Roman dashurie: Gruaja me sekrete (15)

  • E. /
  • 15 May 2021 - 18:27
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (15)

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Thirrjen e mori vetëm dy ditë më vonë. Sokoli i tha që të shkonte në zyrën e tij edhe pse ajo donte që, çfarëdo që të kishte, t'ia thoshte përmes telefonit. Por, në fund, shkoi në zyrën e tij, aty pak pas mesditës. Jashtë ishte një ditë e nxehtë, me diell, e fustani i hollë i bardhë, të cilin e kishte veshur, thuajse ia zbulonte çdo vijë të trupit. Menjëherë vërejti se Sokoli mezi e kishte pritur ardhjen e saj dhe se sytë e gjelbër i shkëlqenin derisa i afrohej. - Kam lajme të mira. Hajde të shkojmë diku në drekë e të bisedojmë shtruar. - Për mua ende është herët që të drekoj. Pse nuk po bisedojmë këtu? Vlora e dinte se një sjellje e këtillë ishte jo e mirë, por vazhdimisht ndiente nevojën që ta hiqte qafe Sokolin si vardisës, gjë që në zyrë, ku nuk ishte larg as vajza me fustanin me lule, e kishte shumë më lehtë. 

Në rregull. Ja sesi qëndrojnë punët: kam biseduar me njeriun i cili ka pemishtet më të mëdha dhe më të mira në rajon. Ai ka filluar edhe me përpunimin e pemëve, e po ashtu ka edhe një plan për një zinxhir të shitjes me pakicë. Dje u takova me të, me ç'rast ia paraqita investuesin e ri, i cili është i interesuar për një investim të mirë, ku do të merrte pjesë edhe vetë. Në fillim ai ishte shumë kundër kësaj, por më pas arrita ta bindja që, të paktën, të më dëgjonte. E më pas, pranoi. Ai u befasua kur mori vesh se bëhej fjalë për një femër. Mos u shqetëso! Nuk ia përmenda mbiemrin dhe prejardhjen tënde, kështu që nuk është ky shkaku që ai pranoi të takohet me ty. -Mirë.

Nuk e pranoi krejtësisht, ai u pajtua vetëm për bisedë. - Po. Ajo buzëqeshi. -Kur do të ndodhë kjo? Dhe, duhet të më përgatisësh, që çdo gjë të shkojë sa më mirë. Do të jesh edhe ti aty, apo jo? Sokoli pohoi me kokë. -Është paksa mosbesues ndaj meje, ndoshta për shkak se kam luajtur më mirë basketboll se ai. Po tallem, natyrisht, por ka kërkuar që së pari të shiheni ju të dy, e nëse arrihet ndonjë marrëveshje, unë, si përfaqësues i yti, do të jem aty, pranë teje. Ai është një njeri i thjeshtë, nuk ka nevojë që të bësh përgatitje të veçantë. E di që je laike, por edhe e di që je mjaftueshëm e mençur që të mos nisesh vetë në atë punë, por që angazhon dikë profesional që të ta gjejë një investim të mirë. A mund të llogaris se do të jesh e lirë për fundjavë dhe që të ta caktoj takimin me të? 

Po, natyrisht. U ngrit e gatshme që të shkojë ta pijë një pije freskuese në kafenenë në afërsi të dyqanit, por Sokoli e ndali duke e kapur për dore. -Nëse je e vetmuar këtu dhe dëshiron të njihesh me njerëz, unë jam këtu. Mund të dalim bashkë. Jam në dispozicionin tënd. Vlora e tërhoqi dorën. Për një moment deshi që t'i thotë qartë se nuk ka nevojë që të përpiqet rreth saj në atë mënyrë dhe të mos e joshë më nëse mendon që të jetë bashkëpunëtor i saj, por megjithatë heshti dhe buzëqeshi. - Faleminderit. Nëse ndonjëherë ndiej vetmi dhe nevojë për njerëz, do të ta them. U kthye, u lëshua poshtë shkallëve,i buzëqeshi vajzës së luleve dhe u largua. Më vonë, pasi që kishte pirë një kafe të ftohtë, i vërejti shikimet e meshkujve dhe kureshtjen në sytë e tyre.   

(Kosova Sot Online)