Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (5)

  • E.K /
  • 07 June 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Për pak mbeta edhe pa vajzën e adoptuar (5)

Në momentin kur mbeta pa Emën, mu shkatërrua e tërë bota. U mbingarkova me punë, duke kërkuar ngushëllim dhe shpëtim. Mendoja se kishte ardhur koha që të pavarësohesha, që të bëhesha i zoti i vetes. Për këtë shkak lëshova punën në fabrikën ku punoja dhe formova një sipërmarrje private. Për një kohë punoja vetëm, e më pas punësova pesë njerëz. Ia nisëm mirë, e as rezultatet nuk mungonin. Edhe më tej isha në kontakt me Laurën, e vizitoja sa herë që gjeja ndonjë kohë të lirë. - Agim, jam e lumtur që erdhe sot. Më duhet të bisedoj seriozisht me ty. Të lus për ndihmë - më tha një të diel pas dite. - Do të të ndihmoj me kënaqësi, aq sa mundem. - Nuk më kupton, e as që mundesh.

Atë që tani do të ta kërkoj është shërbimi më i madh që mund t'ia bëjë ndokush, ndokujt. - Ma thuaj, aman! Mos është Erona e sëmurë? - e pyeta, i frikësuar. - Erona nuk është, por unë jam. - Çka ke? - Kam një tumor malinj në tru. Nuk më ka mbetur edhe shumë jetë. Erona pas pesë muajsh do t'i mbushë katër vjet. Sipas të gjitha gjasave nuk do ta pres ditëlindjen e saj. - Do ta gjej mjekun më të mirë - e bindja, i shqetësuar sinqerisht për shëndetin e mikeshës më të mirë. - Tumori nuk mund të operohet. Jam pajtuar me fatin tanimë. Të lutem, adoptoje Eronën time. Vetëm kështu do të mund të shkoj pa gajle në botën tjetër. E di se jam duke kërkuar shumë nga ti, por nuk e kam askënd tjetër. Nuk mund të lejoj që Erona të përfundojë në jetimore. Agim, të lutem, më ndihmo - më tha, derisa sytë i ishin mbushur me lot.

Nuk u hamenda fare, menjëherë pranova që të bëhesha baba i vajzës së bukur. Ashtu sikur edhe kishte parashikuar, Laura nuk e priti ditëlindjen e katërt të Eronës. Vdiq në një ditë të qetë pranverore, duke ma lënë amanet gjënë e saj më të çmuar. Derisa qëndroja ulur në park, ndjeva dorën e dikujt në sup. I hapa sytë dhe e pashë Sofijen. Kujtimet u zhdukën. Para meje qëndronte një grua e mrekullueshme. - Nuk doja të të frikësoja me ndjenjat e mia, vetëm ma morri mendja që ka ardhur koha që të ta hap zemrën. Edhe Ema ishte në dijeni për dashurinë time ndaj teje, për këtë shkak edhe ishim bërë të huaja për njëra-tjetrën - më tha, sikur të ishte duke m'i lexuar mendimet. - Mu për këtë edhe mendoja, Sofije, ti je një femër e mrekullueshme. Më ke ndihmuar shumë - fillova. - Kaluan kaq vjet nga vdekja e Emës.

Jam e sigurt se as ajo nuk do të donte që, pjesën tjetër të jetës, ta kaloje në vetmi. A nuk të pëlqej aspak? - Më pëlqen tej mase, nuk është kjo në pyetje. Por, Sofije, çka mund të të ofroj unë? - në atë moment u ndjeva i turpëruar nga vetja ime. - Atë që është më e vlefshmja, dashurinë - më pëshpëriti ajo. - Tash e një vit jam i pastrehë. U takuam rastësisht pas tërë atyre viteve dhe, pasi që të thash se i kisha humbur të gjitha, ti ia ofrove Eronës një shtëpi. Ajo të do pa masë. dhe, jo vetëm ajo. Edhe për zemrën time je e dashur, por unë nuk jam askush dhe asgjë. (vijon)

(Kosova Sot Online)