Roman dashurie: Gruaja me sekrete (37)

  • E.K /
  • 07 qershor 2021 - 15:48
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (37)

Me këtë veprim më së shumti e mbronte Dinin, duke ditur se i ati, sikur ta dinte çka kishte ndodhur, do ta përdorte tërë ndikimin e tij të madh, për ta ndëshkuar atë njeri. Kështu, të paktën deri në fund, dëshmohej si e papjekur, e paaftë dhe e varur. Ishte evidente se këtë e kishte të shkruar dhe nuk mund të ikte nga ky fat. Bile, herë-herë mendonte mos me të vërtetë ishte ashtu. Ndoshta edhe ajo duhej ta bënte një jetë sikur ajo që bënte vëllai i saj, Uka. Disa njerëz e kishin të shkruar që të jetonin në kurriz të të tjerëve dhe, për këtë, pak a shumë, t'i vuanin pasojat. Pas një jave, në llogari i dolën të gjitha të hollat që i kishte kërkuar nëpërmes avokatit. Të njëjtën ditë edhe u largua nga qyteti.

Disa gjëra i dërgoi më herët në shtëpi, e disa të tjera i ngarkoi në xhip. I vinte shumë vështirë që të largohej nga qyteza. Më së vështiri i vinte për shkak se, një ditë më parë, e kishte dorëzuar edhe dyqanin e antikiteteve. Të gjitha gjësendet që gjendeshin aty i kishte paketuar dhe i kishte nisur për në shtëpi me anë të një transportuesi. Dyqanin e kishte të paguar edhe për dy muaj. Për këtë shkak, ajo ia lëshoi dyqanin vëllait të punëtores së saj, që aty ta hapte një dyqan të rrobave të përdorura. I uroi shumë fat, që të kishte mundësi që, pas dy muajsh, ta paguante qiranë vetë. E, të fundit e takoi Sokolin. Edhe pse e urrente nga thellësia e shpirtit, i duhej që t'ia bënte me dije se nuk e kishte thyer plotësisht.

Po, e kishte dëbuar, por nuk ia kishte dalë që ta poshtëronte aq shumë, sa që të mos mund ta shikonte në sy. U ndal me veturë para zyrës së tij. I ra borisë së veturës dhe, pas pak, doli vajza, e cila punonte te Sokoli. Atëherë, punëtorja e thirri Sokolin. Ky i fundit doli disi i hutuar dhe pa vullnet iu afrua veturës. Vlora buzëqeshi nga dritarja e hapur. - Nuk je i lumtur që më sheh? - Më ke zemëruar. Ke qenë e keqe ndaj meje. - Ke të drejtë. Kam qenë e keqe. Desha që të doja, por nuk ia dola. Por, tani më vjen mirë që nuk m'u mashtrua zemra, duke të të zgjedhur ty. Të uroj ta bësh një jetë ashtu si e meriton. As më të mirë, as më të keqe. - Vlorë, a po shkon, a? - Natyrisht. - Mos! Shpresoj se nuk je duke shkuar për shkakun tim, apo jo? - Jo për shkakun tënd. Për shkak të dikujt tjetër. Më pas i dha veturës me të shpejtë. Ndiente një lehtësim të çuditshëm. Edhe, përnjëherë filloi që t'i gëzohej shkuarjes në shtëpi.

KAPITULLI I NJËZETESHTATË

Disa ditë më vonë, pas darkës familjare, ku Uka prezantoi të dashurën e tij të re, një manekine lëkurëzezë, Vlora për herë të parë mendoi mos kishte qenë e padrejtë ndaj familjes, ndaj mbiemrit që mbante. Prindërit e saj ishin njerëz të mirë, të drejtë, e fakti që ishin të zhytur në politikë, nuk i kishte ndryshuar aq shumë, sa mendonin të tjerët. Filloi ta pyeste veten, a kishte të drejtë që të ndiente turp që kishte prindër të tillë, t'i "fshihte" ata, t'i fajësonte për qëndrimin që të tjerët e mbanin ndaj saj. Por, e kishte vështirë që përsëri të mësohej me shtëpinë plot njerëz, ku njerëzit vinin e shkonin dhe ku nuk kishte asgjë të mençur që të bënte, pos që të shihej me Lolën dhe me shoqet e tjera, të dilte, të flinte deri pasdite dhe përsëri të ishte disi një qenie e pavlerë njerëzore. Por, e dinte se më nuk do të tentonte që të dëshmohej. Mjaft më! I duhej që të pajtohej me veten e saj dhe me atë që ishte. (vijon)

(Kosova Sot Online)