Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (4)

  • A.P /
  • 06 June 2021 - 15:38
Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (4)

E lash shtëpinë pa para në xhep dhe u nisa në kërkim të një jete më të lumtur. Laura e dinte se çfarë planesh kisha. Mundohej që të ma thyente mendjen, por në anën tjetër më kuptonte. Nga ajo e kisha më së vështiri që të ndahesha. E kisha shoqen më të mirë, si motër. U martova me Emën kur kisha 26 vjet. Ishte simpatike dhe e këndshme, më donte me tërë zemrën. Shkuam në muajin e mjaltit, duke u kënaqur me bukurinë e Adriatikut, duke shikuar me dashuri çdo lindje dhe perëndim të diellit. Ajo donte një familje të madhe, e as unë nuk kisha asgjë kundër. Punonte si ekonomiste në bankë dhe me mjeshtri punonte me transaksione financiare. Tri vjet kishim jetuar si qiraxhinj, e më pas blemë një shtëpi. Prindërit e saj na ndihmuan aq sa mundën, kurse prindërit e mi nuk pranuan as që të vinin në dasmë.

Babai ma dërgoi një letër ku shkruante se ata më nuk kishin djalë. Kjo më mjaftoi që kurrë të mos i kërkoja më. Besoja se, me Emën do ta kaloja tërë jetën. Për fat të keq, fati e deshi ndryshe. Ajo thjesht vdiq në gjumë. - Ema, është koha për t'u zgjuar. Nuk na ka dalë gjumi. Jemi vonuar për punë - thashë duke u zgjuar me të shpejtë nga shtrati. Ajo nuk mu përgjigj. Edhe ashtu, e kishte gjumin e rëndë, prandaj e preka edhe dy-tri herë. Por, më kot. Iu afrova krejt afër dhe e putha në faqe. Ishte e ftohtë. E tunda. Nuk reagoi. E thirra, i thashë që t'i hapte sytë. Nuk reagonte. Kishte vdekur në gjumë. Autopsia vërtetoi se e kishte lëshuar zemra, për shkak të një deformiteti të zemrës, të cilën Ema as që dinte se e kishte. Dhe, kështu, në moshën 30- vjeçare mbeta i ve. Më duhej që të mendoja rreth deklaratës së Sofisë. Rrija ulur në bankën e parkut dhe i kisha mbyllur sytë. Në mendime e shihja qartë vajzën time.

E paramendoja sesi qeshte me gëzim, sesi me një hap të lehtë ecte nëpër pistën e vallëzimit dhe sesi të gjithë të pranishmit e shikonin vetëm bijën time. E, për pak sa nuk shkoi në mbrëmje të maturës. Gjithçka filloi disa muaj më parë, kur kujdestarja e saj e klasës i thirri prindërit në mbledhje të prindërve dhe mbledhjen e hapi me festimin e mbrëmjes së maturës. Pyeti se a kishte ndonjëri nga prindërit ndonjë propozim se ku do të duhej të organizohej ndeja. Një nënë ngriti dorën dhe ia dhanë fjalën. - Ndeja duhet të organizohet në hotelin më të mirë të qytetit tonë. Fëmijët janë pasuria më e madhe që kemi dhe meritojnë që ajo mbrëmje të jetë e veçantë për ta - tha ajo. - Pajtohem me ty. Unë kurrë nuk do ta harroj mbrëmjen time të maturës - tha një nënë tjetër. - Edhe unë jam për të njëjtin propozim - tha një baba, e më pas edhe disa të tjerë. Natyrisht.

Të gjithë ata kishin gjendje stabile materiale dhe kishin ndarë shuma të konsiderueshme për mbrëmjen e maturës, gjë që për ta nuk paraqiste ndonjë problem. Por, nuk mundeshin të gjithë të ballafaqonin shpenzime të tilla. Përpos fëmijëve të familjeve të pasura, në këtë klasë kishte edhe fëmijë të varfër, gjë që e tha edhe një nënë. Ata të pasurit e sulmuan papritmas. - Zotërinj, jeni duke e tepruar. Për të rinjtë ka rëndësi argëtimi i mirë, e jo hoteli më i mirë. Unë pajtohem me këtë zonjën - thash unë, duke i dalë asaj në mbështetje. - Mos ndoshta duhet t'i dërgojmë në park dhe t'ua blejmë nga një birrë? Përndryshe, vajza juaj as që është dashur ta vijonte gjimnazin - tha një njeri i pasur, i cili sa s'pëlciste nga zemërimi. - Zotëri, qetësohuni dhe mos e nënçmoni askënd - i tha kujdestarja e klasës, duke tentuar që ta qetësonte, por ai nuk dorëzohej. (vijon)

(Kosova Sot Online)