Në prag të zgjedhjeve shoqëria po përballet me një fenomen mjaft negativ

Në prag të zgjedhjeve shoqëria po përballet me një fenomen mjaft negativ
Në prag të zgjedhjeve shoqëria po përballet me një fenomen mjaft negativ

Ismail Muçiqi

  • 12 May 2026 - 15:03

Shkruan Gazetari Ismail Muçiqi.

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale që do të organizohen më 7 Qershor, partitë politike dhe shoqëria Kosovare në përgjithësi po përballen me një fenomen mjaft negativ, duke përdorur gjuhë denigruese me qëllim të diskreditimit të rivalëve politikë. Tensionet kanë filluar të rriten pothuajse në të gjitha partitë politike, të cilat kanë dëshmuar se nuk kanë vizion dhe pjekuri politike për t’i ndërtuar institucionet kredibile të shtetit. Kalkulimet që po zhvillohen brenda dhe jashtë partive politike kanë vetëm një qëllim — interesin personal për t’u bërë pjesë e Parlamentit të Kosovës, me synim ruajtjen e pozitave dhe vazhdimin e karrierës pa meritokraci.

Hipokrizia po dominon gjithandej në strukturat e partive politike, të cilat po zhveshen nga realiteti dhe premtimet që ia dhanë elektoratit me vite të tëra. Mjerimi më i madh po manifestohet këto ditë ndërmjet rivalëve politikë, të cilët deri dje ishin në institucionet udhëheqëse të Shtetit të Kosovës, ndërsa tani, kur u është rrezikuar karriera, kanë filluar të shpërthejnë me gjuhën e shpifjeve më të vrazhda, gjuhë kjo që nuk do të duhej të përdorej në një shtet demokratik, e sidomos në traditën e popullit Shqiptar. Është interesant të theksohet se me vite qytetarët po bombardohen me kronika dhe debate negative, të cilat janë bërë helm për audiencën e gjerë Shqiptare. Kemi harruar të shikojmë ndonjë emision në radio apo televizion, ndonjë shkrim në portale apo gazeta me karakter pozitiv. Kemi harruar të relaksohemi me ndonjë lajm që u jep shpresë dhe optimizëm qytetarëve të Kosovës, për t’u inspiruar në punë dhe në profesionet e tyre. Sot më befasoi për të mirë lajmi kur dëgjova se forumi i gruas i Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Jehona Lushaku, në mënyrë simbolike dhe tradicionale kishte vizituar familjen e ish-veprimtares së njohur të Kosovës,

Shukrie Ejupi, e cila ndërroi jetë para tri ditësh në Prishtinë. Ky veprim, sa pozitiv aq edhe fisnik, na e kthen memorien te amaneti i gjeneratave të mëhershme, përkatësisht i paraardhësve tanë, se pavarësisht interesave në politikë, ne si komb jemi një dhe vetëm të bashkuar mund të ecim përpara. Andaj, zgjedhjet nacionale të 7 Qershorit janë një test që, njëherë e përgjithmonë, të ndërgjegjësohemi duke luftuar për të vërtetën se vetëm njerëzit me vlera, të shkolluar, të edukuar dhe të dëshmuar, mund t’i sjellin progres dhe benefite shoqërisë Kosovare dhe Shtetit të Kosovës. Ka ardhur koha që të ndahet shapi prej sheqerit. Kosova duhet të lirohet sa më parë nga matrapazët dhe kapadaitë që mundohen të qëndrojnë pa limit në politikë dhe në institucionet e shtetit, duke i treguar muskujt.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".