Roman dashurie: Gruaja me sekrete (35)

  • E.K /
  • 05 June 2021 - 15:58
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (35)

E lëvizi veturën dhe doli sërish që të përballet me Dinin. Ai qëndronte i mbështetur në veturë dhe e mbante kokën. -Të pyeta diçka. -Nuk ke të drejtë të më pyesësh asgjë. Ti je gënjeshtare dhe mashtruese. -Si? Për çfarë po flet? Ai e shikonte sikur dëshironte ta digjte me sytë e tij. Gati edhe ia doli sepse Vlorës filluan t'i dridhen këmbët. - Nuk e di? I dashuri yt, ndoshta edhe ish i dashuri, nuk e di, më telefonoi në mëngjes dhe më dha informata të rëndësishme të cilat është dashur t'i di para se ta kisha vënë nënshkrimin në kontratë. Tani Vlorës iu bë e qartë çdo gjë. Sokoli ishte aq i zemëruar sa që kishte vendosur që të hakmerret. Nuk mund të besonte se kishte rënë aq poshtë.

Por, megjithatë, kishte nevojë që të mbrohej. - Cilat janë këto informata, të cilat do të ta jepnin të drejtën që, në këtë mënyrë, të kërkosh të dalësh nga biznesi? - Ti je një fëmijë i politikanëve. Kurrë, pa marrë parasysh çka kam bërë në jetë, nuk më ka shkuar mendja që të më ndihmojë politika, që të qëndrojë prapa meje. Aq shumë kam ikur nga politika, me qëllim që të jem i pastër dhe neutral, që askush të mos drejtojë gishtin kah unë, duke më akuzuar se nuk kam kryer punën time me sinqeritet, apo se e kam tepruar. Unë e urrej politikën, i urrej politikanët. Kam hasur në fuqinë e tyre dhe qindra herë më është dashur të shkoj një hap prapa.

E, tani del ti, kaq e ëmbël, kaq e bukur, bile e gatshme edhe të investosh në biznesin tim, duke mos më treguar se kush qëndron prapa teje. Dhe, kur kjo të merret vesh, ky qytet, këta njerëz, do të kthehen kundër meje. Çdo sukses timin në të ardhmen do t'ia përshkruajnë lidhjes me politikanët. Vlora nuk mund të besonte çka ishte duke dëgjuar. Aq shumë kishte luftuar që të mos konsiderohej vajza e vogël e Mon Sopit, e bija e politikanëve të fuqishëm, e në momentin kur ishte e sigurt se ia kishte dalë kësaj dhe, në njëfarë mënyre, kishte dëshmuar se mund të ishte e pavarur, si një person që mendon me kokën e vet, e cila punon dhe funksionon pa ndihmën e mamit dhe babit, Dini ia thoshte këto fjalë. E poshtëron, e shtrin përtokë, ia shkatërron të gjithë vetëbesimin, të cilin e kishte fituar me mund dhe me kujdes, ashtu si ndërtohet kulla nga letrat. Sytë iu mbushën me lot.

Ti i urren politikanët, por unë nuk kam pasur mundësi të zgjedh prindërit e mi. Nuk ke të drejtë që të më nënvlerësosh vetëm për shkak të tyre edhe nëse ata janë njerëzit më të këqij në botë. Gjë që nuk janë, ti ende nuk i ke njoftuar ata. Unë nuk jam politikane. Më shiko! Nuk ke të drejtë të flasësh kështu. Unë kam dhënë gjithçka nga vetja ime që të ketë sukses biznesi jonë. Nuk mund të thuash të kem përmendur ndonjëherë lidhjet e mundshme, apo fuqinë që e kanë prindërit e mi. Këtë e kam fshehur ashtu si i fshehë gjarpri këmbët, por jo me qëllim që të të mashtroj, por që te unë të mos e shohësh bijën e filan familjeje, por të më shohësh kështu si jam. Më tmerron fakti se sa primitiv u tregove, sa i ngjashëm u tregove me Sokolin, i cili nuk mund të pajtohej me faktin se nuk doja të isha me të. E di, ndoshta më së miri është që të tërhiqem nga tërë kjo mesele, që të largohem nga këtu dhe çdo gjë ta çoj në dreq të mallkuar! Tregoj avokatit tënd se do ta thërras dhe do t'ia tregoj kushtet e tërheqjes sime nga biznesi. Mallkuar qoftë! (vijon)

(Kosova Sot Online)