Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (2)

  • G.G /
  • 22 April 2021 - 12:03
Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (2)

Nuk jam dashuruar aq shumë herë sa që të mund ta thosha këtë me saktësi, por meshkujt kryesisht kishin frikë që t'ia fillonin lidhjes me një femër, burri i së cilës ishte në dijeni për atë femër. Mashtrimi, ai mashtrimi klasik, kur partnerët bashkëshortorë fshehin nga njëri-tjetri lidhjen e tyre jashtëmartesore, për mua as që vinte në shprehje. Por, meshkujt, kushedi pse, frikësoheshin nga një gjë e tillë. Qesharake dhe absurde, por ata nuk kishin frikë të dashuronin tinëz, e haptazi, po.

Askush kurrë nuk kishte arritur të kuptonte pse një person e tërheqë tjetrin, pse dhe si zhvillohet kjo "kimi", meqë me siguri përgjigja nuk qëndron as te arsimimi, gjendja materiale, apo te ndonjë gjë tjetër, e ngjashme. Nga e tërë kjo, duket se rëndësinë më të madhe e ka ajo shkëndija e parë, e cila shpërthen papritmas. E mua, Luani më kishte joshur që nga fillimi.

Tepër shumë. Sikur shpirti im të kishte qenë në pritje që ndokush ta plotësonte vendin i cili ishte i përgatitur për një dashuri të re, meqë për asnjë moment nuk kisha pushuar së dashuri Dautin. Derisa atë pasditen e parë në kafenenë në bregdet e shikoja Luanin, derisa aroma dhe era e detit mi zgjonin ndjenjat, as që mund ta merrja me mend se çka më priste në të ardhmen.

- Mirëdita, urdhëroni - na u afrua dhe e mori porosinë. Zërin e kishte të fortë dhe të qartë, e duart me të cilat e mbante bllokun e vogël të shënimeve, i kishte të gjata dhe tërë muskuj. Gishtërinjtë i kishte të gjatë dhe ata ma tërhoqën vëmendjen gjatë tërë kohës. Shikimin e kisha përqendruar te duart e tij, meqë me apo pa vetëdije, evitoja kontaktin me sytë e tij, ndoshta nga frika që ai dhe të të tjerët të mos e merrnin vesh se ai më pëlqente. Pasi që të gjithë ne porositëm nga një pije, ai na pyeti a donim diçka të hanim. Fëmijët filluan që të kërkonin patate të fërguara, me çka u pajtuam edhe ne të rriturit.

Derisa e lëshonte enën me patate të fërguara dhe majonezë në tavolinë, gishti i madh i Luanit u zhyt paksa në majonezë, e ai, derisa largohej, disi në mënyrë të fshehtë e lëpiu gishtin e vet. Kjo gjë më bëri përshtypje, meqë ai kishte një gojë tepër të bukur. Në të vërtetë, në ato momente mua më dukej e bukur çdo gjë te ai. Gjatë pasdites e përcillja derisa ecte nëpër lokal dhe i shërbente mysafirët e tjerë. Përpos tij, në atë lokal shërbenin edhe një vajzë e re, si dhe pronarja e lokalit, të cilën e njihnim përgjatë tërë këtyre viteve sa vinim për të pushuar këtu. Edhe ajo erdhi që të na përshëndeste.

E, kur deshëm që të shkonim, ishte ajo që erdhi për të na e sjellë llogarinë. Pamë se patatet nuk na i kishin futur në faturë, meqë ishin "prej shtëpisë". Të gjithë u gëzuan, me përjashtim të meje, meqë unë kisha pritur që Luani të vinte të na e sillte faturën. Në mbrëmje, kur donim që të binim në gjumë, doja që të bisedoja për të me Dautin, por disi, në të njëjtën masë doja që të isha edhe e vetme, me mendimet për të, për kamerierin e pashëm.

Dhe, kështu kalonin ditët, kafet e përditshme në atë kafene më sillnin gëzim dhe eksitim, e momentet derisa ishim në plazh shpesh ishin boshe dhe të shkreta edhe pse rreth meje kishte njerëz të shumtë. Isha e shpërqendruar. Nuk mbaj mend të isha ndier aq keq ndonjëherë në jetë, meqë zakonisht më pëlqente që ta jetoja jetën në kuptimin e plotë të fjalës.

Dëshira për ta parë u bë disi obsesive e, ende nuk i kisha thënë gjë burrit tim. Më habiste fakti që ai nuk kishte hetuar ende asgjë. Me gjasë kishte qenë i zënë duke u argëtuar me shoqëri, duke luajtur me letra dhe duke pirë, sepse përndryshe ishte ekspert për të vërejtur çdo ndryshim në sjelljen time, sapo të më pëlqente ndokush tjetër. Fundja, ne njiheshim tash e 20 vjet dhe ishim shumë të afërt midis vete. 

(Kosova Sot Online)