Shteti si bankomat, politikanët si kapitalista, qytetarët në arrati!

Shteti si bankomat, politikanët si kapitalista, qytetarët në arrati!
Shteti si bankomat, politikanët si kapitalista, qytetarët në arrati!

Fadil Maloku

  • 05 May 2026 - 11:22

Absurdi i kapitalizmit gjithëshqiptar qëndron në atë se: diferencimi i shtresave sociale s’ka filluar si pasojë e logjikës së konkurrencës dhe “lirisë” së premtuar nga politikanët, por si pasojë e shfrytëzimit të privilegjeve dhe beneficioneve që ofron pushteti dhe politika!

Andaj s’është për t’u çuditur pse gjithë kjo histeri dhe ky ngërç i theksuar në të gjitha parlamentet shqiptare!

Ju sot në shoqëritë shqiptaremund të identifikoni njerëz apo elita të tëra pushtetarësh që deri dje s’kanë pasur në pronësi të tyre as edhe një biçikletë të vetme (!?), e sot kanë pallate, patundshmëri marramendëse dhe para në konto, që as vetë nuk e dinë se sa!!! Ndërkaq, çka është edhe më shqetësuese: të njëjtit janë të mbrojtur edhe me legjislacion që grupet e ndryshme të interesit e kanë aprovuar nëpër parlamente?!

 

Për të qenë absurdi edhe më i madh, diferenca sociale është gjithnjë duke u ashpërsuar, e me këtë fakt është duke u rritur edhe arratisja nga vendi. Kujtoj se nuk do të shkojë aq larg koha kur qytetaria e zhgënjyer me “lirinë” që e prodhoi pabarazia e theksuar në trojet shqiptare, do të revoltohet aq shumë sa të pyesë politikanët “brekëgrisur” se ç’u duhet atyre demokracia?

 

Shoqëritë shqiptare, ngadalë por sigurt, po hyjnë në “mesjetën” postmoderniste. Sepse, agjensin kryesor të ikonografisë kishtare në vazhdimësi po e zëvendësojnë elitat e “komandantëve dhe paqësorëve”, kurse atë të inkuizicionit famëkeq po e marrin ca mercenarë të politikës ditore.

 

Kur gjithë kësaj odisejade t’i shtohet edhe “ushtria” servile e inteligjencës së korruptuar, së bashku me falangat mercenare mediatike, atëherë portreti dhe fryma e mesjetës postmoderniste e merr si formën, ashtu edhe përmbajtjen e apostrofuar sociale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".