Ngjarje e vërtetë: Nga koma u kthye si një njeri tjetër (1)

  • E.K /
  • 30 April 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Nga koma u kthye si një njeri tjetër (1)

Thuhet se lajmet e mira nuk vijnë brenda natës, por në rastin tim ndodhi mu kështu. Edhe pse është pak keq që të quhet lajm i mirë fatkeqësia e trafikut në të cilën burri im për pak sa nuk e humbi jetën. Lëndimet në kokë që mori Përparimi ishin aq serioze, sa që mjekët në fillim nuk mund të thoshin se a do të mbijetonte ai, apo jo. Por, ai ia doli që të kthehej nga koma si një njeri krejt tjetër. Martesa jonë kishte vite të tëra që ishte në krizë. Pse unë dhe Përparimi vazhduam që të jetonim bashkë përkundër të gjithave, nuk di ta them. Bile as "hatri i fëmijëve" nuk do të mund të merrej si arsyetim.

Me siguri edhe fëmijët vuanin aq sa edhe ne, bile ndoshta edhe më shumë. Sikur të mos ndodhte fatkeqësia e trafikut, me gjasë nuk do të mund ta kishim shtyrë më gjatë se edhe një muaj. Fëmijët tanimë kishin rënë në shtrat, e edhe unë isha duke e veshur kombinezonin e natës, kur cingëroi telefoni. Një zë i pikëlluar i infermieres më tregoi se burri im kishte përjetuar fatkeqësi trafiku. Nuk donin të më jepnin informata shtesë përmes telefonit. Më thanë vetëm se ai ende ishte gjallë dhe që të shkoja sa më parë atje. Menjëherë kuptova se kishte ndodhur diçka tepër serioze.

E thirra mikeshën time më të mirë, në mënyrë që ta lusja që të qëndronte me fëmijët derisa unë të shkoja në spital. Edhe pse Joni dhe Mia ishin mjaft të rritur që të rrinin edhe vetëm, nuk doja që, kur të zgjoheshin nesër në mëngjes, të mos e gjenin askënd në shtëpi. Nuk e dija se kur do të kthehesha e as që doja t'i zgjoja nga gjumi i parë për t'iu thënë se i ati i tyre ishte lënduar. Renata erdhi për më pak se gjysmë ore. Tanimë isha veshur kur ra zilja e derës dhe, pasi që në pika të shkurtra i tregova se çka më kishin thënë nga spitali, dola dhe i hipa veturës, për të shkuar në spital. Por, më kot isha ngutur, meqë mjeku i cili do të mund të më jepte ndonjë informatë rreth gjendjes së Përparimit, gjendej në sallë të operacionit, kështu që mu desh ta prisja. Koha u shndërrua në pafundësi.

Kalonin orët, e mjeku nuk shihej asgjëkund. Operacioni kishte zgjatur më shumë sesa që kishin planifikuar. Agimi tanimë kishte filluar, kur doli mjeku nga salla, i sfilitur i tëri. U ul afër meje dhe ofshau. - Nuk mund t'ju jap shpresa të rreme - ma tha ai troç. - Burri juaj vazhdon që të jetë në gjendje kritike. Nëse mbijeton, do të duhet të kalojë një kohë para se të mundemi me siguri të themi se sa i madh është dëmtimi i trurit të tij. Disa ditë do ta mbajmë në një komë artificiale. Kur ta zgjojmë, do t'ia bëjmë disa analiza, të cilat do të na tregojnë si gjendet ai. Fjalët e tij më bënë si të mpirë. Me gjasë gjithkush do të ndihej ashtu në një situatë të tillë. Nuk ishte kjo pasojë e mungesës së ndjenjave, por e tronditjes dhe ndjenjës së pafuqisë së plotë. - Infermierja do t'ju çojë në shok-dhomë për ta parë burrin tuaj, e më pas mund të shkoni në shtëpi, që të pushoni, meqë asgjë më tepër nuk mund të bëni për të - më tha mjeku.

Mi rrahu supet në shenjë ngushëllimi dhe, pasi që i tha infermieres që të më çonte te burri, hyri në repart. - Zonjë, ejani me mua - më tha me zë të ultë infermierja. Ndjeva sesi më dridheshin këmbët derisa e përcillja sikur ndonjë fëmijë i humbur. U shtanga kur e pash burrin në shtratin spitalor, të kyçur në disa aparate, me anë të gypave. I shihej vetëm koka, por edhe atë e kishte të tërën të fashuar. Sytë i kishte të mbyllur, nuk lëvizte, sikur të kishte vdekur. Sikur aparatet të mos tregonin se ai ende ishte gjallë, do të mendoja se tanimë ishte shpërngulur në Ahiret. Vazhdova që të qëndroja disa momente ashtu afër tij, as vetë pa e ditur se çka të bëja. Nga tronditja nuk mundja as të qaja. Është vështirë të mendosh se dikush, me të cilin deri dje keni biseduar, keni qeshur, qarë, keni pasur momente të mira e të këqija, tani rri i shtrirë, si i pashpirt. (vijon)

(Kosova Sot Online)