Roman dashurie: Një jetë më e mirë (25)

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 13:28
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (25)

- Nuk ka rëndësi, erdha më herët, meqë doja ta vizitoja edhe atë familjen, para varrimit. - Do të gëzohen që ke ardhur. Do t'i shohësh nesër në varrim, e edhe më pas. Në një restorant afër varrezave të qytetit do të mblidhen edhe ata pak miq dhe të afërm të tyre. Jehona e shikonte e habitur, duke mos ditur se si ia kishin dalë ta organizonin një gjë të tillë.

- Si je ti, përndryshe? - Nuk është keq. Kryeqyteti është i ngarkuar, në ngutje e sipër, e edhe ditët e mia kalojnë ashtu. - Kurrë më nuk do të largohesha nga këtu. Sado obligime që mund të ketë njeriu, në një qytet të vogël çdo gjë është më e thjeshtë. Ke më pak të tillë që të pengojnë dhe më shumë nga ata që do të të ndihmonin.

- Unë habitem sesi, pas Spanjës, ti u adaptove kaq shpejt dhe lehtë. - Edhe mua më habit një gjë e tillë, por malli, nostalgjia, është një ndjenjë e çuditshme. E shikoi me një shikim depërtues, sikur me këtë fjali të donte t'ia tregonte ndonjë sekret. Jehona e largoi shikimin, e vetëdijshme se nuk duhej të dorëzohej para dëshirave të saj. Ishte e fejuar, jetonte larg, ky njeri e donte qytezën, të cilën ajo e urrente dhe gjithçka tregonte se nuk guxonte as të mendonte se mund të ndodhte diçka në këtë aspekt. Darka zgjati, e Agimi ishte tepër llafazan.

Fliste rreth peripecive të cilat i kishte pasur para fillimit të ndërtimit të qendrës tregtare, rreth shitësve të tregut, të cilët natën vidhnin materialin ndërtimor për inat, duke u frikësuar nga konkurrenca. Nuk e kishin të qartë që qendra tregtare nuk do ta shiste të njëjtin mall me të tyrin, por përkundrazi, do t'u sillte më shumë kalimtarë dhe myshterinj potencialë. Ishte bërë ora nëntë kur Agimi papritmas kuptoi se i duhej të shkonte. - Aq shumë më pëlqen shoqëria jote, sa që harroj se kam obligime të tjera. Dikush më pret dhe me të vërtetë më duhej të shkoj. - Në rregull, nuk ka problem.

- A mund të shkosh vetëm deri në hotel? - Gjithsesi. E pagoi faturën dhe iku. Mezi guxoi që ta shikonte. Jashtë të ftohtit t'i ngrinte gishtat. Mezi arrinte të shihte, për shkak të erës së fortë. Rrugët ishin të shkreta dhe Jehonës iu kujtua vetmia, në të cilën jetonte derisa ishte më e re, kur ishte e bindur se aty do ta kalonte tërë jetën. Nën ndikimin e kësaj ndjenje të keqe, sapo arriti në hotel, e thirri Lazimin. E zbuti me fjalë të ëmbla dhe e dinte se ai do t'ia falte pse kishte shkuar atje, pa miratimin e tij. E kurdisi zilen e orës në nëntë, duke respektuar një marrëveshje që kishte bërë me Agimin, se ai do të shkonte për ta marrë në orën 11, meqë në orën 12 fillonte varrimi. Fjeti si bebe.

Ishin duke udhëtuar me automobilin komod, të shpejtë. Sa më shumë që kalonin në rrugë lokale, bora ishte më e madhe. - Varrimi do të bëhet në fshatin më të afërt, atje ku fëmijët shkojnë në shkollë. - Si do të arrijnë ata? - Mos u mërzit, kam dërguar shoferë për ta. I kam dy furgonë zyrtarë. - Si e përjetuan ata vdekjen e gjyshit? - Ishte e tmerrshme.

Fëmija më i madh vraponte në mes të natës nga fshati, për të më treguar se çka kishte ndodhur. Menjëherë thirra një mik timin mjek dhe shkuam atje. I gjetëm duke qëndruar rreth shtratit të gjyshit duke qarë. Arritën me kohë, mu kur nja dhjetë njerëz ishin mbledhur para faltores së fshatit, ku gjendej i ndjeri. Jehona hyri pas Agimit dhe pa familjen të ulur afër arkivolit, duke pranuar ngushëllime. (vijon)

(Kosova Sot Online)