Roman dashurie: Ai i vërteti (23)

  • E.K /
  • 15 April 2021 - 15:47
Roman dashurie: Ai i vërteti (23)

Shko tani të flesh. Nuk do të grindemi më, Doruntina. E di se fajin e kam unë dhe këtë më duhet ta rregulloj. Më fal që kisha dyshuar në ty. - Nuk ka lidhje. Ti je princi im, Rinori im. Buzëqeshi dhe mi lëmoi flokët, e shikimi i tij ma bënte me dije se, midis nesh, çdo gjë përsëri do të ishte sikur më parë. - Jam, i tillë jam! Ndonjëherë edhe më shumë sesa që do të duhej! Hajde, shko tani! Ai e puthi në faqe, edhe pse ajo më shumë donte që të merrte nga ai një shpjegim të asaj që sapo i tha dhe të asaj shprehjeje gjysmë të trishtuar të fytyrës së tij. Por, ai tanimë ishte larguar dhe ishte duke shkuar te vetura e vet.

E ndezi veturën, e hapi xhamin, doli nga parkingu dhe ngadalë kaloi pranë Rinorit. E përshëndeti me një të rënë të shkurtër të sirenës.Por, më pas e dëgjoi dikë ta thërriste dhe para vetes pa një njeri duke dalë nga automobili. - Doruntina, prit! Qe sa erdha. Rinori i shikoi dhe i picërroi sytë duke e analizuar Doruntinën. Edhe ajo e shikoi atë, por vetëm për aq kohë sa iu desh atij që të kuptonte se çka ishte duke ndodhur dhe të largohej.

KAPITULLI I NËNTËMBËDHJETË

Ia zinte shumë për të madhe Drenit që kishte ardhur te restoranti. Sa nuk i bërtiti, por Dreni dinte të heshtte dhe të dëgjonte, kështu që nuk iu desh të grindej me të. i dukej se do të ndihej më mirë sikur Dreni të ishte më i zemëruar, t'i thoshte sesi kishte të drejtë për të vepruar ashtu, sikur t'i kishte bërtitur pse ajo nuk i kishte telefonuar në kohën e caktuar, si dhe pse nuk kishte shkuar derisa ai e kishte pritur. Kështu, derisa ai e dëgjonte me vëmendje, vetëm duke pohuar me kokë, bënte që ajo të ishte e detyruar të hiqte dorë nga grindja. Vetëm iu kërcënua se do ta linte menjëherë nëse edhe një herë tjetër do t'i binte ndërmend për ta bërë një gjë të tillë.

Gjatë 24 orëve të ardhshme nuk mundi që ta merrte në lidhje Rinonin. Në fakt, lidhja hynte, por ai nuk e hapte telefonin. Ia dërgoi edhe disa mesazhe, për ta zbutur paksa, por ë-ë! Doruntina e dinte se tani ishte e pamundur që t'i përmirësonte raportet me të. Rinori ishte tepër krenar dhe kurrë nuk ia falte askujt dy herë gabimin e njëjtë. Kësaj here me të drejtë ndihej fajtore për shkak se shokut të saj të ngushtë ia kishte thënë një rrenë banale. Kur pa se ishte e kotë t'i telefononte, vendosi që të shkonte personalisht te ai. Llogariste se, rreth orës gjashtë të mbrëmjes, ai duhej të ishte në shtëpi, kështu që pasi përfundoi punën, nuk u kthye në shtëpi, por doli që të shëtiste nëpër qytet, me ç'rast bleu disa palë këpucë, para se të shkonte te banesa e tij. Përpara banesës bari ishte i shkurtuar, gjë që ta bënte të kuptoje se ishte dikush që përkujdesej për mirëmbajtjen e tij. U ndal para numrit 25.

Roletat në katin e dytë ishin të lëshuara. Kjo donte të thoshte se, me gjasë, ai nuk ishte aty, e as automobilin nuk ia shihte gjëkundi. Në katin përdhes dhe në katin e parë, ku zakonisht Rinori mbante qiraxhinj, dukej se për momentin nuk jetonte kush. Por, përkundër kësaj, ajo vendosi që t'i binte ziles, që të ishte më e sigurt. Pasi që nuk iu përgjigj askush, e dëshpëruar u ul në shkallët para ndërtesës, duke e mbështetur kokën për rrethojën e metaltë. Vendosi që ta priste. Njerëzit kalonin, si këmbësorë dhe me vetura, ku shumë prej tyre nuk iu ikte pamja e një femre të bukur, këmbëgjatë, të ulur në shkallë, me shikimin e fiksuar diku larg. Por, ajo nuk e vërente askënd. I duhej që ta priste shokun e saj më të mirë, meqë nuk mund t'ia lejonte vetes që ta humbte atë edhe pse kishte frikë se tanimë ishte vonë për një gjë të tillë. (vijon)

(Kosova Sot Online)