Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (5)

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 14:26
Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (5)

Materialisht isha mirë e siguruar, e marrë parasysh jetën bashkëshortore me Amirin, kthimi në përditshmëri nuk ishte aq i vështirë aq sa mendonin njerëzit përreth meje. Kam lejuar të besojnë se si vdekja e Amirit më ka dridhur deri në themel. Edhe më tutje po luaja lojën, e cila pritej prej meje. Po e mbaja familjen grumbull, po vishesha në të zeza, po shkoja te varret. Dhe, aspak nuk po më prekte ndërgjegjja pse po e gënjeja veten time. Edhe mua më kishte mashtruar jeta, e kjo nuk i interesonte askujt. Vetëm më vinte keq që nuk e kisha kuptuar më herët, e jo në vjeshtën e jetës sime, kur ishte vonë për të filluar një jetë të re. Dhe, kështu arriti edhe vjeshta dhe ditët e zymta. Isha e tëra e lagur sa që nuk e kisha vërejtur thirrjen në telefon për të më marrë nga varrezat. Ai po ngutej që të mos lagej. Vetëm se për dallim prej meje në duar kishte çelësat e veturës.

- Zonjë, duhet të shpejtojmë nëse nuk dëshironi të lagemi këtu. Po vjen një mot i lig. A keni ardhur me veturë? Nëse jo, mund t'ju dërgoj, pasi vetëm sa nuk ka rënë qielli mbi ne. Nuk isha në qejf për njoftime të reja, por qielli i zymtë dhe gjethet që fluturonin nga era e fortë nuk më lanë edhe shumë hapësirë për të menduar. Pos kësaj, ftesa ishte e dërguar në atë mënyrë përmes një sugjerimi sa që ishte e vështirë për ta refuzuar. Në momentin e fundit kemi hyrë në veturë. Riga të shiut tashmë filluan dhe po godisnin xhamin. Shiu po forcohej gjithnjë e më shumë. Shumë shpejtë filloi një shi i shpeshtë me murmurimë dhe vetëtimë. Madje edhe u errësua. Nuk ishim të vetmit që dëshironim të shpëtonim nga ky mot i lig. Shi, erë, drita të veturave të tjera, e gjithë kjo po e vështirësonte vozitjen. - E çfarë thoni sikur të futemi në ndonjë kafene, apo kudo çoftë, ta pimë nga një kafe dhe ta presim këtë fundin e botës, i cili me sa duket po kalon pranë nesh? Ishim me fat dhe u futëm në një vend, i cili po ashtu edhe kishte parking të mjaftuar, por gjithashtu edhe ishte rehat. Kafeja e tyre kapuçino ishte shumë e këndshme, e ngrohtë dhe e shijshme. Edhe atmosfera në përgjithësi ishte e mirë. - Shpeshherë kaloj këtej, por nuk e kam ditur që është kaq bukur këtu. A shkoni shpesh në varreza? - Zakonisht shkoj shpesh. Ka kaluar tashmë një vit prej se më ka vdekur burri, kështu që nuk jam në disponim për kafene. - Ju kuptoj në përgjithësi. Kur më kishte vdekur gruaja, kam menduar se bota do të shkatërrohet. Por, nuk ndodhi. Jeta po vazhdon megjithëse kam menduar se kurrë nuk do të mundem të vendos më rregull. Ajo vdiq në një aksident me veturë. Ne kemi jetuar dikur atje, në Itali.

E kemi varrosur këtu në atdhe, sepse e kam ditur që herëdokur do të kthehem. - Dhe tani jetoni vetëm këtu? A keni fëmijë - u lëshova në bisedë unë. - Tre. Tashmë janë rritur dhe jetojnë të pavarur. Kanë shkuar nëpër Evropë. Bota është bërë një fshat i madh. Unë jam kthyer dhe po jetoj me motrën. Kështu ishte gjatë një faze të jetës më mirë, si për të ashtu dhe për mua, por tani po mendoj të ndryshoj diçka. Kishte edhe ajo problemet e veta, kishte krizë, kështu që për të dytë ishte mirë të jetojmë së bashku. Për momentin, jemi duke menduar të jetojmë në shtëpi të ndara. E ju? - Burri im ishte një mjek i njohur. Sikur të jetonit këtu, do ta kuptonit gjithë tregimin. Ishte shumë ambicioz, plot me ide, i gjallë. Nganjëherë mendoj se kjo edhe e mbyti. Ishte ky një shok i madh për të gjithë ata që e kishin njohur, por sikurse që e dini edhe nga përvoja juaj, jeta ec tutje. Kam vajzën mjeke dhe është shumë ambicioze, e djali po përfundon fakultetin. Në njëfarë mënyre për të dytë kam nevojë. (vijon)   

(Kosova Sot Online)