Roman dashurie: Një jetë më e mirë (17)

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 15:53
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (17)

Agimi po e shikonte me vetullat ngritur. - Humanitar? Po, kjo është mirë nga ana jote. Megjithëse kam frikë se edhe të varfrit disi kanë ndryshuar. Kur kam vendosur që të kthehem në Kosovë, e kam bërë këtë, sepse e dua popullin tim. Mirëpo, më duhet ta pranoj se jam zhgënjyer me shumë gjëra që i kam vërejtur, nëna ime u martua me një pasanik, i ati im është milioner, e pasi nuk kanë fëmijët e tyre, më ka pranuar, madje që të dy, pa asnjë paragjykim. Jam shkolluar në fakultetin më të mirë në Barcelonë dhe vendimi im për t'u kthyer këtu më ka sjellë një shumë të majme të hollash, si dhuratë për një jetë të re. - Ju jeni avokat? Çfarë lidhje ka kjo me ndërtimtari? buzëqeshi, thuajse po priste pikërisht këtë pyetje.

Ka, por shumë pak. Si avokat këtu do të kisha shumë të holla, por e kam menduar se më mirë është të ndërtoj për bashkësinë, sesa të fitoj të holla nga individët. Sfidat e mia janë të mëdha, e investimi në një qendër të madhe tregtare është projekt më i madh sesa të shkoj në gjykatë dhe ta mbroj dikë. Jehona u pajtua me këtë. - Kam dashur t'ju them se gjesti juaj për t'i dhuruar gjërat e vjetra në këtë qytet do të hasë në thikë me dy tehe. Edhe ata më të mjerët më parë do t'ju pështyjnë në fytyrë sesa t'ju falënderohen. Këtu varfëria shihet si një turp, e jo si fatkeqësi. Nuk po ju propozoj që këtu të provoni të bëni diçka të mirë. Më parë të gjitha ato gjëra do t'i shisnit në treg sesa që do të mund t'ia dhuronit dikujt. Ajo e kishte kuptuar se çfarë po i thoshte.

Nëpër rrugët e Prishtinës ajo kishte takuar disa lypës, me fëmijët e vegjël nëpër duar, që po e shanin, kur po u jepte të holla të imëta. - Po çfarë të bëj atëherë? Më vjen keq që ato gjëra të humbin. - E kam një propozim, por... Kjo do t'ju merrte kohë, e jam i sigurt se edhe do të jetë ngarkesë. Jehona po e shikonte me kureshtje. - Thuaje? - Rreth tridhjetë kilometra nga këtu, është një familje me dhjetë anëtarë. Janë njerëz me vlera dhe të thjeshtë, jetojnë në një shtëpi prej baltës, ngrohen rreth zjarrit, kanë një shtëpi të vjetër, ku fëmijët flenë nëpër dysheme.

Kanë edhe dele, shesin pak perime dhe ushqehen nga pak. Gjyshin e kanë të sëmurë dhe të varfër, ka kancer në mëlçi. Unë kohë pas kohe u dërgoj të holla, së paku një herë në muaj, ju dërgoj ushqim dhe dhurata. Po mundohem që nënës së fëmijëve t'ia rregulloj një qëndrim në kryeqytet, për t'u kontrolluar te mjeku. Në fakt, edhe gjyshi i tyre gjithë ditën rri i shtrirë, nuk mund të ngrihet fare. I ati i tyre ishte një pasanik i madh, ka ndërtuar disa objekte në kryeqytet. Por, komunizmi i ka sjellë në këtë gjendje. I kanë dhuruar pak të holla dhe i kanë vendosur aty. Për ta kjo ndihmë do të ishte e mirëseardhur. Jehona ishte magjepsur me tregimin e Agimit, e kishte rrëzuar për tokë. (vijon)

(Kosova Sot Online)