një atmosferë sa më të mirë festive për Kërshëndella, sipas mundësive të tyre. "Është bukur këtu, apo jo?", pyeti Tefiku, duke vazhduar më pas. "Dua të them, jam i sigurt se edhe Londra i ka bukuritë e veta, por atje nuk mund të rrëshqasësh mbi akull, i rrethuar nga palmat". "Kudo tjetër, përpos këtu. Kjo ishte motoja ime". "Pse? Dua të them, e di se Londra të ofronte më shumë mundësi, por... " Ai donte që ta bënte Adelinën të qeshej, kështu që mbeti i zhgënjyer për shkak se nuk ia arriti qëllimit. Ata kaluan aq mirë gjatë darkës, saqë Tefiku nuk donte që ta humbnin atë atmosferë. "Londra ishte e përshtatshme, sepse ishte larg. Më duhej ta kisha një oqean ndërmjet". Ai nuk e detyroi të hynte më tej. Durimi ishte njëri nga virtytet e tij.

"Unë gjithmonë kam urryer nofkën Fik", tha ai, në shikim të parë krejt pa lidhje me temën që ishin duke e diskutuar. "Çka?", pyeti Adelina. Mendoi se mos e kishte keqkuptuar. "Fëmijët në shkollë më thërrisnin Fik. Unë kurrë nuk e kam shkurtuar emrin tim; të tjerët e kishin bërë atë pa më pyetur. Edhe sot e kësaj dite rrëqethem kur ndokush më thërret Fik. E di se kurrë nuk do të mund të iki nga ky emër, meqë është pjesë e së kaluarës sime. Dhe, kështu është me të kaluarën tënde, ajo gjithmonë vjen me ty, pa marrë parasysh sa thellë dëshiron ta varrosësh". "Por, ti edhe mua mu prezantove si Fiku". "Supozoja se ashtu do të të kujtohesha më shumë". Ai qeshi.

"Po duket se paskam gabuar". "Pra, ti dëshiron që unë vazhdimisht të të thërras Tefik?" Tefiku e dinte se ajo, me qëllim, i ikte esencës së diskutimit. Ai e shikoi drejt në sy, por me butësi. "Mund të më quash si të duash. Çdo gjë që del nga goja jote tingëllon bukur". Adelina nuk tha asgjë, por shikimin e drejtoi kah njerëzit që rrëshqitnin. "Do të vazhdoj të të thërras Tefik", tha ajo përfundimisht. "A dëshiron që të rrëshqasim?" e pyeti ai. "Jo, faleminderit. Kam rrëshqitur vetëm një herë dhe nuk jam ndarë e kënaqur". "Në rregull. As unë nuk rrëshqas, por nuk hezitoj ta luaj rolin e palaços". Adelina lëpiu buzët, duke tentuar ta dëbonte një kujtim. E vërteta ishte se tentimi i saj i vetëm për të rrëshqitur kishte qenë me Markun. Edhe pse rrëshqitja nuk kishte shkuar si duhej, atë mbrëmje ajo kishte kuptuar se ishte e dashuruar në Markun. Kur i vinte ky kujtim, sikur e ndiente dorën e Markut rreth belit të vet. (vijon)

(Kosova Sot Online)