Roman dashurie: Ai i vërteti (17)

  • E.K /
  • 09 April 2021 - 15:46
Roman dashurie: Ai i vërteti (17)

KAPITULLI I KATËRMBËDHJETË

Kaluan dy javë prej se Rinori u kthye nga pushimet. Ishte e shtunë dhe Doruntina pasdite rrinte në tarracë, duke dëgjuar zhurmën e rrugës dhe duke shikuar sesi luanin fëmijët në parkun përtej rrugës. Një fëmijë me mbipeshë qëndronte anash. Ai disa herë tentoi që t'iu bashkohej të tjerëve në lojë, por ata e injoruan dhe ai u tërhoq. Por, pas disa minutave sërish tentoi që t'iu bashkëngjitej në lojë. Doruntinës i dhimbsej ai djalë, meqë e paramendonte veten në vendin e tij. Ashtu edhe ajo ishte ndier kur ishte në moshën e tij, por ai të paktën ishte djalë, apo të paktën ashtu dukej, prandaj mendonte se, një ditë, ai do të vuante më pak nga ajo. E dëgjoi nënën duke e hequr bukën.

Doruntina kishte hëngër më parë, pasi që vetë e kishte përgatitur ushqimin, e më pas hëngri edhe plaka. Kështu hanin prej se ishin grindur, e Doruntina tanimë ishte mësuar me atë atmosferë në shtëpi. Megjithatë, disponimi i saj i keq kishte edhe një arsye tjetër edhe pse e qortonte shpesh veten, duke thënë se nuk kishte nevojë të sillej si ndonjë adoleshente e llastuar, duke shkaktuar probleme aty ku nuk kishte. Në fakt, atë pasdite e kishte thirrur Dreni dhe i kishte thënë se, atë ditë nuk do të mund të takoheshin, pasi që e kishin ftuar prindërit për darkë.

Ata e festonin përvjetorin e martesës. Natyrisht, ajo i tha se e kuptonte dhe se do të ishte çdo gjë në rregull edhe nëse nuk takoheshin një ditë, por pasi që e mbylli telefonin, ndjeu një boshllëk në shpirt. Pa marrë parasysh sa e dinte se një gjë e tillë ishte shenjë e egoizmit, i duhej që të ballafaqohej edhe me realitetin se ishte mësuar tepër shumë me të. mendonte sesi të mos vuante herën tjetër, kur ai do t'i thotë se nuk do të mund të dalin. E kishin tepruar me atë se sa shumë rrinin bashkë, këtë e kishte ditur ajo edhe para asaj të shtune, por nuk guxonte që të mendonte se si do të ishte, po të ishin gjërat ndryshe. E tani, e ballafaquar me faktin se këtë natë do ta kalonte pa të, e vetme, në shtëpi, me nënën me të cilën nuk fliste, i dukej sikur do të shkatërrohej.

Që tani e ndjente mungesën e Drenit. Një vajzë iu bashkua fëmijëve në lojë, gjë që e inkurajoi edhe djaloshin e trashë që të tentonte edhe një herë t'i bashkohej grupit, por ata përsëri e injoruan. Por, më pas, ndodhi diçka e papritur. Me zë të lartë, që mbërrinte edhe deri te Doruntina, ajo filloi ta mbronte djalin e gjorë. Më pas, ajo u nda nga grupi dhe filloi të luante me djaloshin e trashë, i cili u skuq nga kënaqësia. Po, ata ishin ajo dhe Rinori, të vendosur në një dimension tjetër dhe me gjini të kundërta. Rinori, shoku i saj... Nuk u hamend tepër. Mori telefonin dhe e solli numrin e tij. Sapo u lajmërua, ajo pa se ai ishte i zemëruar në të. Nga zëri i dilte njëfarë indiference e qëllimshme.

Por, Doruntina vendosi që të shtirej kinse nuk e kishte vërejtur këtë. - Alo? - Hej, më ke harruar krejt, more? Unë prisja që të më thërrisje pasi që u ktheve nga pushimet, por më kot. Mos je martuar gjatë pushimeve verore, e tani je ende në muaj të mjaltit? - Sikur të isha martuar në atë mënyrë, a do të ta pranoja tani, a? - Pse jo?! Ne jemi miq. Çka je duke bërë? - Asgjë. Pse? Asaj iu bë një duq në fyt, por megjithatë vendosi që të vazhdonte. - Thash me vete, nëse nuk ke ndonjë plan, të takohemi dhe ta pimë nga një kafe. Më ke munguar. - Po, a?! E, kush do të thoshte! Me gjasë je ndarë nga ai i dashuri yt, apo t'u ka mërzitë, prandaj më thërret mua, vetëm sa për ta kaluar kohën. (vijon)

(Kosova Sot Online)