Roman dashurie: Një jetë më e mirë (16)

  • E.K /
  • 28 June 2021 - 15:54
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (16)

Mendonte se, pranë një njeriu të tillë, kurrë nuk do të mërzitet. - Thatë se doni që këtë punë ta mbaroni sa më parë. D.m.th. çmimin e keni pranuar? Jam i gatshëm që, pas nënshkrimin e kontratës, t'ua paguaj shumën e dakorduar. Nëse doni që, para rrënimit të shtëpisë, të merrni ndonjë gjë, shoferët e mi çdo të tretën ditë shkojnë në kryeqytet. Marrëveshja mund të jetë e gatshme që nesër, por unë desha që t'i konfirmonim të gjitha detajet. Ajo pohoi me kokë dhe e la që të thotë çka kishte. E shikonte dorën e tij derisa pinte kafe. Ai nuk kishte unazë. Në atë moment zbriti kamerierja dhe solli një kapuçino dhe një gotë ujë, duke e shikuar çuditshëm Jehonën.

Jehona kuptoi se syzet e errëta nuk ishin adekuate për hapësirën e errët në të cilën rrinin, por mezi mori guximin që t'i hiqte. Kishte frikë se do ta njihnin. Sapo zbuloi sytë e saj të zinj, Agimi e shikoi me habi. - O Zot, unë ju njoh ju! Dora i dridhej aq shumë, saqë uji iu derdh në pantallona. - Uh, çfarë torollakeje jam! Për një moment sikur edhe Agimi harroi çka tha më parë dhe e shikonte se si me duar fshinte pjesët e lagëta të rrobave. - Unë e di nga jeni, i ati juaj jetonte në atë shtëpi deri tash vonë, por unë jam larguar herët nga ky qytet, kështu që nuk kam ditur se ai ka një vajzë. Atëherë edhe Jehonës iu kujtuan disa gjëra. Në klasën e parë të shkollës fillore nuk i interesonin djemtë, por në pushime vërente se si vajzat mblidheshin rreth një djaloshi zeshkan, gjithmonë të buzëqeshur.

Një ditë, në murin e shkollës, ishte parë mbishkrimi: "Agim, më pëlqejnë sytë e tu të gjelbër!" dhe disi e dinte se kjo i drejtohej atij. Por, që vitin tjetër nuk e shihte më në shkollë. Kur kishte nëntëmbëdhjetë vjet, ajo ishte duke qëndruar me Vjollcën në kopshtin e kafenesë së njëjtë, duke dorëzuar ndërrimin, kur rrugës kaloi "Mercedes"-i nga i cili dëgjohej muzika. Vjollca ofshau. - Eh, sikur këtij t'i shkonte mendja të martohej me ndonjë vajzë nga ky qytet, e ta merrte atje, në Spanjë, nuk do të hahej prej së miri. Edhe atëherë Jehona nuk e kishte idenë se, në atë veturë të zezë, ishte po ai djali të cilit i ishin drejtuar fjalët e dashurisë në murin e shkollës. - Kush është ai, bre? - Ai është Agimi. I biri i kryetarit të dikurshëm të komunës. - A paska ai djalë, a? - Ka, por pasi që ai dhe gruaja e tij u ndanë, nëna e mori atë me vete, në Spanjë. Agimi nuk erdhi te i ati një kohë të gjatë, por tani e dy vjet vjen rregullisht për pushime. Jehona e kishte parë edhe një herë, disa ditë më vonë.

Ishte duke u kthyer nga puna, e ai ishte ndalë që ta blinte gazetën. U shikuan kalimthi, e ai buzëqeshi. Nga ajo buzëqeshje kishte jetuar një muaj të tërë. Nga atëherë nuk e kishte parë më. Për këtë shkak edhe nuk e kishte njohur. - Unë kam vendosur që të rri këtu edhe një ditë. Mora një dhomë në hotel, kështu që nesër mund t'i kryejmë të dy marrëveshjet. Nga shtëpia nuk do t'i marr gjësendet e mëdha. Vetëm do të doja që gardërobën e prindërve të mi t'ia falja ndokujt. Rreth kësaj do të mund të më ndihmonit. A e dini ku mund t'i çoja? (vijon)

(Kosova Sot Online)