Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (7)

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Atë që e dëshiron për vete, nuk ma lejon mua (7)

Me të vërtetë? E, kush do të thoshte. A vërejti edhe ndokush tjetër sesi të shikoj? Pronarja, apo ajo kamerierja tjetër? - pyeta paksa e frikësuar. Ai mohoi me kokë, e unë u qetësova paksa edhe pse ende isha kureshtare. - E, ato gratë me të cilat ke qenë ti, a ishin në "martesë të hapur", apo mashtrimin e fshihnin nga burrat e tyre? - Ato me të cilat kam qenë deri tani e fshihnin këtë, por ta them të drejtën, kjo më pengonte tepër shumë. Nuk më pëlqente të fshihesha, të frikësohesha se mos do të paraqitej ndokush në derë, duke më rrahur si dashnor të gruas së tij. Dhe, a di çka? Nuk isha edhe aq i lumtur derisa dëgjoja tregime sesi burrat i kishin lënë pas dore, sesi ata ishin ftohur nga to, sesi ato duan diçka më shumë nga jeta. Vazhdimisht ankoheshin dhe urrenin burrat e tyre. Kjo nuk më dukej aspak në rregull.

Mendonin sesi unë isha diçka më shumë dhe më i mirë sesa burrat e tyre, sesi do t'i realizoja disa ëndrra të parealizuara të tyre, ku ta di unë, e unë po ashtu jam vetëm një mashkull i cili një ditë do ta lejë pas dore gruan dhe do të shkojë për të pirë diçka me shokët e tij, më tha ai. Ai ishte tepër i sinqertë, por kjo më pëlqente aq shumë, sa që përsëri doja të bëja dashuri me të. u përmbajta, meqë kishte kaluar ora tre e natës, e ai në orën nëntë duhej të ishte në punë. I përsëritëm takimet tona edhe disa net derisa mbaruan pushimet tona verore. Mëngjesin para se të kthehemi në shtëpi, ndihesha më e pikëlluar sesa kurrë më parë. Ndarja nga dashnori për mua ishte tepër e vështirë.

E shfrytëzova rastin për ta paguar faturën kur Luani ishte duke pirë diçka. Në kafene nuk ishte askush, kështu që ai, me një lëvizje të shpejtë, ma puthi dorën. - Do të shihemi në kryeqytet. - Me të vërtetë? - e pyeta, duke e shikuar me falënderim. - Por, kjo do të ndodhë vetëm në tetor, apo jo? - Për fat të keq - tha ai duke murmuruar dhe duke ma kthyer kusurin. - Por, gjithsesi më thirr kah fundi i shtatorit - ma shkroi numrin në një copë letre, të cilën e fsheha menjëherë, meqë një klient hyri brenda dhe e porositi një kafe. - Dhe, tregoi burrit tënd - më tha duke pëshpëritur derisa dilja jashtë. U rrëqetha. Sa mashkull i përkryer për mua! Por, në kryeqytet u komplikua çdo gjë. Mbrëmjen e parë pasi që u kthyem në shtëpi, fillova t'i flisja Dautit rreth asaj sesi kisha rënë në dashuri. - Mos, mori! - më tha i habitur, por edhe paksa i zemëruar.

E, në kënd ke rënë në dashuri? - Në Luanin. - Në atë kamerierin, a? Atë që ecte si me susta? - vazhdoi duke u nxehur gjithnjë e më shumë. - Po, e ku qëndron problemi? - e pyeta, duke ndier sesi kjo temë nuk do të zhvillohej me aq lehtësi, sikur që kisha menduar. - Pa ai është një kodosh i vërtetë. Verës punon në bregdet dhe i mashtron femrat, e gjatë dimrit nuk bën asgjë. Ai është një shfrytëzues i rëndomtë. - Nuk është ai i tillë - thash. - Si nuk është?! Fundja, si e di ti sesi është ai? Nuk ke pasur rastin ta njohësh. - Po, po. E kam njohur që ç'ke me të. Ia tregova një version të shkurtuar të njohjes tonë, e Dauti sa nuk kishte eksploduar. - Ti paske fjetur me të pas shpinës sime?! E unë budalla, i jepja bakshishe dhe e ftoja të luante me ne. Sikur ta kisha paguar që ma... punonte gruan! - Daut, pash Zotin, qetësohu, çka ke? Je duke folur marrëzi. Krejt e ke kuptuar gabimisht. Unë kurrë nuk të kam qortuar ty kur ishe me Violetën. Bile të mbështesja dhe të ngushëlloja. Çka dreqin ke ti tani? - Çka dreqin kam? Gruaja më mashtron, athua kjo nuk është arsye e mjaftueshme për t'u zemëruar? - tha ai duke bërtitur. (vijon)

(Kosova Sot Online)