Tragjedia e 'Babait politik': Pse demokracia shqiptare po çalon në vend?

Tragjedia e 'Babait politik': Pse demokracia shqiptare po çalon në vend?
Tragjedia e 'Babait politik': Pse demokracia shqiptare po çalon në vend?

Mirsad Voca

  • 01 June 2026 - 17:04

Nga Mirsad Voca

Kultura e « Liderit-Zot » në hapësirën politike shqiptare nuk është thjesht një defekt teknik i demokracisë, por një patologji e thellë sistemike që e ka mbajtur shoqërinë peng për dekada të tëra. Partitë tona nuk funksionojnë si mekanizma për artikulimin e vizionit qytetar, por si feude moderne, ku struktura është dizajnuar për të shërbyer si mburojë e përjetshme për liderin. Kur një figurë politike « lind » dhe « vdes » në krye të partisë pa u sfiduar kurrë, mesazhi që përçohet për shoqërinë është shkatërrues: suksesi nuk vjen nga merita apo integriteti, por nga nënshtrimi i plotë ndaj vullnetit të kryetarit.

Pasojat sociologjike të këtij fenomeni janë rrënjësore dhe prekin çdo ind të jetës publike. E para dhe më e dukshmja është atrofia e mendimit kritik. Kur lideri është i paprekshëm, partia shndërrohet në një "dhomë jehone", ku intelektualët detyrohen të shndërrohen në avokatë të verbër të pushtetit. Në këtë mjedis, figurat si Sali Berisha, që e ka identifikuar fatin e partisë me fatin e tij personal, apo Edi Rama, që ka instaluar një centralizim teknokratik ku çdo vendimmarrje buron nga një qendër e vetme, janë dëshmi se si « Lideri » zëvendëson institucionin. Në Kosovë, ndërsa Hashim Thaçi e shndërroi partinë në një rrjet ndikimi të pashkëputur nga figura e tij, Albin Kurti ndonëse nisi si një lëvizje e emancipuar, po përballet me sfidën e madhe për të mos u shndërruar në të njëjtin model ku mendimi ndryshe perceptohet si tradhti.

Nëse në partitë e tjera modeli i liderit është i betonuar, forca si LDK-ja shpesh shihen si alternativa që mbajnë gjallë shpresën për një institucionalizëm të vërtetë. Megjithatë, skeptiku brenda nesh duhet të pyesë: a po përdoret ky « institucionalizëm » si një mekanizëm për hapjen e partisë ndaj mendimit të lirë, apo ndonjëherë shërben si një mburojë formale për t'i mbijetuar status quo-së? Sfida për këto struktura nuk është vetëm të jenë më të kulturuara se të tjerët, por të kenë kurajën ta ndryshojnë vetveten, duke e bërë mendimin e lirë të figurave si Vjosa Osmani, jo një përjashtim të izoluar, por rregull të sistemit.

Kjo demokraci e mbyllur brendapartiake nxit seleksionin negativ, ku kultivohet « njeriu i dobët » dhe klientelizmi. Aftësia kryesore për të avancuar bëhet besnikëria servile, duke sjellë në krye të vendimmarrjes individë pa shtyllë kurrizore, të gatshëm të sakrifikojnë interesin publik për t’i mbijetuar tekeve të liderit. Kjo krijon një traumë të vazhdueshme të « tradhtisë » dhe një polarizim të skajshëm, ku partia nuk njeh pluralizëm dhe « tjetri » jashtë saj duhet domosdoshmërisht të shkatërrohet që lideri të ndihet i sigurt. Për më tepër, kur mungon demokracia brendapartiake dhe mungon gara e lirë brenda shtëpisë, bashkëpunimi demokratik ndër-partiak bëhet i pamundur; ai mbetet vazhdimisht një sfidë e madhe, sepse një lider që nuk pranon dialogun brenda partisë, natyrisht që nuk mund të ndërtojë kulturë dialogu dhe kompromisi as me palët e tjera. Dëmi më i madh mbetet emigrimi i trurit: të rinjtë me vizion, duke parë se rruga e karrierës është e bllokuar, zgjedhin largimin.

Në thelb, ne jemi kapur në një instinkt të vazhdueshëm të « vrasjes së babait », një lloj frojdizmi politik ku, pasi nuk mund ta kontestojmë liderin brenda partisë, ne e shohim atë si një figurë atërore që duhet urryer. Megjithatë, në vend që ta zëvendësojmë me një sistem institucional, ne presim me ankth që ai të rrëzohet për ta zëvendësuar me një « baba » tjetër.

Problemi ynë themelor është se e kemi ngatërruar rolin e liderit me atë të shtetit. Shteti duhet të mbrojë kombin dhe vlerat e tij, ndërsa lideri është vetëm një shërbyes i përkohshëm i këtyre vlerave. Për sa kohë që liderët tanë të jenë më të rëndësishëm se ligjet dhe për sa kohë që vota brenda partisë të mbetet një formalitet për të legjitimuar « të përjetshmin », ne do të mbetemi një shoqëri që çalon. Kjo strukturë feudale nuk është thjesht pasojë e traumave të shkuara, por një zgjedhje cinike e elitave: ato e dinë se në një ambient ku ligji dhe meritokracia do të funksiononin, pushteti i tyre i pakontestueshëm do të merrte fund brenda një nate.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".