Ngjarje e vërtetë: E urrej jetën time (5)

  • E.K /
  • 29 May 2021 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: E urrej jetën time (5)

Gjatë asaj kohe shoqja kishte harruar ditëlindjet e saj dhe ato të bashkëshortit, e ata dy për çdo vit që nga ngjarja e Dardanes e krijonin një festë. Që të mos ndjehet e vetmuar dhe e pikëlluar, i organizonin surpriza, i bënin torta e gjëra të ngjashme. Në fakt, jetën e saj e matnin sipas kritereve të tyre, e Dardanja në anën tjetër nuk dukej aspak e pikëlluar, depresive e as e lodhur. Kur mendonte më mirë, Flora duhej që të pranonte se shoqja e saj gjithmonë kishte rrezatuar me optimizëm dhe kënaqësi. E kishte një energji të brendshme me të cilën mbushej, e sot Florës i dukej se e kishte marrë nga njerëzit e tjerë. -Nga njerëz si unë- mendoi, duke i kujtuar kur Dardanja i ndërronte meshkujt për çdo javë. Mendonte se sjellja e shoqes ishte në fakt kërkim i dashurisë, e sot i duket se ka qenë kërkim i kënaqësisë.

Në ato kërkime, ajo kishte gjithsesi sukses, meshkujt çmendeshin pas saj, i tërhiqte për hunde, e ata e adhuronin dhe kërkonin mënyra që ta bëjnë të lumtur. Për atë kohë Flora ishte duke u marrë me gjëra të përditshme me Blerimin, duke kërkuar mënyra që të mos grinden për gjëra të imëta, të lodhur dhe të nevrikosur rreth kujdesit ndaj fëmijës. E çlodhur dhe e freskët, Dardanja i vizitonte, zakonisht me një kilogram portokaj, ndërsa Flora gjithmonë e luste që të qëndrojë për drekë. Natyrisht, ajo kurrë nuk refuzonte dhe qëndronte aty deri vonë, ndërsa Flora po nevrikosej gjithnjë e më shumë, sepse foshnja qante, sepse foshnja ishte e përgjumur, e Dardanja gjithmonë kishte diçka të "rëndësishme" për të thënë. Për këtë nuk e fajësonte egoizmin dhe vrazhdësinë e saj, sepse ishin shoqe, kështu që është gjë natyrale që të ankohesh kur je në telashe. Gjatë festave të ndryshme, ajo gjithmonë ishte mysafire e tyre, por kurrë me partnerët e saj, për hir të diskrecionit dhe manovrimit të njohur me banesën.

Por, kur gjente diçka më të mirë, as që lajmërohej, kështu që Flora ishte tepër e brengosur në lidhje me faktin se çfarë ishte duke ndodhur me të, i telefononte, nganjëherë në ankth, e Dardanja i thoshte: - Kam qenë në skijim, më fal që nuk jua kam uruar vitin e ri, u nisëm menjëherë pas punës - justifikohej ajo, ndërsa Flora megjithatë nuk ia zinte për të madhe. Ishte mësuar me të. Në një rast, iu desh që në mesnatë ta dërgojë me veturë në një qytet tjetër, sepse Dardanes iu desh që urgjentisht të bisedojë me Tonin, dashurinë e madhe të saj. Toni ishte një mashkull simpatik pas të cilit çmendej Dardanja, e ai kryesisht e tërhiqte për hunde. Ai ishte mashkulli i vetëm për të cilin ajo vuante me të vërtetë, e pasi që dashuria zgjati për disa vite, Flora dinte gjithçka për lidhjen e tyre.

Shumë herë Blerimi u desh që të kujdeset për Fadilin, sepse ajo duhej ta vizitonte atë, kur mendonte se jeta nuk ka kuptim dhe se do t'i jepte fund asaj. Natyrisht, e priste në banesën e saj, e dehur. Flora rrinte me të deri në mëngjes, duke i zier çaj dhe duke parandaluar që ajo të mendojë për prerjen e venave. Sot Flora e ka të qartë se Dardanja e do shumë vetën për t'i bërë vetes diçka të keqe, por atëkohë ajo ishte shumë bindëse. Pas ndarjes përfundimtare nga Toni, pasi që ai ishte takuar me një bukuroshe, gjë që ia theu zemrën Dardanes, ajo u bë një person i ri. U bë e ftohtë ndaj meshkujve, por i shfrytëzonte sa herë që i ofrohej mundësia. Falë një mashkulli shumë më të vjetër se ajo, e përfundoi fakultetin të cilin e kishte regjistruar shumë kohë më parë. (vijon)

(Kosova Sot Online)