Na bashkoi macja e fqinjit (1)

  • E.K /
  • 17 April 2021 - 16:45
Na bashkoi macja e fqinjit (1)

Me 18 vjet a beson se je në gjendje të puthësh, të dashurosh, të pushtosh dikë, të pamundurën që ta bësh të mundur, dhe me lëvizje të vogla ta ndryshosh botën. As unë nuk e kam besuar këtë. Kam besuar te njerëzit, mundësitë, gjërat e duhura që më presin pikërisht mua. Kam përfunduar shkollën e mesme, hyra në punë si frizere dhe me lumturi po kënaqesha në secilën ditë që zbardhte. Po jetoja pa asnjë ngarkesë prej prindërve të mi, po ëndërroja ëndrrat e mija, dhe po e prisja princin e bukur me kalë të bardhë. E më pas, njëherë, në një moment, e kam kuptuar se bota nuk është krejt vjollcë, ashtu siç e kisha paramenduar unë. - Diana, të ka ardhur koha të martohesh - me këto fjalë babai kishte filluar bisedën e mundimshme. Unë fillova të qesh, duke mos më shkuar mendja se çfarë do të dëgjoja atë natë.

Kjo nuk është aspak për t'u qeshur. Koha po të kalon. Shikoji të gjitha shoqet tua, ato tashmë janë martuar - më tha ai. - E di, por ato janë përcaktuar për një jetë të tillë. Unë nuk jam e tillë. E kam përfunduar shkollën, punoj, po fitoj të holla. - Do të duhej të ishe si ato - tha me zërin e tij plot hidhërim. - Nuk po e kuptoj se çfarë dëshiron të më thuash. A mos nuk ishe ti vallë ai që më ke shtyrë ta përfundoj shkollën e mesme dhe të jem e pavarur - u habita unë dhe e pyeta kështu. - Po, ashtu - mu përgjigj shkurt. - Nuk po e kuptoj pra se ku po na çon kjo bisedë - shikova ashtu duke qeshur dhe me shpresë se këtij tregimi i erdhi fundi. - Ne kemi shumë borxhe - tha në heshtje babai. Buka më mbeti në fyt.

Në borxhe, çfarë do të thotë kjo tani? Çfarë është kjo - pyeta e brengosur. - Do të thotë se shumë shpejt do ta humbasim shtëpinë po nuk na ndihmove - zëri i babait sa po vinte e po heshtej. - Diana, duhet të na ndihmosh - përfundimisht u lajmërua e gjallë edhe nëna. - Natyrisht, porsa ta marr pagën. - Kjo nuk mjafton. Na nevojiten shumë më shumë se pagat tua për t'u nxjerrë nga kjo - filloi ajo të më shpjegonte. - Nuk ka problem, do t'ju jap të gjitha të hollat e mia derisa të nxirremi. - Diana, vallë nuk po e kupton? Ne nuk mund të presim aq gjatë. Babai yt ka investuar krejt çfarë kemi pasur, madje ka humbur të hollat për punën që kishte. Duhet përnjëherë të bëjmë diçka, në të kundërtën do të përfundojmë në rrugë. - Nuk po kuptoj - me të vërtetë isha e hutuar. - A e di atë tokën me pemë? Këtë e ka blerë babai, por ato janë dëmtuar dhe sivjet nuk mund të fitojmë gjë prej tyre. Kemi shumë të holla borxh që duhet t'i kthejmë.

Kujt? - Babait të Taulantit. - Ai është njeri i mirë. Jam e sigurt se do të pret derisa t'i grumbullojmë të hollat. Ai është njeri me pushtet dhe nuk do të ketë probleme - po provoja t'i inkurajoj ata duke mos e kuptuar se çfarë kishte bërë babai im. - Jo, ai nuk mundet të presë. Tashmë më shumë se një vit ka kaluar afati për t'ia kthyer të hollat, por as viti i kaluar e as ky vit nuk ishin me bereqet. Duhet t'ia kthejmë të hollat - këtu u ndal nëna ime dhe më shikoi me ngulm. - Ose… - ia përsërita. - Ose ti do të martohesh me Taulantin dhe kështu do të na shpëtosh ne - përsëri u kyç babi në bisedë. Koka ime po më sillej vërdallë. Kjo ishte e tepërt. -Ai është mundësi e artë. Gjatë gjithë jetësh do të jesh e siguruar. Nuk ke pse të shkosh në sallonin për firzere dhe të presësh pagën, e do të jetosh si zonjë - po mundohej nëna ta zbukuronte situatën.

Ai është i lig, i plogësht. Kurrë në jetë nuk do të martohem me të dhe nuk dua të jam zonjë - u thashë me nxitim. - Atëherë të gjithë së bashku do të përfundojmë në rrugë - u zemërua babai, u ngrit nga tavolina dhe shkoi në dhomë. Me habi po e shikoja nënën. - Nuk e keni seriozisht apo jo - mu desh edhe njëherë ta dëgjoja përgjigjen. - Ky na është shpëtimi i vetëm. - Edhe nëse do të pranoja unë këtë, si e dini ju se Taulanti do ta pranonte këtë - po më interesonte mua. - Këtë na e ka thënë babai i tij. Taulanti që nga fëmijëria ishte i dashuruar në ty dhe ai ia ka propozuar babait këtë zgjidhje. - Do të thotë që ju për të gjitha jeni marrë vesh - pyeta unë ashtu me zemërim. Nëna heshti, e në mua mundimi po shtohej. U ngrita nga tavolina dhe shkova në dhomën time. Nëpër kokë po më qarkullonin fjalët e tyre. (vijon)

(Kosova Sot Online)