Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (3)

  • E.K /
  • 20 March 2021 - 14:00
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (3)

- Do të mendoj rreth propozimit tuaj të papritur dhe, ndoshta, do të heqë dorë nga shitja e shtëpisë familjare. Sido që të jetë, jam falënderuese që mundoheni të më ndihmoni për ta siguruar të ardhmen time. - Nuk e përfundova atë që desha t'ua thosha në lidhje me banesën që ua ofrova. Kjo është një banesë e re, e ndërtuar nga kompania ime, në një vend krejtësisht tjetër me atë të shtëpisë sime. Kur të më mërzitet qetësia këtu, shkoj në atë banesë, ku dëgjohet zhurma e qytetit, meqë banesa gjendet në një rrugë me mjaft trafik.

E kam mbajtur këtë banesë jo vetëm për nevojat momentale, por edhe pse kam menduar për pasardhës. Por, shpresat e mia në këtë drejtim kanë marrë fund. Kuptova se mua nuk më duhej vetmia, por dikush me të cilin do të mund të bisedoja sinqerisht. Ka ditë kur ndjej njëfarë mundimi, të cilin mund ta largoj vetëm nëse e ndaj me dikë, sikur që jeni ju, Ariana. Këtë nuk ia kam thënë askujt tjetër deri më tani. Ndaj jush ndiej njëfarë afërsie sikur të njiheshim tërë jetën dhe kjo është arsyeja kryesore që dua t'ju mbajë në jetën time, si mike. A më kuptoni, Ariana? Nëse po, atëherë pa ngurrim do ta merrni këtë banesë.

Po, do ta marr dhe, nga kursimet e mia do ta paguaj një pjesë të tij, e pjesën tjetër, sipas marrëveshjes, do të ma ndalni nga rroga - thash me të shpejtë. Isha e bindur se ai e bënte një gjë të tillë nga keqardhja, apo për qëllime bamirësie. Shumë shpejt më çoi për ta shikuar banesën, e cila më dukej si parajsë, krahasuar me shtëpinë e prindërve. Banesa ishte e mobiluar me mobilie të shtrenjta dhe ishte tejet funksionale për shkak të ormanëve dhe rafteve të ndryshme. Në fillim kisha në dispozicion kuzhinën dhe një dhomë, kurse dhoma e tij e pushimit, pas insistimit tim, mbeti që edhe më tej ta luante të njëjtin rol sikur deri më tani. - Jam interesuar rreth vazhdimit të arsimimit tuaj.

Do të ishte dëm që të mos i kryenit studimet e mjekësisë, për fiziatër - më tha Muharremi, duke ma bërë një propozim për të cilin dikur vetëm kisha ëndërruar. - Sa i përket regjistrimit në fakultet, unë kam të njohshëm, e sa i përket studimit, falë punës që bëni, keni kohë të mjaftueshme. Shfrytëzojeni rastin që ju ofrohet, që të bëheni mjeke, meqë më pas do ta keni jetën shumë më të lehtë. E, ju e meritoni një gjë të tillë. Duhet vetëm ta shkruani një lutje, ku duhet të tregoni pse doni të regjistroheni në fakultet, e do t'ju pranojnë pa dyshim - më tha ai me njëfarë sigurie aq të madhe, sa që i besova sesi ëndrrat e mia sekrete do të realizoheshin me të vërtetë së shpejti. - Dorëzojeni lutjen dhe dokumentacionin shtesë sa më parë, në mënyrë që të mund t'i filloni studimet në vjeshtë - më tha ai.

Pasi që atë vjeshtë e dërguam Nurijen në banjë, i kreva të gjitha formalitetet rreth regjistrimit dhe shpesh shkoja në banesë, pa mundur ende të bindesha se, kjo që më ndodhte, ishte realitet. Një ditë, kur shkova në banesë, në tavolinë më priste laptopi, i cili më duhej aq shumë, por nuk mund ta blija. U ula dhe qava si fëmijë, nga gëzimi, por edhe nga pikëllimi, meqë u bëra e vetëdijshme se e doja Muharremin me tërë qenien time, por në anën tjetër më vinte keq nga gruaja e tij e mjerë. Ajo më bënte që të ndihesha fajtore. (vijon)  

(Kosova Sot Online)