Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (16)

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 15:51
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (16)

"Unë do të shkoj", u zbut ajo. Ajo nuk do ta kishte problem që ta takonte përsëri atë bionde të gjatë, futbolliste të talentuar, e cila ishte adhuruese e madhe e argëtimit. Ai ia tregoi adresën e saj, kurse Adelina ia ktheu: "Qenka afër "Gatsby"-t", tha ajo. "Nuk habitë fakti që të pëlqen të performosh atje". "Ai në fakt është pronar i "Gatsby"-t". Adelina u mërrol. "Po bën shaka"! "Njerëzit ia dalin që të fitojnë mjaft atje, përkundër keqkuptimeve tua", tha ai, duke e ngacmuar. Ajo u skuq në fytyrë. "Kurrë nuk kam thënë se ai vend është i coftë. Thjesht, nuk më është dukur se më përshtatej mua". "Dhe?" "Dhe çka?" "A mendon ende se nuk të përshtatet ai vend ty?"

Ajo e gjeti fuqinë që ta shikonte drejt në sy, por shumë shpejt humbi në kaltërsinë e tyre. "Më nuk di çka të them, Tefik. Më duket sikur këtë vend jam duke e parë për herë të parë. Ndoshta ajo që nuk më është përshtatur atëherë, më përshtatet tani". KAPITULLI I NËNTË "Nëse duam që ta bëjmë atë tortë, atëherë më mirë është që t'ia fillojmë menjëherë", tha Teuta, derisa ishte bashkë me Adelinën duke palosur rrobat në kuzhinë. "Mendoja se kjo punë i takon Besës", tha Adelina. Ajo nuk donte që t'i prishte hesapet e veta më shumë sesa që i kishte edhe ashtu të prishura. "Në rregull, në rregull", i tha e ëma e saj, me një ton jo fort të gëzuar të zërit të saj. Adelina u përqendrua te çorapet që i mbante në duar. "Mos më lejo që t'ua prishë ndonjë traditë. Unë jam e vetëdijshme se nuk kam qenë këtu një kohë të gjatë, apo, më duket sikur kurrë nuk kam qenë këtu".

"Oh Adelinë, mos u bëj qesharake. Është mirë që të bësh diçka për çka nuk je aq e zonja. Kjo të bën që të mbetesh modeste", tha Teuta duke marrë shportën me rrobat e palosura dhe doli nga dhoma. Edhe Adelina ofshau. Nuk ishte se i mungonte aftësia, e as që nëna e saj do ta besonte këtë. Adelina ia kishte ngulur sytë kuzhinës së vjetruar të nënës së saj, e cila ishte kuzhina e njëjtë me ngjyrë të verdhë, gjalpi, të cilën ajo e mbante mend që nga fëmijëria, për çka ndjeu nevojën urgjente që sa më parë ta shihte kuzhinën e vet, në Londër. Apo, ajo nuk ishte më kuzhina e saj, meqë ajo e shiti apartamentin, por megjithatë. Asaj kurrë nuk i kishte shkuar në mend se dikë mund ta merrte malli për kuzhinën, por ajo tani ndjente një mall të vërtetë për kuzhinën e vet.

E paramendonte, me tërë bardhësinë e saj. Pajisjet ishin moderne, profesionale, të një shefi të vërtetë të kuzhinës. Në fillim ajo kishte menduar se aftësitë e saj gatuese nuk përshtateshin me atë kuzhinë, por Marku kishte insistuar. Atij i pëlqente që të gatuante, prandaj ia kishte dalë që ta bindte edhe atë për ta blerë atë kuzhinë. Adelinës iu kujtua aroma e mrekullueshme e "mafinsave" të freskët me banane, derisa ishin duke u pjekur në furrën e shkëlqyeshme të çeliktë. Asokohe, Adelina mezi priste që të lindte, meqë ishte shtatzënë, që të kishte një vogëlush, a vogëlushe që do ta luste për ta lëpirë lugën, derisa ajo përgatiste ëmbëlsirat. Në ato momente ndodhte të vinte Marku. "Përsëri po gatuan, a? Duhet të jetë instinkti amnor". Në ato raste ai i dilte nga prapa dhe e përqafonte, duke ia ledhatuar belin, i cili kishte filluar t'i zgjerohej. Disa rroba tanimë nuk i vyenin më. E puthte në qafë dhe më pas shkonte te frigoriferi, për ta marrë lëngun e tij të preferuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)