Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (11)

  • A.P /
  • 28 March 2021 - 14:53
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (11)

Kur më arriti telegrami se do të vinte, isha krejtësisht e qetësuar dhe e gatshme për t'u takuar me vajzën të cilën nuk e kisha parë tërë këto vite. Më nuk i frikohesha shikimit të ashpër të saj. Ajo më nuk ishte ajo vajza e lënduar, në mendimet e së cilës nëna e saj do të duhej të ishte ideale, e pagabueshme. Tani edhe ajo ishte grua e cila edhe vetë e kishte shijuar jetën, prandaj me gjasë kishte kuptuar se gabimet janë për njerëz. Me mendime të tilla prisja ardhjen e vajzës sime. E pashë duke dalë nga taksia. E gjatë dhe me trup të përdredhur, me një qëndrim paksa të shtanguar, më dukej si e huaj. E hapa derën para se ajo t'i binte ziles.

- Mirëdita! - i thash duke ia zgjatur dorën, duke mos treguar qëllim që të më përqafonte. Meqë ajo gjatë bisedës nuk e përdori fjalën "nënë" edhe ajo ia ktheu në të njëjtën mënyrë. Ajo e kishte zërin e lartë, me një theks të huaj. Në fytyrë nuk mund t'i lexohej asgjë, përpos sikletit. Pasi që këmbyem disa pyetje kurtuazie, biseda ngeci, e meqë që më parë kisha vendosur që asaj t'ia lija përzgjedhjen e temave, unë nuk i imponoja asgjë. - Po shoh se asgjë nuk keni ndryshuar në shtëpi - ishte vërejtja e saj e parë që e bëri. - Po, gjithçka është njësoj përpos neve. Muharremi ishte shkatërruar me shpejtësi prej se ishte prekur nga sëmundja. - Në ditët e sotme mosha shtatëdhjetë vjeçare nuk nënkupton vdekjen. Prisja që ai ta priste të paktën ditëlindjen e nëntëdhjetë - tha ajo, duke pirë pijen e saj. - Më duket se, pasi që doli në pension, nuk kishte motivim për jetë. Kurrë nuk e kishte tejkaluar largimin tënd! Këtë e dija edhe pse asnjëherë nuk e kishim hapur këtë temë. Më duket se nga mërzia edhe u sëmur. Për të gjitha të kam shkruar gjerë e gjatë, por dua që të ta përsëris vetëm këtë: "Babai yt ishte një njeri i mrekullueshëm". Në fytyrën e Sarës u paraqit një buzëqeshje e ngrirë, prandaj me naivitet mendova se do ta tejkalonim hendekun i cili na ndante. Por, fjalët e saj menjëherë më demantuan. - Njeri i mrekullueshëm?! Vallë pret që të më bindësh në këtë që thua? - Jo, nuk dua të të bind. Sikur të doje ta njihje, nuk do të largoheshe nga shtëpia jote - iu përgjigja në një mënyrë më të ashpër sesa që kisha planifikuar. Dukej sikur Sara kënaqej me zemërimin tim. Më shikonte nëpërmes tymit të cigares, duke qeshur me cinizëm sa herë që përmendja emrin e babait të saj. - Rendi e do që ta vizitoj varrin e babait para se të shkojmë te avokati, në lidhje me trashëgiminë. Nuk dua që të grindemi në lidhje me pasurinë.

- Si të duash! Mund të vij edhe unë me ty - i thashë. - Do të shkoj e vetme. Disa gjëra na duhet që t'i bëjmë pa praninë e tjetërkujt. - Ke të drejtë - thashë, duke menduar se te varri i babait të saj ajo do të kërkonte falje nga ai. Por, disponimi i saj nuk ndryshoi as pasi që u kthye nga varrezat. Me njerëzi mu falënderua kur i ofrova drekë, duke ma bërë me dije se nuk donte të merrte asgjë nga unë, se kishte ardhur ta merrte vetëm atë që i takonte me ligj. Me padurim priste shkuarjen në zyrën e avokatit tonë, për t'i rregulluar formalitetet rreth trashëgimisë, meqë do të largohej nga vendi po atë ditë. Fakti se ajo nuk donte ta kalonte natën në shtëpinë ku kishte lindur, më lëndonte pa masë, por meqë e dija se ajo donte të më shihte ashtu, të lënduar, nuk i thash asgjë, për të mos i dhënë mundësi që të më lëndonte edhe më shumë. - Keni bërë mirë që shitët shtëpinë dhe banesën në bregdet, meqë paratë e gatshme do të jenë të mirëseardhura për mua, e sa i përket gjysmës së vilës, e cila më ka takuar, nuk jam e interesuar, prandaj do të heqë dorë zyrtarisht nga ajo. Ti me të vërtetë e ke merituar - më tha para se të largohej. - Më fal, Sara, a mundesh që, të paktën, të më tregosh a je martuar, a ke familje? - Familje nuk kam, por nuk jetoj vetëm. Jetoj me një mikeshë - më tha me një buzëqeshje sfiduese. (vijon)  

(Kosova Sot Online)