Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër (3)

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër (3)

Vetëm tani u zemërova në të. Më dukej se, sikur të mund të ngjallej, për herë të parë do t'ia ngritja zërin. Edhe pse, sikur të ishte gjallë, midis nesh nuk do të kishte asgjë përpos një kureshtje të thjeshtë. Hëm… Ky drejtim mund të jetë njëfarë përmirësimi. Nga kureshtja shkova deri tek adresa që ma dha. Aty gjendej në kolibe e vogël, e rrëzbitur. Nuk dija a ta prisja një ndërtesë me një banesë të re për mua, ndonjë projekt të ri të babait, apo ndonjë truall... Nuk kuptoja çka duhej të shihja në vendin e shtëpisë së dëmtuar të montuar. Duke menduar mos nuk e kisha parë mirë adresën, e meqë nuk e kisha letrën në xhep, u ktheva në shtëpi. Atje më priti një situatë më pak e qartë sesa shikimi mbi shtëpinë e panjohur. Nëna kaloi afër meje sikur t'i kisha faj ndonjë gjë, por nuk e dija a për shkak të babait, apo peripecive rreth testamentit.

Më shumë nga kureshtja, meqë për nga natyra jam tepër kureshtar, përsëri i rashë rreth e rrotull asaj shtëpie. Kësaj here i rashë edhe ziles, nuk e di pse. Fundja, nuk dija çka të bëja. Derën ma hapi një grua e moshës së mesme, në fakt, moshatare e prindërve të mi. Dukej e hequr keq, me fytyrën tërë rrudha-rrudha edhe pse linte të besohej se dikur kishte qenë e bukur. - Urdhëroni? - më tha ajo, me zërin e dikujt që nuk ishte mësuar t'i binte rrotull. Në fillim heshta, duke i kërkuar fjalët adekuate. - Unë… - fillova të belbëzoja. - Më dërgon filani… Ende nuk e përfundova fjalinë si duhej, kur ma mbylli derën para hunde. Tani, të paktën e dija se isha në adresën e duhur. Për këtë shkak edhe të nesërmen, në të njëjtën kohë, trokita në atë derë. Kësaj here derën e hapi një vajzë simpatike, e moshës sime.

Krahasuar me, supozoj, nënën e saj, ajo ishte më e kuptueshme. - Unë … - asaj i buzëqesha, meqë më çarmatosi shprehja e saj e fytyrës. - I ati im i ndjerë, në testamentin e tij më ka thënë që ta vizitoj këtë shtëpi… - fillova, duke e ditur se edhe mua ai rrëfim, sikur ta kisha dëgjuar nga ndonjë njeri i panjohur, i cili nga dita në ditë më vinte në derë, në rastin më të mirë, do të ishte bizar. - Do ta pyes nënën… - tha ajo dhe hyri brenda, duke e lënë derën hapur. Edhe pse nuk mund t'i dëgjoja se çka ishin duke folur, kuptova se ishin duke u grindur, se vajza kërkonte shpjegime, e nëna nuk bënte lëshime dhe ishte e zemëruar. - Atëherë thuaja ti, unë nuk do të jem e pasjellshme ndaj njerëzve të panjohur … - dëgjova vajzën duke thënë, pak para se zonja të paraqitej para meje. - Dëgjo, djalë - më tha me pauza.

Mos eja më. Kështu iu kam thënë edhe atyre që ishin para teje. Nga ai nuk më duhet gjë. Nëse mendon se do ta pastrojë ndërgjegjen e vet duke ma dërguar ndonjë zarf, gabon rëndë. - Zonjë, unë jam biri i tij - thashë. - Përndryshe, pa marrë parasysh se cili ishte raporti midis jush, nuk është mirë që të flisni kështu për të, meqë ai tanimë ka ndërruar jetë. Pasoi një qetësi varri. Në fytyrën e zonjës dikur të bukur herë vinte një ngjyrë, e herë largohej tjetra, derisa vajza e hutuar nuk dinte a ta shikonte më shumë të ëmën, apo mua. Zonja më pas mori frymë thellë, mezi përmbajti lotët duke më thënë: - Hyr… - dhe duke ma lëshuar rrugën. Me vajzën bisedoja sikur me një moshataren time, derisa zonja nuk e mori veten. - Nënë - iu kthye vajza asaj. - A do ta marr vesh se për çka bëhet fjalë? - Po… - i tha ajo, duke bërë me dije se, gjatë tërë kësaj kohe ishte ndier si mos më keq. Ishte evidente se shkak i refuzimit të saj fillestar ishte ndonjë gjë shumë e keqe, e rëndë. (vijon)

(Kosova Sot Online)