Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (6)

  • E.K /
  • 23 March 2021 - 15:57
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (6)

Ashtu ishte edhe atë vit, kur vajza jonë mbaroi shkollën fillore dhe u bë një adoleshente e vërtetë, e cila e adhuronte të atin. Për këtë shkak ia mbushi mendjen atij që të rrinte me neve në det, në çka e mbështetja edhe unë, duke i thënë burrit: A nuk do të ishte më me vend që të notoje me Sarën, që të paktën gjatë pushimeve të shoqëroheni, meqë për këtë nuk ke kohë kur jemi në shtëpi. Përpos kësaj, ajo është duke u përgatitur seriozisht për të garuar në not, ku ti mund t'i ndihmosh, meqë ajo thotë se ti je trajneri i saj më i mirë. Meqë jam rritur pa baba, e di se vetëm me të dy prindërit çdo fëmijë arrin vetëbesimin e vet, e sidomos me babanë, meqë ai gjatë pubertetit iu jep siguri vajzave të tij. Të mos e përmend edhe dëshirën tënde që, të paktën një verë, ta kalojmë së bashku. 

Ti po harron se paratë duhen fituar, e punët në ndërtimtari për momentin janë shumë fitimprurëse, kështu që nuk mund ta lëshoj pa e shfrytëzuar rastin e humbur gjatë krizës financiare. Natyrisht, edhe unë do të doja të pushoja, por thjesht, nuk kam kohë gjatë verës. Sapo i përmendte paratë, ma mbyllte gojën, meqë edhe unë i harxhoja paratë e tij, kështu që as në këtë rast nuk munda t'i thosha se paratë nuk janë burimi i vetëm i lumturisë. U pajtova me vendimin e tij që të kthehej në shtëpi. Edhe pse shoqet e mia ma kishin lakminë pse e kisha burrin sipërmarrës të pasur, unë hetoja se, pak nga pak, jeta ishte duke më anashkaluar. Shumë rrallë bënin dashuri, kështu që më kishte mbetur vetëm t'i kujtoja ato ditët e para, para se të martoheshim, kur Muharremi gjente kohë edhe për dashuri.

Pas mendimeve të tilla shpesh bija në depresion, prandaj që një gjë e tillë të mos më ndodhte edhe gjatë pushimeve, vendosa që kohën time të lirë ta kaloja me rekreacion, por në të thatë, meqë notin e evitoja për shkak të ngërçeve të shpeshta të këmbëve. Sapo hyja në ujë, gishtat e këmbës së djathtë m'i kapte një ngërç i dhembshëm. Zgjohesha para lindjes së diellit dhe dilja të vrapoja në një mal me pisha, afër detit. Një mëngjes, derisa isha duke ecur shpejt, më befasoi një zë i mashkullit: - A mund t'ju bashkohem? - më pyeti ai vrapues i mëngjesit, i cili u krijua disi si me magji afër meje. Ai u ndal për një moment dhe, me gojën vesh më vesh, më uroi mëngjes të mbarë. Ishte një i ri me flokë të zeza, me buzëqeshje magjike, me supe të gjera dhe me trup atletik, i veshur me rroba të holla sportive, që vraponte pa u dëgjuar, sikur ndonjë panterë. - Nëse e keni ndërmend që të vraponi, atëherë hiqni të gjitha rrobat, përpos bluzës, përkundrazi mund të djersiteni dhe të ftoheni pastaj - më këshilloi ai me njerëzi. - Ju me të vërtetë jeni shpëtimtar? - e pyeta, pasi që pashë se në bluzën e tij shkruante ashtu. 

Po, i shpëtoj notuesit të cilët mbivlerësojnë aftësitë e veta, përndryshe jam arsimtar i edukatës fizike në një shkollë të mesme. Agim më quajnë - më tha, duke ma shtrënguar dorën fort. Dhe, derisa mendoja se sa i pazakontë ishte ky vend për t'u njoftuar, ai ma preu fjalën, para se t'i prezantohesha: - Ju jeni Ariana! E njoh vajzën tuaj Sarën, e cila shoqërohet me vajzat e kampit. Përkujdesem për të, meqë shpesh noton në vende të rrezikshme larg bregdetit. Në det kryesisht e pësojnë ata më të guximshmit. E dini, detyra ime është që të përkujdesem për të gjithë notuesit. - Faleminderit për kujdesin! Edhe pse vajza ime është një notues e mirë, kurrë nuk është keq që të përkujdesemi edhe më shumë. Do t'ia tërheqë vërejtjen që të mos bëjë marrëzira. (vijon)

(Kosova Sot Online)