Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (5)

  • E.K /
  • 21 May 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (5)

Se çka kishin bërë nëna me Dianën, si ishin marrë vesh dhe çka kishin planifikuar - këtë nuk e dija, e as që më interesonte. Iu përkushtova në tërësi fëmijëve, punëve dhe obligimeve. Dorëzova kërkesën për shkurorëzim, duke pritur me durim ditën kur përsëri do të isha një mashkull i lirë, kur pranë vetes do të mund ta kisha ndonjë grua që e meritoja. Pas punës, sikur edhe shumë ditë më parë, shkova për ta marrë vajzën në kopsht. Edukatorja më shikoi me habi. - Gruaja juaj e ka marrë vajzën rreth pasdites. Më tha se duhej ta çonte te dentisti - tha ajo. Zemra më theri. Diana kurrë nuk i çonte fëmijët askund. Unë gjithmonë përkujdesesha për gjëra të tilla.

Derisa ajo në shtëpi shikonte seri TV, unë nuk shkoja në punë, në mënyrë që fëmijët t'i çoja te mjeku, por edhe për të gjitha obligimet e tjera. Fakti që ajo e kishte marrë vajzën, e që në ndërkohë kurrë nuk më kishte telefonuar prej se e kisha larguar nga shtëpia, nuk ishte një shenjë aspak e mirë. Në çerdhe nuk doja të bëja panik, por zonjës ia shpjegova sesi Diana dhe unë jemi duke u shkurorëzuar, dhe që, asnjëherë më, pa lejen time, nuk duhet të lejonte që ajo ta merrte vajzën. Sapo u ula përsëri në automobil, i telefonova nënës dhe i tregova se çka kishte ndodhur. Ajo më tregoi se atë ditë Diana kishte shkuar te nëna e saj dhe, nga atëherë, nuk ishin dëgjuar më. E thirra vjehrrën.

As ajo nuk kishte asnjë informatë shtesë. Nuk e dinte se ku gjendej Diana, e as çfarë qëllimesh kishte. Doja të çmendesha. I paaftë për të bërë ndonjë gjë, shkova në shtëpi. Dy fëmijët më të mëdhenj tanimë ishin duke më pritur. Iu tregova se çka kishte ndodhur dhe, posa përfundova, ra zilja e derës. U ngrita me të shpejtë dhe e hapa derën. - A jeni ju...? - më pyeti një djalë i ri. Unë ia konfirmova, e ai ma dha një zarf të bardhë. - Kush ma ka dërguar? - e pyeta, derisa isha duke e hapur me padurim. Ai e përshkroi një grua, për të cilën unë kuptova se ishte Diana. Ai u largua, e unë nxora një letër të bardhë nga zarfi. "Vajza gjendet te unë. Derisa nuk m'i paguan paratë që të thashë në llogarinë time, nuk do ta shohësh atë. Ti e di mirë se si e trajtoj unë atë. Varësisht nga ajo se me sa shpejtësi do të reagosh, do të kuptoj se sa e do atë.

Mos më kërko. As mos e thirr policinë. Unë jam nëna e vajzës dhe ti nuk mund të më bësh asgjë. Procesi gjyqësor ende nuk ka mbaruar, kështu që ti nuk je kujdestar ligjor i fëmijëve" - shkruante aty. Pesëdhjetëmijë euro ishte një shumë e madhe parash. Por, nuk ekzistonte ajo shumë e parave të cilën nuk do ta paguaja për lumturinë e fëmijëve të mi. Fakti që Diana më kërcënonte dhe më shantazhonte, vetëm sa dëshmonte se ajo nuk ishte aq mirë në kokë. Cila nënë normale do të sillej ashtu? Disa minuta u mendova se çka mund të bëja. E thirra fqinjën dhe e luta që të rrinte me fëmijët. Shkova në bankë dhe, pa u hamendur, nga llogaria ime barta në llogarinë e saj paratë që i kërkonte.U ktheva në shtëpi i shqetësuar. Shpresoja që, sapo ajo të shihte se ia kam paguar paratë, do të ma sillte vajzën në shtëpi. Koha kalonte ngadalë. Çdo shushurimë më bënte të kërceja nga frika. Krejt çka doja ishte që ta shihja vajzën time në shtëpi. (vijon)

(Kosova Sot Online)