Roman dashurie: Një jetë më e mirë (20)

  • E.K /
  • 02 July 2021 - 15:51
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (20)

Vesa vrapoi menjëherë në drejtim të saj, e veshur me një fustan tepër të ngushtë. U përqafuan, por Jehona menjëherë vërejti se ajo mezi priste ta merrte vesh sesi kishte mundur një vajzë aq e rëndomtë të shndërrohej në një grua kaq të bukur. Biseduan, ku më së pari u dëgjua rrëfimi i Vesës. Martesa njëvjeçare e saj kishte marrë fund me një grindje në rrugë dhe me një shkurorëzim të shpejtë. Burri i saj ishte një hajn lokal, i vetmi që kishte mundur ta përpinte reputacionin negativ të gruas së tij, meqë nuk kishte raste më të mira. Vesa të paktën e kishte shtëpinë e prindërve, ku mund të rrinte. Pas kësaj për gjashtë vjet kishte qenë e vetme, e më pas kishte filluar që të shihej me një zotëri të njohur, emrin e të cilit nuk donte ta tregonte.

Jehona ishte e sigurt se kjo për të nuk kishte rëndësi fare dhe se gjithsesi do ta njoftonte atë "jaranin" e kthyer nga Gjermania, i cili ishte i marrë pas saj dhe me të cilin tani kishte një martesë të mirë, të bazuar te alkooli. Megjithatë, Jehonës i vinte mirë që Vesa ishte mirë. Shkurtimisht ia tregoi arsyet pse gjendej aty. Vesa i shtroi pyetje të shumta, por Jehona i evitonte ato me mjeshtëri. Vesa për të nuk kishte rëndësi të madhe. - A do të qëndrosh deri nesër këtu? Jehona pohoi me kokë. - Para se të shkosh mund të vish ta pimë nga një kafe, e të shohësh në çfarë shtëpie jetoj tani! - Do të doja, por nuk kam kohë. Më duhet të përfundoj gjithçka rreth shitjes së shtëpisë së babait, e më pas të kthehem në kryeqytet. - A Agim bukuroshi po ta blenë shtëpinë, a? Jehona u hutua. - Me gjasë. 

E di, e di! Ai posedon qendrën tregtare përballë tregut. Çfarë mashkulli është ai! Jehonës iu kujtuan ato ofshamat e Vesës, shumë vjet më parë, derisa shikonin "Mercedesin" e Agimit nga kopshti. - Kujdes, mos u mashtro pas tij! Ai e ka gruan në Spanjë!, i tha me të shpejtë Vesa. - Unë jam e fejuar, shoqe!- ia ktheu ajo me një dozë nervozizmi. - Njëmend? - Do të martohemi sapo të më kthehet i fejuari nga Amerika. Atje është duke punuar në një projekt. - Shihe, ti! I fejuari nga Amerika! Urime, urime! Por, nuk e kam të qartë një gjë. Nëse je e fejuar, atëherë ku e ke unazën? Me këtë Vesa vetëm tregoi se sa primitive që ishte. Femrat si ajo nuk mund të paramendonin që ndokush të ishte e fejuar, e të mos e bartte unazën në dorë.

Jehona nuk kishte energji që t'i tregonte sesi, derisa i kishte pasur stolitë në çantë, bashkë me unazën e fejesës, të cilat i kishte hequr për shkak të një kontrolli mjekësor, ia kishin vjedhur hajnat.Kur ajo i kishte telefonuar Lazimit në Amerikë, duke qarë, për shkak të humbjes së unazës, ky i fundit e kishte qetësuar, duke i thënë se, së shpejti, do t'ia dhuronte unazën e martesës, kështu që nuk kishte pse ta vajtonte unazën e humbur. Për këtë shkak Vesës vetëm i tha se fejesa e saj ishte bërë shpejt e shpejt, për çka edhe nuk kishte unazë. Kur u kthye në hotel, ndihej aq e lodhur, saqë vendosi të binte menjëherë. (vijon)

(Kosova Sot Online)