Roman dashurie: Gruaja me sekrete (13)

  • E.K /
  • 13 May 2021 - 15:47
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (13)

U ngjit shkallëve të pjerrëta dhe shumë të ngushta në galeri, u ul pak dhe pas pak dëgjoi se atyre shkallëve ngjitej edhe dikush tjetër. Pa një burrë me flokë të çelëta dhe lëkurë të bardhë, me sy të gjelbër, të gëzueshëm dhe me qerpikë të gjatë. Ai dukej si marinar australian, përpos që nuk ishte i rrezitur dhe kishte një mungesë muskujsh. - Vlora, mirë se erdhe! Të kam pritur. Unë jam Sokoli. Hajde me mua. Leonora, na bëj dy kafe. Në rregull? Vlora pohoi me kokë. - Kafja le të jetë e ëmbël, ju lutem! - Në rregull, dëgjove, pra! Dhe, nëse më kërkon ndokush, le të presë!

Në galeri gjendej një zyrë e vogël, por e rregulluar si mos më mirë, me disa fotografi, të cilat menjëherë tërhoqën vëmendjen e Vlorës. Në të gjitha fotot, në plan të parë ishte ky njeri, e në prapavijë ishin majat me re, ambientet me dëborë dhe atmosfera e fitores. - Në kohën e lirë merrem me bjeshkatari. Këto janë disa nga trofetë e mia, majat që i kam pushtuar. Asgjë tendencioze, por as për t'u injoruar. Ajo buzëqeshi dhe u ul në një karrige të lëkurës. - Kisha pritur se do të ishit shumë më i vjetër. - Vetëm pse njihem me babanë tënd? Dhe, të lutem, mos mu drejto me "ju". Ka të ngjarë që të jem nja dhjetë vjet më i vjetër se ti, por kjo nuk është edhe aq shumë, apo jo? Babanë tënd e njoh që nga kohët kur merrej me sport. Unë asokohe kisha filluar që të merresha me bjeshkatari.

Ai na kishte mbështetur me sukseset e veta sportive. Më vonë, kur kishte hyrë në politikë, më ka ndihmuar mjaft që, me alpinistët e tjerë, të shkojmë në shumë vende, ku përndryshe nuk do të mund të shkonim. Vlorës nuk i pëlqente që flitej aq shumë për babanë e saj. Ajo kishte ardhur këtu për veten e saj dhe donte që ky njeri ta merrte seriozisht. - Nuk di a ka përmendur babai im se çka më nevojitet saktësisht. - Një investim në një punë të mirë, nga e cila mund të jetohet mirë, apo jo? - Po. Këtu jam e re, kam një punë që më pëlqen, por që nuk sjell fitime aq të mëdha. - Çfarë pune? - Kam një dyqan antikitetesh. Sokoli çoi vetullën lart. - Ti qenke ajo vajza e bukur, e cila ua ka marrë mendtë meshkujve që janë në të tridhjetat, e që ende nuk janë martuar?

Ajo nuk kuptoi se çka u tha. - Unë? Nuk besoj. - Po, po, ti je ajo. Miqtë e mi vazhdimisht më përmendin një femër që punon në qendër të qytetit, në një dyqan antikitetesh, e unë, në një rast, derisa kaloja andej pari, isha ndalur për të parë mos të shihja. Por, ti nuk ishe aty. E, disi më vjen turp që të hyj në dyqane jo për të blerë, por për të parë si duket pronarja. Tani e kam shumë më të qartë. Ajo buzëqeshi. - Nuk kam pasur idenë se qenkam kaq interesante. - Epa, e sheh, je! Por, nuk besoj se je aq e pavetëdijshme rreth asaj sesi dukesh dhe çfarë përshtypjesh lë te të tjerët. Ai qeshej mirë. Kishte dhëmbë të bardhë, tepër të bukur, gjë që i jepte vetëbesim të madh. Po, dukej joshës, por Vlorës i pengonte shikimi i tij, i cili qartazi bënte me dije se ai ishte i magjepsur me të. Këtu kishte ardhur për një qëllim tjetër edhe pse biseda kishte marrë kah tjetër.

(Kosova Sot Online)