Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (21)

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 15:53
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (21)

"Si u bë që fillove të punoje në sallon? Ti flisje rreth hapjes së një furre në ishull. "Sugar-n-Spice" ka nevojë për pak konkurrencë. Ishulli është tepër i madh që ta ketë vetëm një furrë". Besa kishte mbuluar fytyrën me duar. "Nuk e di! Nuk e di!" Tha ajo dhe mori pamjen e një të dëshpëruare. "Disi më përfshiu ky biznes. Por, jam duke marrë një rrogë të denjë dhe paratë na duhen për djalin e sëmurë. Atij do t'i duhet një kujdes i vazhdueshëm kur të rritet. Do të isha e çmendur sikur t'ia filloja nga fillimi". "Më duket se burri yt Gëzimi nuk është edhe aq ndihmës i madh". "Shiko, e di se ai është goxha shumë sikur babai", tha Besa. "Nuk jam idiote.

Kam fatin që kam prindërit e mi dhe ata të Gëzimit për të më ndihmuar. Nuk do të mundja ta bëja tërë këtë pa ndihmën e tyre dhe nuk më vjen turp ta them këtë". Adelina ia dha motrës një puthje të lehtë në faqe. "Ti po mendon se unë dua të të turpëroj? Mblidhi mendtë, mori. Unë u lodha vetëm duke të të dëgjuar se çka bën ti gjatë tërë ditës". "Kishte të interesuar që të bëheshin ortake me mua në sallon, por i kam refuzuar". "Pse?" Besa rrudhi krahët. "Nuk doja që të përzieja punë me dikë tjetër". Adelina u kollit. "Më duket se këtë e kemi trashëguar nga nëna", tha ajo duke rrudhur vetullat.

"Pse nuk e konsideron tani mundësinë e partneritetit? Shite një përqindje të sallonit, në mënyrë që ti të mund ta fillosh ndonjë biznes të ri. Le të punojë ndokush tjetër rregullisht këtu". Besa u ul më mirë në karrige. "Tingëllon tepër e komplikuar, lëre më e shtrenjtë". "Jo, në fakt nuk është", tha Adelina, duke përdorë trurin e saj të avokatit. "Më lër të bëj disa skenarë për ty dhe, më pas, vendos se a dëshiron t'i realizosh ata". "Mirë", u pajtua Besa. "Do të shoh". "A do të ma bëje një të mirë, në shkëmbim të kësaj?", tha Adelina me një zë si fëmijë. "Pazarllëk, apo jo?", tha ajo duke kryqëzuar duart. "Çka ke?" "A mund të m'i rregullosh flokët në ato aparatet tua të mira?", bëri me dorë ajo. "Tani?" "Do të shkoj në një ndejë dhe nuk dua që të dukem tepër zyrtare, por më shumë në frymën e Kërshëndellave".

"Duket se je duke folur për një ndejë të mirë. nuk ka problem, do të t'i rregulloj flokët". Ato shkuan te njëra karrige. "A je e sigurt se nuk të paraqet problem? E di se ishe duke shkuar". "Nëse motra ime e vogël bën paraqitje publike në ishull, dua që të paktën flokët e saj të duken spektakulare". Adelina rrëshqiti në karrige dhe Besa filloi t'ia krihte flokët". "Gëzimi dhe unë në fakt do të dalim të enjten mbrëma për ndejën e Kërshëndellave. Nëna dhe babai do të përkujdesen për fëmijët, por Gëzimi do të donte që edhe ti të ishe aty, për ceremoninë". Adelina mbeti e habitur, por e kënaqur. "Vërtet?" "Nëse nuk ke ndonjë punë tjetër. Nuk e di çfarë planesh ke". "Nuk kam plane. Do të doja të kisha". Besa filloi t'ia rregullonte flokët me dorë. "E di? Ndonjëherë atë e quaj Adelin". "Adelin? E kë e quan kështu"? "Omerin. Ai më duket shumë sikur ti kur ishe e vogël".

Adelinës i erdhi mirë që edhe motra e saj kishte vërejtur ngjashmërinë midis Omerit dhe asaj. Ajo shpresonte që Besa do të ishte prind më i mirë sesa prindërit e tyre. "Ndoshta ti mund të bisedosh me të rreth preokupimit të tij me vdekjen. Pediatri më ka thënë se kjo është normale. Por, ende më duket se ai është tepër i vogël për tema të tilla". Adelina ofshau. "Nuk ma merr mendja se do të isha personi adekuat për një bisedë të tillë". (vijon)

(Kosova Sot Online)