Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (2)

  • E.K /
  • 19 March 2021 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (2)

- Pse ta fajësosh veten për shkak të pakujdesisë së dikujt tjetër? Sikur të kishit mundur ta evitonit fatkeqësinë, ju do ta kishit bërë këtë, prandaj nuk keni nevojë që ta ngarkoni ndërgjegjen tuaj për shkak të sjelljes së pahijshme të dikujt tjetër - mundohesha që t'ia lehtësoja barrën që kishte vënë mbi supet e tij. - Për shkak të gjendjes së vet, gruaja ime është tërhequr në tërësi nga bota e jashtme dhe nuk dëshiron që të rrijë me njerëz. Infermierja që përkujdesej për të nuk mundi të pajtohej me një jetë të kufizuar, prandaj kam frikë se edhe ju do të ikni, sapo ta gjeni ndonjë punë normale, në ndonjë spital, a qendër të mjekësisë familjare.

Unë jam i kënaqur me punën tuaj dhe mund të të ofroj punë për kohë të pacaktuar, natyrisht, nëse kjo ju konvenon edhe juve - dëgjoja duke mos iu besuar veshëve, se edhe mua të paktën një herë, më buzëqeshte fati. - Ju, Ariana, jeni një vajzë interesante, plot zell, në shoqërinë e së cilës ndihet mirë edhe gruaja ime, por edhe unë më lehtë duroj përditshmërinë time të zymtë, prandaj dua që sa më gjatë t'ju mbajë afër vetes. Shpresoj që të mos na lini edhe pasi që, një ditë, të martoheni. - Martohem?! Unë ndoshta kurrë nuk do të martohem, meqë jam zhgënjyer nga dashuria e parë, më ka zhgënjyer djali të cilin e njihja që nga klasa e parë e shkollës fillore.

Në fakt, mendoja se e njihja, por u mashtrova. Më tradhtoi atëherë kur e prisja më së paku një gjë të tillë - thash duke mbajtur lotët me vështirësi, pasi që mu kujtua periudha e vështirë, pasi që më kishte vdekur nëna, e ai më kishte tradhtuar. Dhe, kur isha ndier e vetme në botë, gjeta dorën e zgjatur të Muharremit. Jo vetëm që më ofroi punë, por një vit më pas ma ofroi një banesë në qendër të qytetit, jo fort larg zyrës së tij, banesën e cila i shërbente si vend pushimi gjatë punëve të vështira. - Pasi që kishte mbaruar ndërtesa, një banesë e kisha ndarë për vete, sikur që shihni, meqë më duhej që të ballafaqohesha me trafikun e ngarkuar për të mbërritur në shtëpi.

Ishte kjo në fillim të karrierës sime, kur prisja që të kisha fëmijë, të cilët Nurija nuk mundi të m'i dhuronte. Prej se u bë e palëvizshme, mu zhduk edhe shpresa e fundit se do të bëhesha baba, prandaj ideja ime e posedimit të banesës në qendër të qytetit e humbi rëndësinë. Për këtë shkak, këtë banesë do t'ua lija juve, Ariana, nëse jeni e interesuar. - Sikur të m'i lexonit mendimet, zotëri Muharrem! Sapo mora një ofertë për shitjen e shtëpisë sime në fshat, e pjesën e mbetur të pagesës për banesë do ta shlyej me kredi. Banesa më duhet gjithsesi, vetëm që frikohesha që të mendoja në këtë drejtim. Unë nuk kam ndërmend më që të kthehem në fshat, e një ditë kur ju nuk do të keni më nevojë për shërbimet e mia... - thashë me pikëllim, duke menduar në prognozat e mjekëve, se Nurija do të jetonte më së shumti gjashtë - shtatë vjet. Përkundër shkuarjes së saj të rregullt në banjë, organet e saj ishin duke u shuar dalëngadalë. 

A nuk ju vjen rëndë që ta shitni shtëpinë ku keni lindur? - më pyeti Muharremi. - Sa i përket marrëveshjes për blerje, mjafton që t'i paguani paratë që i keni kursyer dhe të obligoheni që, pjesën tjetër të parave, ta paguani në muajt, për shembull një të tretën e rrogës. Këtë e keni shumë më të volitshme sesa që të merrni kredi në bankë. Unë kurrë nuk do të mund ta tjetërsoja këtë shtëpi, meqë ky është vendi ku kam lindur dhe për ku më lidhin kujtimet e fëmijërisë, të prindërve, të rritjes sime, të simpative dhe dashurive të para. Kam përshtypjen se aty gjenden shpirtrat e prindërve të mi të vdekur, prandaj askund tjetër në rruzullin tokësor nuk dua që të jetoj. (vijon)

(Kosova Sot Online)