Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (3)

  • E.K /
  • 04 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (3)

Lëreni Laurën rehat. Ajo është shoqja ime më e mirë. Çanta të cilën e mban Laura më takon mua. E ka humbur bastin dhe tani i duhet ta mbajë në krah. Kurrë nuk do ta harroj atë shikimin falënderues të asaj vajzës. - Agim, të faleminderit që më ke mbrojtur - mezi i tha këto fjalë. - Janë të paktë ata fëmijë që e kanë të rëndësishme dukjen e çantës, e ata me të vërtetë janë fëmijë të lazdruar - i thashë. - E ne nuk jemi - buzëqesha. - Nuk jemi, ti dhe unë jemi të rritur - e thosha secilën fjalë me plot vetëbesim. Laura përsëri buzëqeshi. - Kjo për faktin se që të dy kemi probleme. Ata na kanë mësuar diçka që bashkëmoshatarët tanë nuk e kuptojnë. Prindërit e mi mendojnë se po jetoj lehtë. Askush nuk e di se si ndihem. - Agim, çfarë problemesh keni ju - më kapi për dorë me dorën e saj të butë.

E ndjeva se mundem t'i besoj. E kam përcjellë deri në shtëpi dhe ia hapa zemrën e fëmijës. I kam premtuar se mëngjesin tjetër që do të shkoja tek ajo, ta prisja dhe së bashku do të shkojmë në shkollë. Jam zgjuar një orë më herët se zakonisht, në mënyrë që të mund t'i arrij obligimet e tjera dhe e kam pritur Laurën para shtëpisë. I kam sjellë një çantë të re shkollore. E kisha një rezervë në shtëpi, të cilën ma kishin dhuruar gjyshi dhe gjyshja. Në fillim nuk deshi ta pranonte, por unë insistoja deri në momentin kur ajo nuk u dorëzua. Që nga ai moment, unë dhe Lura nuk jemi ndarë kurrë.

Po ecja rrugëve të qytetit. Në kokë më tingëllonte zëri i Sofisë. Nuk po mund ta mendoja se një grua sikurse ajo do të mund ta shikonte një të mjerë si mua. Ishte një qytetare e kulturuar, dukej sikurse një manekine nga ballinat e revistave të modës. Fakti se mua më dëshironte, pranë gjithë atyre meshkuj që mund t'i ofronin të gjitha, dukej si nata me ditë. Kurrë as që kam guxuat të mendoj për të. Çfarë mundja unë t'i dhuroja? Kulmi mbi kokën time ishte qielli me yje, shujta e përditshme ishte e ngjashme me ato nëpër kontejnerë, e këmbët ishin transporti i vetëm. Sofinë e kam njohur që kur isha i ri. Ajo dhe bashkëshortja ime e ndjerë ishin shoqet më të mira gjatë studimeve. Kishin humbur kontaktin kur ne të dy jemi martuar. Shpeshherë e kam pyetur gruan time pse nuk po e kërkon Sofinë, por ajo nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë.

Gjithmonë thoshte se njerëzit ndonjëherë ndahen, edhe pse nuk kanë arsye gjithmonë. Tani, derisa kujtoja këtë dhe mendoja për fjalët e Sofisë, tash më shtynte të mendoja se ndoshta gruaja ime ka ditur për ndjenjat e Sofisë që kishte ndaj meje. Thuajse kishin filluar të përshtateshin gjërat. Bashkë e kishim përfunduar filloren, e më pas edhe të mesmen. Kur mbusha 18 ika nga shtëpia e prindërve. - Agim, nëse e kalon pragun e kësaj shtëpie mos u kthe më - më tha i ati, kur ju thashë se dua të largohem. - Bir, mos bëj marrëzira. E gjithë kjo një ditë do të jetë jotja.

A mendon se nuk të duam? Pikërisht e kundërta, kemi bërë gjithçka që të bëhesh një njeri i ndershëm. Duhet të mësohesh me jetën - më bindte nëna. - Ju nuk e dini çfarë do të thotë dashuri. Nuk dua që pjesën tjetër të jetës ta kaloj si objekti juaj. Kam të drejtë ta kërkoj fatin tim. Kurrë s'e kam ndjerë ngrohtësinë e shtëpisë. Në këtë shtëpi mbretëron ftohtësia. Po shkoj dhe nuk mund të më ndaloni - thashë pa fije ndërgjegje. - Nëse shkon, nuk je më djali im - babai ishte i ftohtë si gjithmonë. - Atëherë pra harroni se keni pasur djalë, e unë do t'ju harroj juve. Edhe ashtu prindër ju kisha vetëm në letër - përfundimisht kisha guxim ta them mendimin tim. (vijon)

(Kosova Sot Online)