Roman dashurie: Ai i vërteti (4)

  • E.K /
  • 26 mars 2021 - 15:49
Roman dashurie: Ai i vërteti (4)

Trokitën gotat. Derisa pinte pijen, mendonte për atë sesi Rinori kishte teori për gjithçka, duke shpjeguar me lehtësi gjërat. Gati asnjëherë nuk ia kishte dalë që ta hidhte poshtë ndonjë qëndrim të tij. ai ishte i fortë, origjinal dhe inteligjent, por edhe tepër i bukur. Flokët e zeza, të cilat kohëve të fundit i kishte lëshuar, ia mbulonin ballin, kurse sytë e gjelbër herë-herë merrnin një shkëlqim të kaltër, sidomos kur ishte tepër i lumtur. Hunda paksa më e madhe ia jepte fytyrës së tij një ashpërsi dhe e bënte që të dukej shumë maço. E, trupi i tij, i forcuar dhe i formuar nga noti rekreativ, thjesht nuk mund të fshihej nga asnjë veshje. Të gjithë ata që i shikonin këta dy të rinj, do të thoshte se ata ishin një çift i përkryer.

Të dy dinin se çka mendonin të tjerët për ta, por natyrisht, këtë nuk e thoshin, nga frika se një ditë njerëzit mund ta mendonin të kundërtën - se nuk përshtaten me njëri-tjetrin, meqë janë si i bukuri dhe bisha. - A do të punosh nesër? - Po. Kam punë rreth rregullimit të kontratës me një kompani ruse. Nëse këtë e përfundoj si duhet, atëherë kompania ime do ta ketë një teknologji të re, ku pastaj do të shohësh çfarë kullash do të ndërtojmë. Buzëqeshën që të dy. Rinori ishte njëri ndër pronarët e kompanisë e cila merrej me ndërtimtari, e përndryshe e kishte mbaruar arkitekturën. Aftësitë dhe gjindshmëria e tij, por edhe sharmi, bënin që ai me lehtësi të merrte punë, kështu që tani, në moshën 30-vjeçare, ishte mjaft i pasur sa që të mund t'i lejonte vetes shumëçka. Doruntina punonte në një bankë dhe kishte rrogë të mirë.

Edhe pse Rinori me vite të tëra kishte insistuar që ta punësonte në kompaninë e tij, ku do të fitonte sa dyfishi i asaj që fitonte në bankë, ajo e refuzonte një gjë të tillë me vendosmëri. Në fillim kishte frikë se ai i ofronte punë vetëm pse e mëshironte, e më pas kuptoi se, problemet eventuale në punë, do të mund të ndikonin negativisht në lidhjen e tyre.

KAPITULLI I TRETË

Pasi që mbaroi diskutimi rreth pagimit të faturave me fitoren e Rinorit, i cili gjithmonë i thoshte asaj se nuk ndihej mashkull nëse ajo, si femër, do të paguante, ata dolën nga restoranti. Jashtë ishte natë, yjet ishin të shpërndara në qiell, e hëna ishte e qartë dhe thuajse, e plotë. - Hëngra mirë. Ku e ke parkuar veturën? Një rrugë më poshtë, këtu nuk kishte vend. - Unë jam këtu, në skaj, por do të të përcjell deri te vetura. Edhe pse nuk frikësohej që të ecte e vetme rrugëve, e dinte se asnjë refuzim nuk do ta ndryshonte vendimin prej xhentëlmeni të Rinorit. Ecnin ngadalë njëri afër tjetrit, ku heshtjen e thyente vetëm zhurma e takave në trotuar. - Çka ke planifikuar për pushimet verore? 

Ende asgjë. Nuk e di a do të shkoj diku, apo do të rri në shtëpi. E, ti? - As unë nuk kam vendosur ende. Është hera e parë që muaji qershor më gjen pa ndonjë femër me të cilën do të rrezitesha në plazh. Me të vërtetë Rinori tetë vitet e fundit kishte kaluar pushimet verore në një mënyrë të ngjashme dhe, sikur që i pëlqente atij të thoshte, kishte veruar me dy pjesë. Së pari shkonte me të dashurën e çastit në ndonjë udhëtim ekzotik, e më pas, kah fundi i gushtit, me dy shokët e tij, që i kishte edhe bashkëpronarë të kompanisë së tij, shkonte diku ku mund të relaksoheshin, që të bënin çka t'u binte ndërmend dhe që t'i tradhtonin që të gjithë, me përjashtim të vetvetes. - Ka kohë. do ta gjesh ti ndonjë! Jam e sigurt se, të paktën, dhjetë vajza janë duke pritur thirrjen tënde.

(Kosova Sot Online)