Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (3)

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 15:44
Ngjarje e vërtetë: Dhëndri im i ardhshëm është tradhtar (3)

U ngritëm dhe shkuam në kopsht për të pirë diçka. Dita ishte me diell, një ditë e vërtetë pranverore dhe do të ishte dëm që ta kalonim midis katër mureve. Derisa rrinim rehat në garniturën e kopshtit duke biseduar rreth fëmijëve tanë dhe ardhmërisë së tyre, papritmas dëgjuam galopin e kuajve. Shpejt te ne me kalë erdhi një femër e re, e bukur. - Kjo është Blerta, fqinja jonë. Që nga fëmijëria merret me kalërim dhe dikur fitonte medalje të shumta nëpër gara - na njoftoi Muharremi, pasi që e lidhi kalin në gardhin tonë dhe u nis kah tavolina. Ishte me të vërtetë e bukur.

E gjatë, me flokë të drejta, të verdha, thjesht shkëlqente në diell, e sytë e saj të kaltër dukeshin disi të trishtueshëm. Është tepër serioze për vitet që ka dhe, disi e ftohtë, ishte mendimi im i parë për të, pasi që e pash për së afërmi. Blerta megjithatë, nuk i kushtonte vëmendje askujt nga ne. Rrinte ulur pranë Skënderit dhe e pyeti: - Si je? - Për mrekulli, meqë jam me të fejuarën time - u përgjigj duke qeshur dhe menjëherë e përqafoi Meritën. - Jemi duke u marrë vesh rreth martesës - u kyç Kaltrina. - Atëherë po shkoj unë, nuk dua që t'ju pengoj.

Skënder, ti e di se ku mund të më gjesh pasi që të përfundoni - tha disi me shenja, gjë që te unë ngjalli një dyshim të fortë. I hipi kalit të vet dhe u largua me shpejtësi. Sjellja e saj ishte shumë e pazakonshme, për të mos thënë e pasjellshme. Ashtu nuk sillet një vajzë e cila është vetëm fqinje, apo shoqe e fëmijërisë, mendova dhe fillova të shqetësohesha. Meqë familja e Skënderit kësaj nuk i kushtoi fare vëmendje, këtë e komentova si sjellje të një vajze tekanjoze dhe vazhdova që të bisedoja me të tjerët.

Pas kafes shkuam për ta vizituar një pallat, aty afër. Muharremi vazhdimisht na fliste rreth historisë së atij pallati, rreth fatit të pronarëve të tij dhe, pas një pasditeje me të vërtetë mbresëlënëse, e cila me imagjinatë na ktheu në mesjetë, dolëm për pije në një restorant, aty afër. - Vetëm në atë pallat dhe në vilën tonë ndihem me të vërtetë i qetë - më tha Muharremi pasi që mbetëm vetëm, meqë Kaltrina dhe fëmijët tanë shkuan për ta shikuar vendin ku pronarët e restorantit mbanin peshqit. Ai vazhdoi që të më thoshte sesi, pas vdekjes së të shoqes, për një kohë të gjatë kishte qenë i shqetësuar, sesi më nuk mund të jetonte në banesën e tyre në qytet, meqë çdo imtësi ia kujtonte atë.

Për këtë shkak kishte vendosur që të largohej nga qyteti dhe të vinte në fshat. Kishte blerë një truall afër vilës së tyre familjare dhe kishte ndërtuar një shtëpi të vogël. E qetësonin shëtitjet e gjata në natyrë, e rregullimi i oborrit ia zvogëlonte dhembjen. - Kujtime të tepërta, ku që të gjitha janë të dhembshme. Sikur është ndalur koha atë moment kur mbeta pa të - më tha, derisa sytë iu mbushën me lot. Në atë moment mendova sesi të dy ne kishim përjetuar një periudhë të dhembshme në jetë, plot gjëra të këqija dhe lot dhe, për një moment, e përjetova si dikë tepër të afërt. Edhe unë fillova t'i flisja atij rreth jetës sime, për ish burrin tim, i cili më kishte braktisur për të shkuar me sekretaren e tij të re, për Pleuratin dhe vendimin të cilin duhej ta merrja.

Nuk vonoi shumë e ne të dy bisedonim si dy miq të vjetër, ku unë e dija se ai kuptonte krejt çka i thosha, se e ndante me mua tërë mërzinë e kësaj bote. Atë mbrëmje thirri edhe Pleurati. - Si është në fshat? - pyeti, duke u munduar që të tingëllonte i gëzuar. E dija se ai nuk më kishte thirrur për të ma bërë atë pyetje. Donte ta dinte se çka kisha vendosur edhe pse nuk ma bënte direkt atë pyetje. Me asnjë rast nuk e përmendi Japoninë dhe këtë ia dita për nder. Me gjasë nuk donte të më nguste në vendimin tim, por ishte tepër i padurueshëm sa që të priste derisa të kthehesha në shtëpi, për t'i treguar se çka kisha vendosur. (vijon)

(Kosova Sot Online)