Prenka: Kurti ka arritur të ndërtojë një narrativë ku ai është ‘viktima’ e strukturave të vjetra

Prenka: Kurti ka arritur të ndërtojë një narrativë ku ai është ‘viktima’ e strukturave të vjetra
Prenka: Kurti ka arritur të ndërtojë një narrativë ku ai është ‘viktima’ e strukturave të vjetra

Zef Prenka

  • 02 May 2026 - 08:00

Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka

Analiza e situatës politike pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit pasqyron një moment kritik për demokracinë në Kosovë, ku përgjegjësia kryesore për këtë ngërç i atribuohet drejtpërdrejt stilit udhëheqës të Albin Kurtit. Panorama në Kuvend nuk i ngjante një debati parlamentar të një republike demokratike, por më shumë një skene të kontrolluar me përpikëri, ku Kryeministri diktonte çdo lëvizje, duke krijuar imazhin e një "mini-Kine komuniste" në zemër të Prishtinës.

-Ajo që u pa në foltoren e Kuvendit ishte një shfaqje e pastër e politikës destruktive. Albin Kurti nuk kërkoi partneritet, por nënshtrim. Qasja e tij ndaj liderëve të opozitës, si Lumir Abdixhikut dhe Bedri Hamzës, nuk ishte ftesë për shtetndërtim, por një përpjekje për t’i asimiluar ata si "zëvendës" ose thjesht dekor nën ombrellën e tij. Kjo tendencë për të dominuar çdo institucion tregon se pas 99% të këtij dështimi qëndron ambicia e tij për pushtet absolut, ku figura e "Mao Ce Dunit" modern shpërfaqet përmes kontrollit të rreptë mbi deputetët e tij, të cilët veprojnë si numra të thjeshtë pa vullnet individual.

Kurti ka arritur të ndërtojë një narrativë ku ai është gjithmonë "viktima" e strukturave të vjetra, edhe kur ka të gjitha levat e pushtetit në dorë. Ky është një manipulim i sofistikuar i elektoratit, duke shfrytëzuar ndjenjat e tyre për të mbajtur gjallë një luftë artificiale kundër opozitës. Duke e quajtur opozitën "në rënie të lirë" në momentin kur vendi ka nevojë për unitet, ai vërtetoi se qëllimi i tij i vetëm është gara elektorale e radhës, jo zgjedhja e Presidentit apo stabiliteti i Kosovës.Dëmi që kjo politikë i ka bërë Kosovës në gjashtë vitet e fundit tejkalon çdo rrezik tjetër të jashtëm, pasi po gërryen themelet e brendshme të demokracisë. Nëse nuk ndalet ky hov monist, Kosova rrezikon të shndërrohet në një provincë ku mendimi ndryshe shtypet me arrogancë dhe ku institucionet i shërbejnë vetëm një njeriu. Ky është leksioni i fundit për elektoratin: vota e papërdorur apo e dhënë nën eufori po i hap rrugën një autoritarizmi që vishet me lëkurë qengji, por që synon "gllabërimin" e çdo vlere demokratike në vend.

Ky dështim kushtetues nuk ishte aksident, por një akt i paramenduar politik për të çuar vendin drejt një polarizimi edhe më të madh, ku vetëm Albin Kurti del si fitues absolut mbi gërmadhat e kompromisit institucional.

Situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës tregon një skenë politike ku opozita gjendet para një akti të kryer, e detyruar të operojë në një mjedis ku rregullat e lojës përcaktohen vetëm nga një palë. Kjo qasje e Albin Kurtit ka krijuar një presion të paprecedent mbi subjektet opozitare, duke i vënë ato në vështirësi për të gjetur një kundërpërgjigje adekuate ndaj një stili udhëheqës që i ngjan regjimeve moniste.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".