Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (3)

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (3)

Ariana më shikoi e tmerruar. - Por, këtë nuk mund ta përballojmë! Sidomos jo tani kur unë pothuajse nuk fitoj asnjë qindarkë - tha e ngurtë. - O të lutem, lëre mos u brengos, gjithçka do të jetë në rregull - thashë unë me një zë të lumtur. Po, edhe unë po brengosem nëse do të mund ta paguaj hipotekën. Pa e ditur ajo jam nisur për të kërkuar një punë. Dhe me të vërtetë, pa kaluar mirë një muaj kam gjetur një vend pune që më ofronte një pagë të mirë, e në të njëjtën kohë më lejonte hapësirë të mjaftueshme kohore që të jam me Arianën. I kam treguar gjithçka për gruan time të sëmurë, për të cilën duhet të kujdesem dhe më kishte kuptuar plotësisht.

Për punën e re, Arianës i kam treguar vetëm pasi e kam nënshkruar kontratën. Ishte thellë e prekur. - Ti këtë e ke bërë për hatër timin… e ke lënë punë që e ke dashur aq shumë - më tha me lot në sy, e më pas shtoi: Sa keq po më vjen! E kam pranuar në përqafim dhe fort e kam shtrënguar për veten time. - Nuk ke pse të të vijë keq! E kam bërë këtë sepse dua të kaloj më shumë kohë me ty. Plaku im me të vërtetë ishte bërë tepër kërkues. Në ditën e parë të punës në ndërmarrjen e re, kolegu im nga puna me të cilin po e ndaja dhomën më ka dërguar në ndërtesë që të më njohë me bashkëpunëtorët.

Këtu, me këto zonja, duhet të kemi sidomos kujdes sepse për çdo muaj ato na i shtypin të hollat - e tha me shaka. Ia ofrova dorën një zonjushës, e më pas edhe tjetrës… dhe ndalova. Nuk po ju besoja syve të mi! - Meritë… ti - pyeta i habitur, duke e shikuar një zonjushë me flokë të zinj dhe kostum me ngjyrë të kuqe. - Po, Fitim, kokë e këmbë, unë jam! E ty çfarë të ka sjellë këtu te ne? Edhe më tutje po e shikoja duke mos u besuar syve të mi, por kur e kam vërejtur se edhe kolegët e tjerë po më shikojnë, shumë shpejt aktrova se nuk isha interesuar më shumë. - Bota me të vërtetë është e vogël. Ishte kjo dita ime e parë në punën e re dhe nuk kam dashur që të fillojnë thashethemet për mua.

Askujt nuk po i interesonte se këtu e kam takuar dashurinë e jetës sime, nga ditët e rinisë. Mu për këtë arsye kam vendosur ta përcjellë kolegun, me shpresën se askush nuk do ta vërente se sa fort më rrihte zemra ime. Më vonë, derisa isha ulur në tavolinën time të punës dhe po mundohesha që të njihesha me projektet e tjera, disa herë kam shikuar me kokë nga anash. Ishte krejt e pabesueshme që fati më befasoi duke e takuar Meritën, dashurinë e jetës sime, të cilën së fundmi herë e kisha takuar para 27 vjetëve. Pos disa rrudhave të vogla përreth syve, pothuajse nuk kishte ndryshuar asgjë. Ende i kishte ata sytë e ngrohtë, më buzëqeshi dhe më shikoi disa herë.

Kishte ato buzët e njëjta që i kisha puthur aq shumë. Vetëm se flokët i kishte më të shkurtër. Dikur kisha dëshirë ta merrja aromën flokëve të saj të gjatë me ngjyrë gështenje, të cilat i përplaseshin nëpër shpinë, pasi kishim bërë dashuri. Zoti im, sa shumë kohë që ka kaluar, sa e sa ndryshime kishin ndodhur, në jetën e saj dhe në timen. Merita asokohe kishte tetëmbëdhjetë,e unë isha njëzet vjeç , e ne ishim një çift i pandarë. Ishim betuar atëherë në dashuri të përjetshme, por vetëm pas një vit na u desh ta shkelim fjalën e dhënë: unë kisha regjistruar fakultetin në qytet, derisa ajo kishte mbetur në qytezën tonë të vogël. Ndarja ishte përcjellë me lot, të mitë dhe të saj. Por derisa unë besoja se për neve gjithmonë ekziston një e ardhme e përbashkët, ajo nuk po mund të pajtohej me faktin se do të takoheshim dhe do të shiheshim vetëm gjatë vikendeve dhe se kishte gjetur ngushëllimin te dikush tjetër, shokun tim më të mirin që atëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)