Roman dashurie: Një jetë më e mirë (14)

  • E.K /
  • 26 June 2021 - 15:47
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (14)

Nxori celularin nga çanta dhe filloi ta kërkonte numrin e njeriut me të cilin duhej të takohej. Ai quhej Agim. Para se ta sillte numrin, u hamend. Donte që sa më shpejt të mbaronte punë në lidhje me dokumentet, e të kthehej në banesën e saj të ngrohtë, në kryeqytet, për t'iu telefonuar Lazimit dhe Selamiut, duke vënë përfundimisht pikën në të kaluarën e saj. Por, tani kur gjendej në prag të shtëpisë, diçka e shtynte që, më parë, të ballafaqohej edhe një herë me të kaluarën e saj. Për këtë shkak e la thirrjen telefonike ta bënte më vonë dhe u nis kah shtëpia me hap të ngadalshëm. Konstatoi sesi fasada e dëmtuar e shtëpisë tanimë nuk shihej nga ferrat. Kur u afrua më shumë, kuptoi se mungonte edhe pjesa më e madhe e gardhit të drurit, kështu që më nuk ekzistonte asnjë "kufi" midis oborrit dhe rrugës.

Dera ishte thyer dhe hedhur anash. Disa të moshuar shiheshin në kafenenë aty përballë, të cilët ia kishin ngulur sytë asaj. Pyeteshin se çka mund të kërkonte në një vend të tillë një zonjë elegante. Ajo nxori çelësin nga çanta, ku çelësi i shtëpisë ishte gjëja e vetme që ia kishte lënë i ati dhe e hapi derën. Vinte erë lagështie. I erdhi që të villte. Mobiliet ishin aty. Po ashtu, gjithandej kishte shishe të birrës. Xhami i derës së kuzhinës ishte thyer, e lavamani ishte plot pjata të mykura. Hyri në dhomën e saj. Shihej qartë se i ati aty nuk kishte shkelur ndonjëherë. Ende mbi shtrat qëndronte mbulesa e verdhë, të cilën e kishte vendosur vetë ajo, para se të shkonte me Selamiun.

Dhoma ishte plot me rrjete të merimangës. Nuk mundi të qëndronte aty për një kohë të gjatë. U kthye në sallon dhe qëndroi para derës së dhomës së prindërve. Nuk e dinte a duhej të hynte brenda. Prej se i kishte vdekur nëna, Jehona kurrë nuk kishte hyrë në atë dhomë, e cila ishte shndërruar në strehimoren e të atit. Kishte frikë se brenda mund ta gjente fantazmën e të atit. E hapi derën. Shtrati i madh martesor ishte i shtrembëruar. Në të gjendej vetëm një jastëk, ku mbështjellësi i tij, dikur i bardhë, tani ishte bërë tërësisht i hirtë. Në mur qëndronte fotografia bardhezi nga dasma e prindërve të saj. U ndal për ta shikuar. Ishin aq të bukur - i ati me flokë të krehura, i buzëqeshur dhe plot jetë, e nëna me një shikim të turpshëm, e ngjitur për supin e burrit të saj. Filluan që t'i rridhnin lotët. Por, e mori veten dhe vazhdoi që ta shikonte dhomën. U habit nga rregulli që pa.

Aty nuk kishte asnjë shishe. E hapi ormanin e madh. aty gjendeshin rrobat e babait dhe nënës së saj, të renditura mirë e mirë. Jehona mendoi se kështu i ati, me gjasë, ishte munduar që ta manifestonte nderimin ndaj nënës, gruas së tij. Kjo dhomë sikur ende jetonte në një kohë të shkuar. Ishte një oazë e së kaluarës dhe një jete më të mirë, në të cilën i ati i saj, të paktën në ëndërr, mund të shpresonte se deri te ajo fatkeqësi nuk kishte ardhur asnjëherë dhe se, si pasojë e kësaj, nuk kishin ekzistuar as ato goditjet dhe fjalët e tmerrshme drejtuar nënës së saj. (vijon)

(Kosova Sot Online)