Roman dashurie: Një jetë më e mirë (21)

  • E.K /
  • 03 July 2021 - 17:26
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (21)

Mëngjesin e ardhshëm u zgjua herët, kështu që para tregut arriti në atë kohën kur amviset më të vyeshme bënin blerjen. Zërat ia kujtuan mëngjeset e saj të dikurshme. Nga fshatari i sjellshëm mori një kuti të madhe ku paketoi të gjitha ato imtësi, të cilat i donte për veten e vet. Bëri një regjistër të mobilieve dhe gjësendeve për të cilat mendonte se do të ishin të mira dhe të dobishme për familjen e varfër. Kur u kthye në hotel, ishte e ndytë nga koka deri te këmbët, por të paktën e dinte që, të paktën para se të rrënohej, shtëpia të dukej sikur në të të ishte një dorë femre. Në mesditë e mori shoferi.

Kompleti i saj ngjyrë vjollce me detaje të mëdha, të zeza në formë diamantesh, me dizajn të jashtëzakonshëm dhe të qepur sipas masës së saj, i rrinte për mrekulli. E dinte se, me fundin deri në gjunjë, këmbët e saj të gjata do të dukeshin atraktive dhe këpucët e zeza me takat e larta edhe më shumë do ta manifestonin graciozitetin e vet. Në vetvete e falënderonte Dafinën që e kishte mësuar të merrte sa më shumë gjëra me vete gjatë udhëtimeve. Dafina i kishte thënë: "Kurrë nuk dihet se çka do të duhen. Mund ta njohësh princin tënd kur më së paku shpreson. Në ndërkohë mund të të shpërthejë goma, e të të paraqitet ndonjë bukurosh.

E edhe nëse nuk paraqitet, ndoshta do të duhet vetë ta ndërrosh gomën, me ç'rast do të ndyhesh dhe do të shkosh në takim sikur të ishe e dashura e automekanikut. Edhe ashtu me veturë po shkon, nuk të kushton gjë të marrësh edhe disa gjëra me vete. Mos i harro këpucët e zeza, meqë ato mund t'i kombinosh me gjithçka. Në rastin e Jehonës këshilla e Dafinës ishte më se e qëlluar. Agimi e priste i veshur në kostum, por pa kravatë dhe me këmishën e përthekuar dosido. Ishte më serioz, buzëqeshja e tij ishte e përmbajtur, derisa e nënshkruan kontratën dhe shkuan në një restorant të afërt për drekë.

Mori regjistrin e gjësendeve nga Jehona dhe i angazhoi punëtorët e tij që t'i ngarkonin gjërat në kamion. - A i keni marrë ju gjërat tuaja? E kam fjalën për ato gjërat e dashura, që keni vendosur t'i mbani? - I kam në veturë. - D.m.th., shtëpia është e zbrazur. A dëshironi ta shihni edhe një herë? - Jo. Jam përshëndetur me të. Kaherë, bile. Gjatë drekës nuk biseduan gjatë. Jehona vërejti sesi të gjitha femrat e shikonin Agimin, buzëqeshnin, e disa edhe i afroheshin. Telefoni i cingëronte vazhdimisht, e ai iu përgjigjej të gjithëve.

Vesa kishte të drejtë - ai ishte tepër i rrezikshëm. E, më pas iu kujtua se nuk i kishte telefonuar as Selamiut, e as Lazimit. Mendonte se Selamiu e priste pa durim në drekë. E thirri nga tualeti. Ai ishte tepër i shqetësuar kur i tha se do të kthehej vetëm në mbrëmje. Ai e luti që të shkonte te ai dhe ajo ia premtoi këtë.

KAPITULLI I TREMBËDHJETË

Kur dolën nga restoranti dhe kur Agimi u nis kah kamioni, mbeti e habitur. Hapi derën e udhëtarit të përparmë dhe i ndihmoi që të hipte në pragun e lartë, e vetë u ul në vendin e shoferit. Ai e vërejti hutinë e saj dhe buzëqeshi. - E di se ke pritur shoferin, por nuk ka nevojë që me ne të vijë edhe dikush tjetër. Edhe unë di ta vozis këtë gjë. (vijon)

(Kosova Sot Online)