Roman dashurie: Ai i vërteti (16)

  • E.K /
  • 08 April 2021 - 15:44
Roman dashurie: Ai i vërteti (16)

Dhe, kurrë më nuk do të flas për ty në lidhje me këtë temë, nga ky moment fjalët tua nuk më interesojnë, nuk kanë rëndësi për mua as mendimet tua, e as ndjenjat, besa. Nuk dua që me të vërtetë të mendoj sesi jam fajtore për atë që ti mendon se e ke shkatërruar jetën. Nuk më intereson asgjë nga kjo. Plaka filloi ta shtrëngonte zemrën. Për një moment Doruntina me të vërtetë u frikësua se mund t'i binte të fikët asaj, por pasi që pa se e ëma filloi të fliste, iu hiq frika dhe pa se nuk kishte rrezik, të paktën aty për aty. Ky ishte vetëm një trik i saj.

Derisa ishte fëmijë, sa herë që ia thoshte nënës ndonjë dëshirë, apo ide, të cilat e kishin origjinën nga natyra e saj femërore, ajo e kapte gjoksin dhe kukaste. Një kohë të gjatë Doruntina kishte frikë nga ato momente, por tani e dinte se bëhej fjalë vetëm për një blof të shëmtuar. - Oh, zemra! A dëshiron të më bie pika në zemër? A dëshiron që të vdes, në mënyrë që të të mos pengoj më? Këtë e do ti, e di unë. Doruntina u kthye dhe shkoi në dhomën e vet. Edhe pse nëna vazhdoi që të bërtiste, ajo nuk i kushtonte vëmendje. E mbylli derën dhe vendosi që të shtrihej, edhe pse nuk e kishte hequr ende grimin. Përsëri e kishte ndjenjën sesi, për një kohë të shkurtër, i ishin përzier ndjenjat krejtësisht të kundërta. Tani donte vetëm që të mendonte rreth Drenit, rreth kërkesës së tij që të takoheshin edhe nesër, rreth asaj se sa me fat ishte që e kishte takuar. Por, sado që mundohej, nuk mund t'i largonte nga mendja nënën, e herë-herë edhe Rinorin.

KAPITULLI I TREMBËDHJETË

Mund të thuhet se, ditëve në vijim, Doruntina u dashurua me të vërtetë. Nuk mundej që ta largonte nga mendja Drenin. Ai e kishte magjepsur. I dërgonte shpesh mesazhe plot fjalë të mira, sesi priste një takim të ri, e për t'u takuar, takoheshin çdo natë. Kishte nevojë që vazhdimisht të ishte në shoqëri të tij, meqë e bënte të qeshte dhe të kënaqej tej mase. Bile as ftohtësia që mbretëronte në raportin e saj me të ëmën nuk mund t'ia prishte disponimin e mirë. Kënaqej tej mase, u njoftua me shoqërinë e tij të paktë, por besnike, që përbëhej nga dy çifte dhe nga njëfarë djali shtatshkurtër.

Me ta e kalonin natën, por më së shumti asaj i pëlqente kur mbetej vetëm me Drenin, kur mund ta puthte sa të donte. Por, nuk e kalonin kufirin e ledhatimeve, por jo pse këtë gjë nuk e donte ndonjëri nga ta, por për shkak se që të dy dëshironin që seksi i tyre i parë të bëhej në ndonjë vend të rehatshëm, ku përfundimisht do ta merrnin vesh a ishin edhe fizikisht për njëri-tjetrin. Vëllai i Drenit ishte një person i tërhequr i cili rrallëherë dilte nga banesa e përbashkët, vetëm qëndronte në kompjuter dhe shoqërohej me njerëz të panjohur me anë të tastierës. Për këtë shkak, dy të dashuruarit nuk kishin pasur rastin që të rrinin vetëm në banesë. Natyrisht, as Doruntina nuk mund ta çonte Drenin në shtëpinë e vet. Në fakt, përpos Rinorit, ajo kurrë nuk kishte çuar asnjë mashkull tjetër në shtëpi, meqë e dinte se e ëma do ta qortonte si mos më keq.

Rreth Rinorit mendonte herë pas here, thjesht i binte ndërmend ashtu, papritmas. Ndjente frikë se miqësia e tyre do të mund të mbaronte përnjëherë. Së pari dështoi verimi i përbashkët me fajin e tij, e më pas ajo njoftoi Drenin dhe në tërësi la pas dore mikun. Në fakt, as ai më nuk i dërgonte mesazhe dhe nuk e thërriste, e kur erdhi dita e kthimit të tij nga pushimet, ajo priste që ai të shkonte te ajo, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Pa marrë parasysh se sa i vinte keq për një gjë të tillë, i duhej që të pranonte se kishte qenë ai që e kishte tradhtuar së pari, kur në vend se me të, në pushime kishte shkuar me ish të dashurën. (vijon)

(Kosova Sot Online)