Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (1)

  • E.K /
  • 18 March 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (1)

Jam rritur në një fshat të vogël, jo fort larg kryeqytetit. U rrita me nënën Merita, një e ve e cila tërë jetën nuk e kishte marrë veten pas vdekjes së burrit të saj, babait tim, i cili kishte vdekur në një fatkeqësi trafiku, si shofer kamioni, në vitet më të mira të jetës së vet. Kjo do të thotë se mua më mungonte gëzimi dhe buzëqeshja gjatë viteve të para të jetës. Duke punuar nëpër shtëpi dhe ara të huaja, nëna fitonte paratë për shkollimin tim. Isha përcaktuar për shkollën e mjekësisë në mënyrë që, pasi ta mbaroja, të punësohesha sa më parë, për të fituar para, me qëllim që të dilnim nga mjerimi i varfërisë. Por, në vend që të punësohesha, pas mbarimit të shkollimit iu bashkova armatës së tërë të të papunëve, e nëna ime e mjerë u sëmur dhe, shpejt e shpejt, vdiq. Kështu, mbeta e vetme.

Çdo ditë lexoja gazetat, me shpresë që ta gjeja ndonjë ofertë për punë, prandaj kur gjeta shpalljen ku kërkohej një përkujdesëse ndaj një personi të palëvizshëm, menjëherë konkurrova. Isha tejet e lumtur që më punësuan, meqë kishte kandidatë të shumtë. Në fakt, kërkesa që përkujdesësi të rrinte në shtëpinë e pacientit kishte qenë e papranueshme për shumëkënd, derisa mua më përgjigjej shumë. Personi i palëvizshëm i cili kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme ishte një grua në të dyzetat, zonja Nurije, e cila kishte pasur një fatkeqësi trafiku, pas së cilës ishte e detyruar që ta kalonte jetën në karrocë invalidore.

Burri i saj, Muharremi, ishte sipërmarrës ndërtimtarie, trashëgimtar i prindërve të tij të pasur, nga të cilët e kishte trashëguar një vilë në pjesën elitare të qytetit, e edhe vet kishte krijuar një pasuri të tërë duke ndërtuar gjatë kohës së artë të ndërtimtarisë, para se të binte vlugu gjatë viteve të fundit. Që nga dita e parë ai u soll ndaj meje me respekt, prandaj në shtëpinë e tyre ndihesha sikur të isha pjesëtare e një familjeje, të cilën kurrë nuk e kisha pasur. Dëm që nuk i keni vazhduar studimet në mjekësi, meqë duket se ke prirje për këtë fushë - më pëlqenin fjalët e këtij dyzetvjeçari të pashëm, i cili duket se, për shkak të mungesës së kohës së lirë, rrallëherë lëshohej në biseda private.

Në fytyrë i shihej vuajtja, në formë të disa rrudhave të parakohshme. Këtë përshtypje e kisha krijuar ndaj tij gjatë ditëve të para, para se ta mësoja arsyen e vërtetë të vuajtjeve të tij. Në fakt, ai kishte qenë duke vozitë me rastin e fatkeqësisë, me ç'rast kishte vdekur nëna e gruas së tij, e gruaja kishte pësuar lëndime të rënda të boshtit kurrizor, duke mbetur e palëvizshme. Unë këtë e mora vesh kur ai, në një rast, i çau hallet e tij me mua. Afrohej një festë prandaj kërkova ditë të lirë, që të shkoja t'i vizitoja varret e më të dashurve të mi. - Mos kërko falje, Ariana! Dita e lirë të takon. Për zonjën Nurije atë ditë do të përkujdeset shtëpiakja, e cila përkujdesej për të para se të vinit ju.

Shërbehu me veturën, të cilën e ke në dispozicion, por të lutem, kujdes nga fatkeqësitë e trafikut. Gjatë ditëve para festave ndodhë numri më i madh i aksidenteve, meqë shoferët vozisin si të marrë. Këtë ua them nga përvoja personale, meqë dy vjet më parë, mu para kësaj feste, përjetova aksident në një udhëkryq, vetëm për shkak se nuk e lash që të kalonte një veturë, e cila kishte hyrë në të kuqen. E, do të mund ta evitoja atë aksident, sikur të mos ndiqja me çdo kusht përparësinë. Ishte kjo hera e parë që ai fliste rreth fajit të tij në lidhje me atë aksident, me ç'rast kuptova se sa e madhe ishte vuajtja e tij. (vijon)

(Kosova Sot Online)