Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (4)

  • E.K /
  • 26 June 2021 - 15:37
Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (4)

Aq shumë vite kishin kaluar nga atëherë, e përnjëherë gjithçka e kisha të gjallë para syve, sikur të kishte ndodhur dje. Atë mbrëmje i tregova Arianës gjithçka që kishte ndodhur ditën time të parë të punës në sipërmarrjen e re, por takimin me dashurinë e vjetër, nga ditët rinore, nuk ia përmenda. Në vendin e ri të punës jam përshtatur mirë dhe isha shumë i kënaqur që tani kisha më shumë kohë për gruan time. Megjithatë, përkundër të gjitha atyre përpjekjeve që t'ia bëja Arianës më të mirë jetën, një ditë m'u desh ta pranoja se ajo ishte duke u dorëzuar. Punët e shtëpisë e kishin lodhur së tepërmi, e kur e rroknin dhembjet e mëdha, me ditë të tëra nuk dilte nga shtrati. E linte pas dore bile edhe pamjen e vet të jashtme, të cilës dikur ia kushtonte një vëmendje të madhe.

Duke mos ditur çka të bëja më, e thirra nënën time, duke e lutur që, derisa unë të isha në punë, t'i ndihmonte gruas, por ajo e refuzoi një gjë të tillë. Dje thjesht më nxori nga shtëpia, kur kisha shkuar që t'i ndihmoja. Kur ia thash këtë Arianës, më tha shkurt: - Mundem edhe vet! Nuk kam nevojë për nënën tënde që të m'i bëjë punët e shtëpisë. - Por, zemër, lejoje që të të ndihmojë. Shtëpia është e madhe dhe, thjesht, ka tepër punë për ty - mundohesha ta bindja. - Dëshiron të thuash se shtëpia është e papastër? - përsëri m'u kthye me zemërim, e unë më nuk dija çka të thosha. Sikur ta kisha fuqinë që të isha i sinqertë, do t'i thosha se po, shtëpia ishte e ndotur dhe mjafton që të shikojë përreth! Nëpër skuta ishin mbledhur duça të pluhurit, në lavaman kishte plot enë të palara, e gjithandej shiheshin mbetjet e ushqimeve. Kjo tregonte se gruaja ime, përndryshe tepër e rregullt, kishte rënë në depresion të thellë.

Meqë edhe vet isha nën presion, që të mos çmendesha, kohë pas kohe i lejoja vetes ndonjë argëtim. Ndonjëherë ishte një gotë birrë me miqtë pas mbarimit të orarit të punës, e herë-herë takohesha me Marien në kafe. Në fillim takimet tona ishin të rastësishme, por me kalimin e kohës, ato u shndërruan në takime të rregullta javore. Bisedonim rreth kohëve të vjetra dhe qeshnim me marrëzitë tona të rinisë. U rrëfyem para njëri-tjetrit rreth jetës sonë të tanishme. Edhe Maria kishte qenë e martuar me vite të tëra, por në ndërkohë ishte shkurorëzuar. Kënaqej me jetën e saj si e vetme. - Një më ka mjaftuar - më thoshte ajo duke qeshur. - Vetëm në rastin tënd do të isha e gatshme që të bëja përjashtim - shtoi dhe përnjëherë u bë tepër serioze. Shikimi i saj nuk më pëlqente.

Të lutem, Maria, mos fol kështu. Ti e di se jam i martuar dhe se e dua Arianën. Ajo ma ledhatoi fytyrën me dorë. - E di… Por, përsëri, më duket se të humba mbrëmë - tani në sytë e saj u panë lotët! Më pas m'u desh që ta orientoja bisedën në një drejtim tjetër. Por, nuk e bëra këtë, mirëpo me tërë shpejtësinë ia mësyva humnerës... Më duhej t'ia pranoja vetes sime se ende, apo thënë më mirë, përsëri e doja Marien. Në një mënyrë tjetër nga ajo si e kisha dashur Arianën, por ndjenjat ishin aty. Nuk kishte arsyetim për aferën time të madhe të mëtejme me Marien. Rrethana e vetme lehtësuese ishte se, atë kohë, me të vërtetë ndihesha i tejngarkuar. (vijon)

(Kosova Sot Online)