Roman dashurie: Gruaja me sekrete (21)

  • E.K /
  • 22 May 2021 - 16:33
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (21)

Darka kaloi për mrekulli. Sokoli ishte shumë i disponuar, por as Dini nuk mbetej prapa tij në bërjen e shakave dhe tregimin e ngjarjeve interesante. Avokati i tij vetëm hante, sikur të ishte duke marrë shpërblimin për punën e vet në atë mënyrë. Në anën tjetër, Vlora ishte shumë e heshtur. Ndoshta ajo ndihej më së keqi, sepse në kokën e vet kishte bërë krahasime të pazakonshme midis Sokolit dhe Dinit. Aty kishte pyetje nga më të llojllojshmet dhe vlerësime të shumta. Por, përsëri e dinte përgjigjen në pyetjen se kush mund ta bënte femrën që të ndihej më e dashur dhe më të magjepsur. Pasi që mbaroi darka, Sokoli disi instinktivisht e kapi për dore. - Zonjusha e ka lënë veturën para zyrës sime, prandaj unë do ta çoj deri atje. Shokë, shihemi! Por, në atë moment para tyre doli Dini.

Unë do ta dërgoj Vlorën. Sytë e Sokolit u rrudhën. Ajo hetoi sesi ai filloi që t'ia shtrëngonte dorën. - Nuk ka nevojë, apo jo, Vlora? Vlora e dinte se Dinit i kishte premtuar gjysmë ore bisedë. Por, tani ndihej në siklet, pasi që kjo nuk kishte të bënte me asgjë tjetër, pos me ndjenjat ndaj saj. - E di se të kam premtuar se do të bisedojmë, por a mund të presë kjo deri nesër? Dini u mërrol. - Nuk ma merr mendja. Tani jemi partnerë dhe duhet ta respektojmë njëritjetrin, sikur edhe marrëveshjet që i kemi, pa marrë parasysh se sa i pakohë mund të duket momenti. Ajo filloi të ndihej shumë keq. Ai qartazi ia bënte me dije se nuk mund të luante me të. U kthye kah Sokoli. 

Ka të drejtë. Me të vërtetë jam e lodhur dhe e shqetësuar nga dita e sotme, por më duhet ta respektoj atë për çka jemi marrë vesh. Megjithatë ne të dy tani jemi partnerë. Sokoli mezi që e lëshoi. Shihej se ai ishte i zemëruar, më së shumti ndaj Dinit. Shumë shpejt u zhduk në drejtim të automobilit të tij, derisa avokati i Dinit tani kishte ndezur auton dhe ua bënte me dorë nga xhami. - Mund të shëtisim skaj lumit. Jo fort larg nga aty, gjendej një shëtitore, tani krejt e shkretë, por megjithatë kishte disa çifte që rrinin ulur dhe putheshin. Ajo pranoi. Pasi që arritën te shëtitorja, ajo ndjeu sesi era ia ledhatonte flokët. Kjo ishte një ndjenjë e mirë, sikur edhe fakti që afër saj ishte duke ecur ai mashkull i bukur. - Më duket se Sokoli të shikon me një sy tjetër. Jo vetëm si kliente.

Vlora u befasua. - Pse mendon kështu? - Ai është i zemëruar në mua. A jeni ju të dy në lidhje? - Jo, nuk jemi. Ai është një njeri i mrekullueshëm dhe jemi duke krijuar miqësi. - Mirë, mirë! Vetëm pyes. Do të doja që ta dija, nëse jeni. Flutura buzëqeshi. - Nuk e kam ditur që partneriteti nënkupton edhe rrëfimin rreth raportit me të tjerët. - Kjo nuk ka lidhje me partneritetin. Për këtë desha që të bisedonim. Ti e di se unë nuk jam indiferent ndaj teje. Tani jemi të kthyer nga njëri-tjetri dhe do të doja ta dija se si do të duhej të sillesha ndaj teje. - Nuk të kuptoj. Ai u ndal dhe papritmas e ktheu kah vetja. Ajo e ndiente frymën e tij, aq afër tij gjendej. - Dua që të më thuash se nuk kam kurrfarë gjasash me ty. Kështu, duke më shikuar drejt në sy, meqë diçka më thotë se as ti nuk je aq indiferente. Fytyra jote e cila skuqet kur të them diçka, ikja nga shikimi im. Ndoshta po gaboj, por më duhet ta di.

(Kosova Sot Online)