Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (3)

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 13:28
Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (3)

Një pasdite rrinim së koti në plazh. Meshkujt luanin me letra, vajza lexonte gazetën e unë, e shtrirë në bark, merrja rrezet e fundit të diellit. Me gjasë më kishte zënë gjumi, kur më zgjuan bërtitjet. Dauti dhe djali bërtisnin me zë. - Luan, njeri, hajde te ne! Na duhet një lojtar shtesë! Ia dola që ta ruaja qetësinë.

Vërejta sesi djali ynë, derisa unë isha duke fjetur, kishte shkuar po ashtu që të luante me letra, e më pas e pashë edhe Luanin e gjatë, me trup të hollë, ashtu tërë të lagur nga larja në det, duke ardhur në drejtimin tonë. - Tung, njerëz - përshëndeti ai dhe u ul shumë afër këmbëve të mia.

Disa pika uji nga trupi i tij ranë në trupin tim. E, unë vazhdoja që të rrija e shtrirë, duke u shtirë kinse isha ende duke fjetur. - Nuk kam shumë kohë, më duhet që të kthehem në punë - tha ai, duke refuzuar lojën me letra. - Aiii edhe ajo shefja jote, të shfrytëzon sa s'ka më! Nuk ke aspak kohë të lirë! Luani qeshi - Nuk është bash ashtu, jam unë ai që dëshiron që ajo të më shfrytëzojë - tha, por pasi që meshkujt bënë komente përqeshëse në ato fjalë, ai e korrigjoi veten.

- Sa më shumë që punoj, aq më shumë para marr. E, punën e kamerierit e bëj vetëm për para. Ai vazhdoi me bisedën edhe për disa momente, duke premtuar se, një pasdite, me të vërtetë do të luante letra me ta. E pashë kur u ngrit, me ç'rast mbeta e habitur, meqë ai më mati me sy nga koka e deri te këmbët. Meqë nuk ia shihja fytyrën, nuk mund ta dija se a mbeti i kënaqur nga ajo që pa, e ai më pas u largua dhe doli jashtë fushës sime vizive.

Ditëve në vijim me kureshtje shikoja se a do të më maste sërish me sy, apo a do të më shikonte në ndonjë mënyrë të veçantë, por kur ishim në shoqëri të madhe, nuk ndodhte asgjë. Me gjasë edhe ai ishte vetëm një mashkull i cili nuk kishte mundur, nuk ishte duruar pa ia lëshuar një sy trupit të ekspozuar të femrës. Kjo gjë më dëshpëronte dhe tanimë ndjeja sesi tërhiqesha në vetvete.

Edhe një shpresë e kotë. Përpos kësaj, filluan që të më mundonin menstruacionet, prandaj gjatë ditëve në vijim qëndrova në shtëpi, duke pirë çaj. Afër shtëpisë ku qëndronim gjendej një rrugicë, e cila çonte deri te një plazh i afërt dhe, një mëngjes, e habitur, në atë rrugicë pash Luanin.

Ai ngutej në drejtim të qendrës, e jo kah plazhi. Më shikoi në kalim e sipër, por pasi që tanimë ishte larguar disa hapa, u kthye dhe më përshëndeti. - Nuk je duke ardhur këtyre ditëve për kafe - më tha duke buzëqeshur ëmbël. - Punë grash - i thash me qëllim, për ta provokuar, për ta parë reagimin e tij. - Aha - tha ai, pa u habitur fare. Doja ta tronditja, por nuk ia arrita. - Nuk punon sot? - e pyeta, e vetëdijshme se isha duke u dridhur lehtazi. - Po, po. Punoj, por jam vonuar.

Mirëpo, në mëngjes nuk ka tollovi të madhe. Shoh që ata tutë tanimë kanë shkuar, apo jo? - Ngutu, ndoshta edhe i arrin! - Jo, more! Nuk ka lidhje. Do t'i gjej atje... Në fakt, po shkoj... Sot pasdite do të mund të vij në plazh, që të merrem vesh rreth lojës me letra me burrin tënd. Tung! "Burrin tim!" Këto fjalë i tha me indiferencë! Edhe pse përsëri mu këputën shpresat, ajo bisedë e shkurtër me të më eksitoi, në fakt, bëri që sërish të ëndërroja.

Por, në kokë më silleshin tërë ato zhgënjime të viteve të kaluara, kur ëndërroja sesi do ta gjeja një mashkull ideal, të cilit nuk do t'i pengonte fakti që isha e martuar, që isha në martesë të mirë me një burrë të cilin e doja dhe të cilin nuk kam ndërmend ta lë. Athua pse që të gjithë e kanë vështirë ta pranojnë dhe kuptojnë këtë?! (vijon)

(Kosova Sot Online)