Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (5)

  • G.G /
  • 14 May 2021 - 10:32
Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (5)

Përfundimisht mora një përgjigje! Sa u gëzova kur e pashë emailin, po aq u trondita kur e lexova atë! E-mailin e kishte shkruar Iliriana, ku më thoshte se më me dëshirë do të më telefononte, por nuk ishte në gjendje që të fliste. Kishte pësuar një aksident të rëndë të trafikut.

Nuk ishte në gjendje që të ecte, kishte lëndime të llojllojshme të rënda dhe shërimi do të zgjaste shumë. Nga tronditja dhe lotët, që filluan të më rridhnin, mezi arrita që ta lexoja e-mailin: "Motër e dashur! Me gjithë qejf do të të telefonia, por nuk mund të flas.

Kam lëndim në fytyrë dhe nuk mund ta hapi gojën. Që në fillim dua të të them se jam mirë, në mënyrë që të të mos tronditi më shumë, meqë e di se sa më do. Kam pasur një aksident të rëndë trafiku. Si ka mundur të ishte, kam shpëtuar mirë. Mezi e binda motrën kujdestare që të më lejonte të shkruaj në laptop. Ishim duke shkuar me veturë për në vendskijim.

Kënaqesha duke shikuar peizazhet e bukura, të mbuluara me dëborë. Në të majtë kishim një bjeshkë të lartë, e në të djathtë të rrugës një humnerë të thellë. Në drejtimin tonë ishte duke ardhur një kamionçinë, ku shoferi i saj dukej të kishte probleme me vozitje.

Ai e humbi pak drejtimin, na goditi dhe vazhdoi rrugën, e ne u rrotulluam dhe për pak sa nuk ramë në humnerë. Derisa erdhi ndihma e shpejtë gati sa u ngrimë. Në ato çaste mendoja se, edhe po të vdisja, do të vdisja të paktën në një ambient i cili më pëlqente mua.

A të kujtohet kur ishim fëmijë, kur shtyheshim se a është më i bukur deti, apo bjeshkët me dëborë? Tani për tani nuk mund të ngrihem, nuk mund të flas, por gjithçka do të jetë në rregull.

Shërimi do të zgjatë, por më thonë se, më pas, do të jem si e re. Të gjithë jemi mirë. Ja, më duhet ta mbaroj. Të do, Iliriana"! Ia hodha edhe një sy e-mailit, për të kuptuar se çka kishte ndodhur me të vërtetë. Ajo me gjasë ishte në gjendje të vështirë. Kush tjetër do të ketë qenë me të? Ajo thotë "jemi mirë". D.m.th. se nuk ishte vetëm. A ishin me të edhe fëmijët e saj? A thua, si janë ata tani? I paskan thënë se do të shërohet tërësisht, por ndoshta vetëm ia kanë bërë qejfin...

Çka nëse do të mbetet invalid? Kush do të përkujdeset për të? Tani, kur sapo filloi të mbarën... Pse ajo ka një fat kaq të keq, e mua gjërat e mira më vijnë vetvetiu? Ajo me të vërtetë ka pësuar fatkeqësi të shumta. Nuk mundesha të kënaqesha në tërësi në lumturinë time, kur Ilirianës vazhdimisht i ndodhnin fatkeqësi të këtilla. Ashtu e shushatur ia kisha ngulur sytë ekranit, pa mundur që të përqendrohesha dhe t'i orientoja mendimet në një drejtim. Meqë isha e dhënë pas feje, e dija se Zoti asnjëherë nuk kishte faj, por tani në kokë më silleshin mendime të llojllojshme.

E vetëdijshme që Iliriana tani ishte në pritje të një përgjigje nga unë, me gjasë edhe ndonjë ngushëllim dhe nxitje që të ishte e qëndrueshme në procesin e shërimit, edhe më shumë e kisha vështirë që të përqendrohesha. Më shumë do të doja sikur të isha e zemëruar dhe të thyeja diçka, ashtu të paktën do të shfryhesha. Në një gjendje të tillë më gjeti burri, i cili sapo hyri në derë filloi që të më tregonte se çka kishte përjetuar gjatë regjistrimit të veturës.

Por, duke më parë të mjerë, u frikësua: - Çka u bë? Mos më thuaj se iu ka ndodhur ndonjë gjë vajzave tona! - Shiko - i thashë duke murmuritur dhe duke ia bërë me gisht kah ekrani. Qava në përqafim të tij. Më pas ne të dy bashkë ia shkruam një e-mail mbështetës Ilirianës, duke i uruar shërim të shpejtë. I thash se do të shkoja ta vizitoja, sa më parë që të ishte e mundur. Më me dëshirë do të shkoja menjëherë që ta vizitoja, meqë nuk dija konkretisht se çfarë lëndimesh kishte. (vijon)

(Kosova Sot Online)