Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (5)

  • E.K /
  • 25 April 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (5)

Në shtëpizë ndihesha sikur në burg. Mundohesha që të flija, por nuk munda, prandaj dola në tarracë. Aty i prita të tjerët derisa erdhën nga qyteti, por ata, menjëherë pasi që erdhën, ashtu të lodhur nga rruga, ranë për të fjetur, e unë vazhdoja që të qëndroja e ulur në tarracë, në errësirë, e shoqëruar vetëm nga kënga e gjinkallave dhe nga mendimet e mia. E dija se, për dashuri, kurrë nuk ishte vonë, por atë natë mendoja rreth asaj që të hiqja dorë nga pritja. Ndihesha më e vjetër sesa që isha, pa vullnet dhe me apati. As vera, e as pushimet verore më nuk ishin për mua ato që kishin qenë dikur. Aventurat verore i ndodhin dikujt tjetër, mua si duket, jo. Ndoshta Luanit dhe asaj vajzës? Iu ndodhin shumë vetëve.

Të shumtë janë ata që vetën e përdorin për relaksim në çdo drejtim, duke bërë atë që gjatë pjesës tjetër të vitit nuk guxojnë. E unë, e cila gjatë tërë jetës isha e gatshme për aventurë të dashurisë, bile kisha gjetur edhe një burri i cili e pranonte një gjë të tillë, e vetmja unë nuk kisha asnjë dashnor. Sa iu përket shokëve tanë nuk dija se a ishin ata të hapur në këtë drejtim. Doja që ta pyesja Dautin për këtë, meqë ata kurrë nuk e kishin hapur këtë temë. Mu kujtua edhe motra ime, e cila çdo verë kishte nga ndonjë jaran, me të cilin i kalonte disa ditë, e më pas çdo gjë harrohej, sikur të mos kishte ndodhur kurrë.

Por, ajo sot është një ligjëruese e tillë morale, që nuk e lëshon t'i ikë rastin për t'i kritikuar lidhjet jashtëmartesore dhe e cila në martesën e saj, edhe ashtu katastrofale, është grua besnike për të cilën nuk ekziston asgjë përpos burrit dhe fëmijëve. Uh… Më kaplonte dëshpërimi. Fillova që t'i urreja të gjitha femrat e tjera, vetëm e vetëm pse unë nuk isha e lumtur dhe e kënaqur. Personit të dashuruar gjërat e tilla nuk i bien ndërmend. Personat e dashuruar janë të gëzuar, optimistë, rrezatojnë lumturi dhe nuk kanë vend për kritika. Për këtë shkak edhe doja që të isha e dashuruar. Për këtë shkak atë mbrëmje ndihesha aq e dëshpëruar dhe e braktisur. Derisa mendja ime bluante, e bluante, hetova se kishte filluar të më zinte gjumi.

Hyra në shtëpizë, i lava dhëmbët dhe sytë, kur mu kujtua se kuletën dhe çantën me dokumente e kisha lënë në tavolinë. Kishte pak rrezik që ndokush do të mi vidhte ato gjatë natës, meqë shtëpiza gjendej larg rrugës kryesore, por megjithatë dola t'i merrja ato. Sapo dola, dëgjova dikë duke më thirrur me zë të ulët. U tmerrova nga frika dhe u mbështeta për mur. Derisa mungonte pak që të bërtisja, një hije e zezë u paraqit para meje. - Shhhht! Mos ki frikë! - Oh, sa më frikësove - thashë duke ofsharë. Dëgjova Luanin duke qeshur. - Nuk desha! Por, isha duke u kthyer në shtëpi dhe të pash në tarracë. Thashë, hajt të ndalem e të bëj pak llaf me të, sa për ta larguar vëmendjen nga puna, por ti me të shpejtë hyre në shtëpi. Isha duke menduar çka të bëja.

Të trokisja në derë, mos do ta zgjoja dikë nga gjumi. Kisha frikë mos do ta zgjoja burrin tënd nga gjumi. A ke pak kohë për mua? - Kam, ulu. - Uh! - bëri duke u lëshuar në karrige. - Kjo punë është tepër e rëndë, por kursimet e mia janë duke u trashur me të madhe. Deri në fund të vitit do të bëhem milioner - tha ai, duke buzëqeshur. - A po të lënë bakshishe? - O po, edhe atë bakshishe të majme, bile. Nëse nuk do të filloj të harxhoj si i marrë, do të mund të jetoj një kohë të gjatë me këto para. (vijon)

(Kosova Sot Online)