Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (2)

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (2)

I ati po i mungonte, e mua më kishte vetëm gjatë orës së mbrëmjes, kur arrija në shtëpi e lodhur nga puna. Mirëpo, gjithmonë kam gjetur durim dhe dashuri ta dëgjoja se çfarë e mundonte dhe ta ndajë me të lumturinë e dashurisë së parë. Sot ajo është një grua e pjekur e cila me dëshirë kujton ato bisedat e mbrëmjeve që i kalonim. Është në lidhje të gjatë me Skënderin dhe me sa duket asgjë nuk mundet t'ju dalë përballë në lumturinë e tyre. Mirëpo, më tmerronin mendimet se do të duhej të udhëtoja në pjesën tjetër të botës, sepse edhe më tutje dëshiroja t'i qëndroj pranë. Edhe pse shumë shpejt duhej martuar, gjithmonë do të ketë nevojë për mua. Si do të mund ta braktisja kur pikërisht në momentet e para të martesës kishte nevojë për këshilla, po mendoja. Më dukej si puna më e mençur që vetes sime t'i jap pak kohë dhe gjatë asaj kohe sa do të qëndroj në fshat të marr vendim.

Jam dashuruar në atë ambient porsa kam shkuar: natyra, livadhet dhe fushat ishin të hatashme, vila e paimagjinueshme, e ndërtuar sipas stilit malor dhe e rrethuar me lule. Kaltrina, nëna e dhëndrit të ardhshëm, më pranoi përzemërsisht. - Jam e lumtur për faktin që Skënderin dhe Meritën shumë shpejtë do t'i martoj. Çfarë mendoni që pikërisht martesën ta bëjmë këtu - më pyeti. - Nuk kam menduar për diçka të tillë, por më duket si ide e mirë - u përgjigja. Nuk kam pritur që përnjëherë do të bisedojmë për martesën dhe dasmën dhe organizimin e saj, pasi që fëmijët ende nuk na kishin dhënë një datë të saktë.

Me siguri se Kaltrina ishte më e ngazëllyer se sa unë megjithëse të dy ne po martonim fëmijët dhe të dy ne po ndiheshim se si fëmijët na janë strukur pranë nesh. Por, kjo ishte dita kur fëmijët tanë ishin rritur, e ndoshta unë isha më reale se sa Kaltrina, ndërsa që planet e tyre për jetë të përbashkët dhe largimin e tyre nga shtëpitë tona i kam pranuar në qetësi, si diçka të zakonshme. Nuk po insistoja sikurse ajo që martesa të bëhej sa më parë, as nuk dashur që fëmijët të largohen sa më shpejtë prej nesh. Gjatë drekës, të dyja ne jemi kënaqur derisa po shikonim Meritën dhe Skënderin se si po shkëmbenin shikime të dashuruarish. - Nuk kemi vendosur ende asgjë.

Gjithçka do të varet nga obligimet tona të punës. Pos kësaj, ende nuk kemi gjetur as banesë në të cilën do të jetojmë - na thanë fëmijët, kur i pyeti Kaltrina se ku do të shkojnë për muajin e mjaltit. - Do të duhej të nxitonit. Do të mund ta organizonim martesën deri në fund të verës, kur koha është e mirë dhe mund t'i presim mysafirët në kopsht - Kaltrina me të vërtetë ishte e padurueshme. Fëmijët na u përgjigjën se si ishin marrë vesh që martesa e tyre të ndodh të shtunën e fundit të muajit korrik, por e thanë se nuk dëshirojnë dasmë të madhe, por vetëm një darkë modeste pas aktit zyrtar, ku do të ftoheshin anëtarët e ngushtë të familjes.

Pasi që ishim në muajin maj, Kaltrina nuk po mund të kuptonte pse ata po prisnin deri në korrik, përkatësisht pse nuk po martoheshin më shpejtë, sipas mundësie në fillim të muajit qershor. Ua shtroi edhe një pyetje, duke u munduar që të ndikonte në ta që martesën ta përshpejtojnë dhe ta ndryshojnë vendimin e tyre. Askush nuk e kishte të qartë pse gjithë ky insistim i saj. Insistimi i saj po i shkonte në nerva Meritës, e cila u ngrit nga tavolina me arsyetimin se po merr diçka në veturë. Vëllai i vërejti zemërimin tonë kështu që bisedën e dërgoi në drejtim tjetër. - Skënder, Merita më tha se keni një sallon unikat të qeramikës - m'u drejtua. - Po, veprat e tij janë të hatashme, por, për fat të keq, nuk po shiten mirë. Njerëzit vijnë, shikojnë me interesim, por nuk kanë të holla t'i blejnë - u përgjigja dhe të gjithëve ju bëra ftesë të vijnë dhe ta vizitojnë sallonin tonë. - Me dëshirë do të vij, së bashku me bijtë e mi. Ndoshta gjen diçka që ju përshtatet mirë nëpër shtëpitë e tyre - më buzëqeshi. (vijon)

(Kosova Sot Online)