Roman dashurie: Ai i vërteti (34)

  • E.K /
  • 26 April 2021 - 15:53
Roman dashurie: Ai i vërteti (34)

Doruntina kishte menduar se, nëse varej nga vullneti i nënës së saj, kjo luftë nuk do të zgjasë shumë. Edhe më tutje po qëndronte e ulur në korridor me dëshirën që dikush t'i lajmëroj se nëna ishte më mirë. Dreni nuk lajmërohej fare. Kishte kaluar mesnata kur Doruntina më nuk kishte mundur ta duronte vetminë. Lotët po i rridhnin pandërprerë nëpër fytyrë. Më nuk po mendonte se çfarë duhej e çfarë nuk duhej të bënte. I ishte lëshuar faktit se kishte nevojë për dikë pranë vetes, që të bindej se nuk do të mbetej vetë nëse nënës së saj ndodh diçka, nëse mjekët dalin dhe ia kumtojnë lajmin më të keq të mundshëm. Më e keqja ishte se ajo as nuk guxonte ta mendonte një skenar si ky, nuk guxonte të mendonte se çfarë dëshironte t'i thoshte asaj, se ndoshta nuk ishte nëna që gjithmonë e kishte dëshiruar, por se e kishte rritur e vetme Doruntinën. Për të gjitha këto, ajo kishte sjellë numrin e Rinorit.

Kapitulli njëzetegjashtë U lajmërua pas herës së pestë. Në prapavijë, para thënies ALO me një zë të çuditshëm, po dëgjohej zhurmë dhe muzikë. Sikur edhe po mund ta merrte me mend, ai ishte diku, duke e festuar ditëlindjen e tij. - Rinor, urime ditëlindjen! Ia doli disi ta thoshte këtë, e nuk e tha më asnjë fjalë. - Të faleminderit Doruntina, megjithëse as në ëndërr nuk e kam menduar se do të më lajmërosh për të ma uruar ditëlindjen. - E di, edhe unë kam menduar se ndoshta nuk është dashur të të thërras, por ... Fjalët i mbetën në fyt. Përnjëherë e kishte kuptuar se nuk kishte bërë mirë që e kishte thirr, ai e kishte ditëlindjen, ndërsa që ajo ishte vet dhe e frikësuar. Rinori kishte mundur që me plot të drejtë t'i thoshte që për shoqëri ta thërrasë Drenin, e jo atë. Prandaj, kishte menduar dhe e kishte shkurtuar bisedën. - Vetëm këtë desha të ta them. Nuk dua të marr më shumë kohë, po e dëgjoj se ka shumë muzikë, kënaqu dhe ti, tung. Ia ndërpreu lidhjen për të mos i dhënë kohë të thotë më shumë.

Ajo ishte ulur në një karrige prej plastikës dhe po mendonte. Gjithçka ishte kundër saj, e nga kjo pozitë kishte mundur ta shihte jetën e saj, përplot me mundime të kota, e cila nga një e shëmtuar u shndërrua në një bukuroshe të vërtetë, e cila nuk di të kënaqet me bukurinë e saj. E kishte trembur zilja e telefonit. Ishte Rinori, por dyshonte nëse do t'i lajmërohej. Kishte frikë nga thirrja e tij. Por, se kishte ndier obligim t'i lajmërohej. - Alo? - A është gjithçka në rregull Doruntinë? - Po... - Nuk po më tingëllon ashtu. Ku je? Tash iu desh t'i tregonte. - Në spital. Nëna ka pësuar infarkt. Zëri i Rinorit ishte paska i habitur dhe pak i zemëruar. - Përse nuk ma the menjëherë? Tash po nisem dhe do të vij aty ... (vijon)

(Kosova Sot Online)