Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (4)

  • A.P /
  • 21 March 2021 - 16:29
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (4)

Pas tërë asaj që ai kishte bërë dhe ishte duke bërë për mua, më nuk kishte dyshim se ai mesoburrë me sjelljet e tij shprehte dashurinë të cilën më nuk mund ta fshihte prapa qëndrimit të tij zyrtar. E tradhtonte shikimi i tij, e mua më frikësonte gjithnjë e më shumë lindja e atyre ndjenjave të dyanshme të cilat mund të na çonin në rrugë të gabuar. Jo vetëm që, për nga mosha, mund të ishte babai im, por edhe për shkak se ai ishte i martuar, kishte një grua invalide, e cila dorën në zemër, me një këmbë ishte në varr, por megjithatë ishte aty, si një vërejtje e vazhdueshme për mua. Rrija ulur në dhomën gjysmë të ndriçuar, e thelluar në mendime, derisa nga dritaret depërtonte drita e dobët nga ndriçimi i rrugës, kur dëgjova dikë duke e hapur derën e banesës sime me çelës.

Dëgjoja hapat që afroheshin te kuzhina, ku ende qëndronte e pahapur dhurata që ma kishte dhënë Muharremi. - Mendova se ende nuk kishit ardhur. Pse qëndroni kështu në errësirë, Ariana? Mendoja se dhurata ime do të të gëzonte, e ti as që e ke hapur atë. A mund ta ndezi dritën? - më pyeti me një zë të tendosur. - Po rri në terr, në mënyrë që të mendoj më mirë. Me të vërtetë jam prekur nga kujdesi juaj dhe nuk kam fjalë me të cilat do të mund t'ju falënderohesha për tërë këtë që jeni duke bërë për mua. - Do të bëja unë edhe më shumë sikur të mos i kisha duart e lidhura nga martesa, e cila ekziston vetëm në letër. Që tani do t'ju propozoja që ta kalonim jetën bashkë, që të bëheshit gruaja ime me të cilën do ta ndaja jetën… - papritmas zëri i tij filloi të dridhej dhe ai dënesi me të madhe. U ngrita, iu afrova që ta ngushëlloja me një përqafim miqësor, duke mos më shkuar mendja se, në ato momente, nga ne do të buronin emocionet të cilat deri atëherë i kishim fshehur me sukses. Në vend të përqafimit miqësor, me prekjen e trupave tonë, ndjenjat të cilat i kishim fshehur tani e një kohë të gjatë, shpërthyen, kështu që lindi një pasion e epsh i madh, i cili na çoi në shtrat, nga ku më nuk kishte kthim prapa, te qëndrimi ynë zyrtar. I tregova se e doja, e ai nuk kishte nevojë që të më bindte për dashurinë e tij ndaj meje, sepse e dija një gjë të tillë. Pas kësaj ngjarjeje të asaj nate dhjetori, ndihesha në siklet me rastin e çdo shikimi të tij, bile edhe kur ai fliste, me ç'rast në zërin e tij ndjeja dashurinë të kombinuar me epsh, sikur kur njeriu i uritur nuk mund ta fshehë dëshirën për ushqim. Muharremi ishte i etur për dashuri, sikur që edhe unë dëshiroja butësi dhe vëmendje. Pas fillimit të vitit të ri, pasi që fillova të shkoja në ligjërata, shtëpiakja më buzëqeshte në mënyrë enigmatike sa herë që më shihte, nga çka mund të konstatoja se ajo kishte marrë vesh për lidhjen tonë. Meqë punët në ndërtimtari kishin rënë, Muharremi kishte gjithnjë e më shumë kohë, kështu që shpesh rrinim bashkë në folenë tonë të dashurisë.

Kishte momente kur iu merrja lakmi kolegeve të mia në fakultet, për lirinë që e kishin, derisa pas ligjëratave shkonin bashkë me kolegët në kafene, ku gjithmonë gjenin arsye për të festuar diçka, e unë ngutesha në banesën time, e më pas në shtëpinë e Muharremit, ku më priste Nurija. Kishte të rinj që më vardiseshin, duke më propozuar lidhje, por unë evitoja çdo tentim të tillë, ashtu si i kishte hije një femre "të zënë", sikur që isha unë. Për mua ekzistonte vetëm Muharremi dhe, përkundër asaj se nuk ishim të martuar, e konsideroja veten sikur të isha gruaja e tij. (vijon)  

(Kosova Sot Online)