Kriza nuk është opozita, por politika e krizës

Kriza nuk është opozita, por politika e krizës
Kriza nuk është opozita, por politika e krizës

Isuf Bajraktari

  • 05 May 2026 - 13:28

Nga Isuf Bajraktari

Dështimi i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit nuk është thjesht një ngërç procedural apo episod i zakonshëm politik. Është një provë serioze për kulturën tonë demokratike dhe një moment që zbuloi qartë dallimin ndërmjet politikës që ndërton shtet dhe politikës që ushqehet nga kriza.

 

Retorika e kryeministrit Albin Kurti në minutat e fundit të afatit kushtetues, me sulme ndaj opozitës dhe me pretendimin se “opozita është në rënie të lirë”, nuk mund të lexohet thjesht si reagim emocional. Ishte një përpjekje e qartë për ta kthyer një dështim institucional në kapital politik dhe për ta imponuar si perceptim një narrativë që nuk është domosdoshmërisht realitet.

Sepse problemi nuk është opozita në rënie të lirë; problemi është tentativa për ta paraqitur krizën si faj ekskluziv të opozitës, ndërsa përgjegjësia e pushtetit të relativizohet.

Në demokraci parlamentare, barra kryesore për zgjidhje bie mbi qeverinë. Pushteti nuk matet vetëm me numra, por me aftësinë për kompromis. Kur foltorja e Kuvendit përdoret për fushatë në vend të ndërtimit të konsensusit, lind pyetja nëse kemi menaxhim të krizës apo prodhim të saj.

Dhe pikërisht këtu nis problemi më i madh: kur politika e sheh krizën si instrument mbijetese.

Kjo nuk është metodë e re. Është formula e vjetër e pushtetit kur i mungojnë zgjidhjet: krijo krizë, gjej fajtorë, shpall veten viktimë dhe kërko besnikëri në emër të rrezikut. Aty ku mungon përgjegjësia, hyn propaganda. Aty ku mungon kompromisi, fillon dramatizimi politik. Viktimizimi si instrument pushteti është teknikë e njohur, por jo domosdoshmërisht e përjetshme; sepse propaganda mund të krijojë mjegull, por nuk e zëvendëson të vërtetën, dhe as votën.

Por Kosova nuk është terren për kthim te logjika moniste.

Koha e referendumit të një zëri ka kaluar. Qytetari i Kosovës nuk është më publik që konsumon vetëm narrativë; ai e dallon fjalën nga vepra, gojën e ëmbël nga puna e vogël. Mund të ketë mjegull e huti të përkohshme, por jo verbëri të përhershme.

Sepse populli e di kur kriza përdoret për shtet dhe kur përdoret për pushtet.

Prandaj zgjedhjet e jashtëzakonshme që po vijnë nuk janë vetëm përballje mes pozitës dhe opozitës. Ato mund të shndërrohen në referendum kundër vetë politikës së krizës.

Edhe narrativa se kundërshtari është “në rënie të lirë” mund të kthehet bumerang, nëse qytetarët e lexojnë arrogancën aty ku pushteti mendon se po projekton forcë. Sepse asnjë pushtet nuk e kontrollon perceptimin më shumë sesa sovrani e kontrollon votën.

Kosova nuk ka nevojë për menaxherë konfliktesh, por për ndërtues institucionesh. Nuk ka nevojë për politikë që përçan për të sunduar, por për lidership që bashkon për të ndërtuar.

Dhe në fund, kriza e vërtetë nuk është dështimi për të zgjedhur Presidentin. Kriza është kur politika fillon ta normalizojë konfliktin si mënyrë qeverisjeje.

Kjo është ajo që qytetari i Kosovës duhet ta refuzojë. Sepse populli i Kosovës nuk kërkon shpëtimtarë. Kërkon shtet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".